1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bisedimet BE - Serbi - Një shtëpi e lëkundur me dy dyer

Fillimi i negociatave të BE me Serbinë është sukses, por reformat e vërteta të vështira janë ende përpara vetes. Do të jetë një proces i gjatë dhe i dhimbshëm për shoqërinë serbe, mendon Dragoslav Dedovic.

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Në nisje të negociatave të anëtarësimit të BE, më 21.012.2014 në Bruksel, personat përgjegjës ndoshta mund t'i rrahin të kënaqur shpatullat njëri-tjetrit. Ndonjëri apo tjetri politikan do të marrë poza të burrit të shtetit dhe do t'u buzëqeshë kamerave i shoqëruar nga të fuqishmit e BE. Por kaq do të jetë e gjitha: sapo të arrihet niveli operativ, negociatat e anëtarësimit do të kthehen në një proces reformues të thellë dhe të dhimbshëm.

Prej ku vijnë dhimbjet? Modernizimi i njëanshëm i Jugosllavisë - dhe me të edhe i Serbisë nën Titon - dështoi keqas në vitet '90 dhe përfundoi në kaosin e luftërave jugosllave. Pasojat janë deri sot më se të dukshme. Prova e dytë për ta modernizuar vendin në mënyrë radikale, këtë herë nën shenjat kapitaliste të BE, thjesht duhet të përfundojë me sukses. Sepse në kërkim të vetes dhe të një imazhi shoqëror dhe shtetëror për veten në Serbi kanë vajtur dëm deri tani disa dekada. Ka ardhur koha që shteti serb dhe shoqëria serbe të çlirohen nga ngrirja e shokut postjugosllav. Negociatat e anëtarësimit të BE ofrojnë një kuadër të mirëseardhur për një goditje të tillë çliruese.

Një perspektivë për të ardhmen për Serbinë

Për ta përmirësuar gjendjen katastrofike aktuale në shtetin më të madh pasardhës të Jugosllavisë, në Beograd duhet të investojnë shumë kohë dhe energji të mëdha politike. Po të ecin të gjitha si duhet, atëherë në fund të dekadës mund të arrihet gjendja e dëshiruar, e përshtatshme për BE.

Megjithë vështirësitë e mëdha, Kroacisë ju deshën vetëm gjashtë vjet për negociatat e anëtarësimit dhe vitin e kaluar ishte republika e dytë jugosllave, pas Sllovenisë që u pranua në BE. Kjo duhet t'i japë guxim Serbisë. Po ka edhe shembuj frikësues. Kërkesa e parë e Turqisë për t'u pranuar - siç quhej në atë kohë në Bashkësinë Evropiane Ekonomike - është bërë 55 vjet të shkuara. Shpejtësia e afrimit nuk varet vetëm nga zelli për reforma i kandidatëve, por edhe nga moti më i gjerë gjeostrategjik. Megjithatë: Serbia duhet ta kalojë në mënyrë konsekuente procesin, jo vetëm për shkak të Brukselit, por për shkak të perspektivave të së ardhmes të qytetarëve të saj.

Një rrugë me pengesa

Në këto e sipër, në Beograd do të mbeten rrugës disa vetëzhgënjime tashmë të preferuara. Këtu bën pjesë politika ndaj Kosovës. Në preambulën e kushtetutës aktuale serbe të vitit 2006, Kosova përcaktohet si pjesë përbërëse e Serbisë. BE bën negociata të veçanta me "këtë pjesë përbërëse", për perspektivën e saj të anëtarësimit. Nën presionin e ndërmjetësimit të Brukselit, Beogradi nëshkroi një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me "pjesën e tij përbërëse". Mund të ndodhë fare mirë që Serbisë t'i duhet të llogarisë hapjen në një kohë të afërt të kapitullit 35 në negociatat me BE. Nën titullin e butë "Çështje të tjera" fshihet pikërisht rregullimi i marrëdhënieve me Kosovën. Kjo do të kërkojë herët a vonë një "zbutje" të kushtetutës serbe. Veç kësaj, Serbia, në sajë të ndihmës nga Rusia bllokon aktualisht pranimin e Kosovës në OKB, duke sjellë mospëlqimin e Londrës, Parisit dhe Berlinit. Veç kësaj, vendet anëtare në BE, Kroacia dhe Serbia kanë akuzuar njëra-tjetrën para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë - për shkak të genocidit gjatë përleshjeve luftarake pas shkëputjes së Kroacisë nga Jugosllavia në vitet 90. Dhe fqinjët i zgjidhin konfliktet më tepër jashtë gjyqeve.

Një pengesë tjetër në përpjekjet e Serbisë në rrugën për t'u anëtarësuar në BE është partneriteti strategjik me gjigandin energjetik rus Gazprom. Ky partneritet bën pjesë që në vitin 2008 në arsye shtetërore për Serbinë: një shumicë e Gazpromit tek monopolisti i naftës NIS dhe kalimi në të ardhmen i gazsjellësit rus South Stream - edhe përmes Serbisë - janë pasojat.

Por ndërkohë BE dhe Rusia po grinden për marrëveshjet e South-Stream-it, sepse e drejta e BE i përjashton të gjitha monopolet energjetike tek gazsjellësit. Serbia mund ta shohë veten nën rrotat e matjes së forcave midis Brukselit dhe Moskës, sepse në kriteret e anëtarësimit bën pjesë "aftësia për të qenë pjesë e tregut të brendshëm."

Mungesë e shtetit juridik

Megjithëse politikanët serbë pohojnë gjithmonë se Serbia është një shtëpi me dy porta - njëra është e hapur në drejtim të Brukseli dhe tjetra në drejtim të Moskës - herët a vonë ata duhet të deklarojnë se cila është dera e hyrjes dhe cila është dera e pasme. Një akt i vazhdueshëm balance midis Lindjes dhe Perëndimit, i cili të kujton kohët jugosllave të mosinkuadrimit në blloqe, nuk do të jetë më i praktikueshëm.

Por në mënyrë esenciale negociatat do të lidhen me shtetin juridik. Këtu Beogradi përmendi disa suksese vitin e kaluar: pati arrestime spektakolare të ministrave të korruptuar, të oligarkëve mashtrues ose të pjesëtarëve të shërbimit të fshehtë, të cilët besohet se janë përgjegjës për vrasjet nën Miloshevicin. Por kjo nuk duhet të bëjë të harrohen problemet strukturore: drejtësia joefikase dhe e ndikueshme, korrupsioni i përditshëm i rrënjosur thellë, administrata e fryrë, privatizimet e gabuara, investimet e munguara, infrastruktura e shkatërruar. Qytetarët janë pengje të partive, të cilat funksionojnë si qendra për të furnizuar vetveten: vendi i punës, karriera dhe postet shpesh janë të mundura vetëm me librezën e duhur partiake.

Të gjitha këto konstatohen në një lloj screening- në një regjistrim joemocional të rrethanave serbe. Serbia duhet t'i përveshë mëngët e saj. Projektet e mëdha historike të shekullit të 20-të me luftëra, të cilat u kushtuan jetën miliona serbëve dhe kundërshtarëve të tyre, kanë përfunduar. Tani në Beograd do të shkruhet histori duke i zbatuar gradualisht standartet e një shteti mesatar të BE. Ky është një projekt ambicioz. Dhe mund të kërkojë kohë.