1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bisedime të vështira për Greqinë

Nëse vendet e Eurozonës dhe qeveria e re greke nuk bien dakord në takimin urgjent sot në Bruksel, Greqinë e kërcënon falimentimi. Më 28 shkurt, përfundon programi i deritanishëm i ndihmave për këtë vend.

Kryeministri grek Alexis Tsipras pret bisedime të vështira në takimin e sotëm të ministrave të Financave të Eurozonës në lidhje me ndihmat financiare ndërkombëtare për Greqinë, por se ka ende besim se kreditorët do t'i japin Athinës më shumë kohë për zbatimin e programit të reformave, tha ai në një intervistë për revistën gjermane "Stern", të botuar të dielën. "Unë ju premtoj: Greqia do të jetë për gjashtë muaj një vend krejtësisht i ndryshëm," tha ai.

Jo kredi të mëtejshme ndihmëse

Kryeministri Tsipras tha se nuk do kredi të mëtejshme ndihmëse, por një situatë "win-win" për të gjithë. "Unë jam duke kërkuar një zgjidhje me të cilën të gjithë fitojnë. Unë dua një zgjidhje "win-win". Unë dua ta shpëtoj Greqinë nga tragjedia dhe ta ruaj Evropën prej përçarjes," tha kryeministri i majtë grek Aleksis Tsipras në intervistën për "Stern". Tsipras tha në intervistë se Greqia nuk ka nevojë për para, por për kohë për të realizuar reformat.

Falimentim shtetëror, zgjidhje ose dalje nga Eurozona?

Por koha nuk pret: më 28 shkurt, përfundon programi i deritanishëm i ndihmave, për të cilin kishte rënë dakord qeveria e mëparshme me donatorët ndërkombëtarë. Nëse vendet e Eurozonës dhe qeveria e re greke nuk bien dakord në takimin urgjent sot në Bruksel, Greqinë e kërcënon falimentimi.

Greqia ka rënë dakord me partnerët e vet evropianë që ka nevojë për një "plan kombëtar reformash" për çështje afatgjata të ekonomisë, tha zëdhënësi i qeverisë greke Gabriel Sakellaridis. Por ai shtoi se qeveria e re greke nuk do të përleshet me publikun sipas urdhërave nga jashtë. Sa u përket çështjeve të punës dhe të pensioneve, ai tha: "Ne jemi të gatshëm, ku ka çështje privilegjesh, për të diskutuar për to ... por ne nuk do të përplasemi me shoqërinë."

Ministri i Financave Janis Varoufakis tha në televizionin grek se pas diskutimeve paraprake me 18 anëtarët e tjerë të Eurozonës ai është optimist për kërkesën për një ristrukturim të borxhit grek. Por një "plan B", në rast se nuk ka marrëveshje, nuk ka.

Tërheqje masive parash

Sipas sondazheve shumica e grekëve janë të kënaqur me qëndrimin e qeverisë së tyre. Por gjendja financiare po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Shumë njerëz po tërheqin tani shuma të mëdha parash nga llogaritë e tyre bankare. Sipas gazetës greke «Kathimerini» nga nëntori i vitit 2014 deri tani grekët kanë tërhequr nga bankat rreth 20 miliardë euro.

Nëse nuk gjendet një zgjidhje deri më 28 shkurt paketa e shpëtimit për Greqinë mbyllet dhe bankat nuk do të jenë në gjendje të paguajnë. Bankat greke mbahen aktualisht në jetë me kreditë emergjente të Bankës së Evropës Qendrore (BQE) dhe niveli i rezervave të tyre është në nivelin më të ulët që prej shpërthtimit të krizës.