1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bisedimet bërthamore me Iranin ngecin

Në bisedimet për programin atomik iranian nuk u arrit sukses. Ato vazhdojnë më 18 dhe 19 Qershor në Moskë.

Bisedimet me Iranin duhet të sillnin një zgjidhje në konfliktin e gjatë bërthamor. Por kjo nuk ndodhi. Në vend të kësaj fuqitë me të drejtë vetoje në OKB, pra Britania e Madhe, SHBA, Kina, Rusia dhe Franca, dhe Gjermania ranë dakord, që bisedimet t'i vazhdojnë më 18 dhe 19 Qershor në Moskë. Perëndimi dyshon se Irani po punon për ndërtimin e armëve bërthamore. Qeveria në Teheran e ka mohuar gjithmonë këtë dhe flet vetëm për një program civil, për të prodhuar energji.

Pas fillimit konstruktiv dhe shpresëdhënës para gjashtë javëve në Stamboll, shumë kishin pritur bisedime më të lehta në Bagdad. Të dyja palët kanë arritur me vështirësi të mëdha, që të pengonin dështimin e bisedimeve njëditore. Pika kryesore është dhe mbetet pasurimi i uraniumit në 20 për qind. Catherine Ashton, kryenegociatorja e shteteve 5 +1, u shpreh: "Irani ka shprehur gatshmërinë, që ta trajtojë çështjen e pasurimit në 20 për qind dhe ka paraqitur një plan të vetin pesëpikësh."

Irani: çdo bashkëpunim varet nga pasurimi i uraniumit

Çfarë përmban në të vërtetë ky plan pesë pikësh, nuk është bërë publike deri tani. Në thelb e gjitha ka të bëjë vetëm me një gjë: me pasurimin. Në këtë pikë Irani ka lëvizur pak ose aspak. Said Xhalili, kryenegociatori i Teheranit: "Ata (vendet/ partnerët në negociata 5 +1) kanë patur një propozim për pasurimin e uraniumit. Të dyja palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre. Por çështja thelbësore, që ne kemi bërë këtu të qartë, ishte se çdo bashkëpunim në këtë fushë varet nga pranimi i pasurimit, që u është siguruar të gjithë anëtarëve të marrëveshjes për bllokimin e armëve bërthamore."

Shtetet 5 +1 i kanë ofruar Iranit, që të furnizojnë vendin me radioizotope për qëllime mjekësore. Ata gjithashtu kanë ofruar pjesë këmbimi për avionët dhe bashkëpunim të ngushtë në çështjet e sigurisë në teknologjinë bërthamore. Por Irani në asnjë mënyrë nuk do të heqë dorë nga kapacitetet e veta të ngritura me shpenzime të mëdha. "Përdorimi paqësor i energjisë bërthamore varet nga posedimi i ciklit të prodhimit dhe pasurimi. Ne këmbëngulim në këtë të drejtë. Kjo është një e drejtë e patjetërsueshme e kombit tonë, bazuar në Marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore. Populli ynë ka të drejtë për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe në veçanti për pasurimin e uraniumit. "

Said Xhalili, kryenegociator iranian

Said Xhalili, kryenegociator iranian

A punon Irani në ndërtimin e bombës bërthamore?

Pikërisht këtu pikëpamjet e palëve negociuese janë diametralisht të kundërta. Sepse, ndërsa Irani pohon se pasurimi bëhet për qëllime paqësore, disa shtete supozojnë se ai shërben për ndërtimin e armëve bërthamore. Prandaj Këshilli i Sigurimit të OKB-së në rezolutat e ndryshme i bën thirrje Iranit, që të ndalojë pasurimin e uraniumit. "Ne presim, që Irani të ndërmarrë hapa konkretë dhe praktikë, për t'u ballafaquar urgjentisht me shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar besim dhe për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare." Negociatat kanë qenë intensive, por të paplota, ankohet kryenegociatori iranian Said Xhalili. Teherani donte të arrinte heqjen e sanksioneve. Për këtë nuk bëhet fjalë momentalisht. Më 18 qershor do të vazhdojnë bisedimet në Moskë.

Autor: Reinhard Baumgarten/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi