1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedime të vështira koalicioni në Prishtinë

11 Shkurt 2011

PDK-ja ka disa mundësi të sigurojë shumicën e nevojshme prej më shumë se 60 deputetësh për krijimin e qeverisë. Por sipas analistit Halil Matoshi qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë.

https://p.dw.com/p/10FJL
Fituesi i zgjedhjeve Thaçi është optimist
Fituesi i zgjedhjeve Thaçi është optimistFotografi: picture-alliance/dpa

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar të hyjë sërish në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. Këtë qëndrim ajo e ka bërë të qartë që para zgjedhjeve të 12 dhjetorit vitin e kaluar. Ndërkohë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas konsultimeve me Ramush Haradinajn në Hagë paraqiti këto ditë disa kushte të papranueshme për PDK-në: që qeveria të përbëhet nga të gjitha partitë e mëdha dhe që të mos udhëhiqet nga kryeministri i tanishëm në detyrë Hashim Thaçi. Pasi dy partitë e mëdha PDK dhe LDK, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me "Vetvendosjen", një prej mundësive që i mbetet kryeministrit Thaçi është koalicioni me Aleancën Kosova e Re dhe minoritetet. Në një sfond të tillë, analisti Halil Matoshi deklaron për Deutsche Welle-n: "Duket se përfundimisht kjo do të jetë formula qeveritare e 'Qeverisë Thaçi II', e cila sipas analizave tona në Prishtinë del se, për shkak të një opozite shumë të fuqishme dhe problemeve me të cilat do të përballet, nuk do të mbijetojë më gjatë se gjashtë muaj apo një vit. Pas kësaj kohe sërish do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme", pohon Halil Matoshi.

Numërimi i votave tashmë ka përfunduar
Numërimi i votave tashmë ka përfunduarFotografi: AP

"Qeveri e duarve të pastra"

Në qarqet ndërkombëtare shpesh është kërkuar, që qeveria e ardhshme të jetë një "qeveri me duar të pastra", që do të thotë se në të nuk duhet të ketë persona, që hetohen për kriminalitet. EULEX-i ka kumtuar se ka filluar edhe hetimet sipas pohimeve nga raporti i Dick Marty-t, i cili ka adresuar akuza të rënda në drejtim të kryeministrit Thaçi dhe disa prej bashkëpunotrëve të tij. Ndërkohë që edhe AAK-ja ka kërkuar, që ai të largohet nga ky post. Matoshi: "Është e vërtetë se EULEX-i ka nisur hetimet mbi këto pohime, por ekziston edhe rregulli sipas të cilit secili person është i pafajshëm deri në dënimin e tij prej ndonjë gjykate relevante. Ky precedent është thyer nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është nominuar dhe zgjedhur në këtë post, ndonëse praktikisht e ka pasur në xhep ftesën nga Tribunali i Hagës. Mendoj se edhe zoti Thaçi do ta kapërdijë këtë fakt dhe me këmbëngulje do të insistojë, që të jetë mandatar i qeverisë së re", pohon Matoshi.

E ardhme e vështirë për qeverinë e re

Sipas Matoshit, qeveria e ardhshme "do të jetë e përkohshme, provizore dhe do të jetë gati e pamundshme që të mbijetojë katër vjet sa do të jetë mandati i saj". Mirëpo për qeverinë e ardhshme nuk do të jenë problem vetëm akuzat e (pa)baza të qarqeve të ndryshme. Pengesa shumë të mëdha paraqesin edhe problemet e brendshme.

"Çështja e politikave të pamenduara dhe krye më vete fiskale, do të thotë rritja e pagave përkundër sugjerimeve të FMN-së dhe Komisionit Evropian, çështja e privatizimit të aseteve nacionale, rrënimi i brendshëm i legjitimitetit me vjedhjen industriale të votave në zgjedhje, korrupsioni galopant dhe krimi i organizuar. Të gjitha këto së bashku do t'ia pamundësojnë kësaj qeverie jetën e gjatë", pohon analisti kosovar Halil Matoshi.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora