1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedime me armikun e përbetuar

22 Shkurt 2012

Përfaqësues të Koresë së Veriut dhe SHBA-ve takohen të enjten (23.02.) për bisedime të drejtpërdrejta. Për Penjanin kjo është një çështje prestigji. Por a do të kenë këto bisedime sukses?

https://p.dw.com/p/147HW
Fotografi: AP

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën reaguar të përmbajtura ndaj lajmit për vdekjen e diktatorit shumëvjeçar të Koresë së Veriut, Kim Jong Il. Ne nuk shohim arsye për shpresë tek ndërrimi i pushtetit, u tha në Uashington. Nuk ka asnjë shenjë që i biri i diktatorit, Kim Young-Un do të heqë dorë nga politika konfrontuese e të atit të tij. Përkundrazi. Me sulmin dy vjet më parë ndaj ishullit koreanojugor Yeonpyeong, i cili i atribuohet Kim Jong-Un-it, ai e ka bërë të qartë që në fillim se pas marrjes së pushtetit do të vazhdojë politikën konfrontuese. Reagimi i një zëdhënësi të Shtëpisë së Bardhë në atë kohë ishte lakonik. "Unë nuk mendoj se kemi shqetësime të tjera përtej atyre që ne i kemi ngritur në lidhje me sjelljen e Koresë së Veriut për çështjet bërthamore. Ne do të insistojmë edhe më tutje që ata të përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare."

Hillary Clinton komenton vdekjen e Kim Jong Il
Hillary Clinton komenton vdekjen e Kim Jong IlFotografi: picture-alliance/dpa

Propaganda koreanoveriore: Të rrethuar nga armiqtë

Në të vërtetë ndryshimi i pushtetit në Korenë e Veriut nuk duket t'i ketë lënë shumë indiferentë amerikanët. Kjo për faktin se në muajt e fundit është arritur të rivendosen sërish kontaktet për bisedime me Korenë e Veriut. Vitin e kaluar delegacionet e dy vendeve janë takuar dy herë për të negociuar mbi programin e diskutueshëm bërthamor  të Koresë së Veriut. Për Korenë e Veriut, ka qenë gjithmonë një objektiv i deklaruar të negociojë drejtpërdrejt me SHBA-të. Koreanoveriorët  kanë dëshiruar gjithmonë që ta detyrojnë armikun e përbetuar që të ulet në një tryezë të bisedimeve në mënyrë që të arkëtojnë pikë në politikën e brendshme. Frank Rüdiger është ekspert për Korenë e Veriut në Universitetin e Vjenës. "Udhëheqja koreanoveriore ka arritur me sukses që të bindë popullsinë se është e rrethuar nga armiqët. Në një situatë të tillë mund të justifikohet më mirë si represioni ashtu dhe mungesa e kujdesit. Në atë moment që udhëheqja nuk do të arrijë t'i tregojë popullatës se vendi ndodhet nën rrethim atëherë do të rritet presioni i brendshëm politik për përmirësimin e kushteve të jetesës."

Në foto, Kim Jong-Un
Në foto, Kim Jong-UnFotografi: picture alliance/ZUMAPRESS.com

Që prej viteve 90-të, Korea e Veriut nuk është në gjendje apo mezi arrin të sigurojë ushqimin e nevojshëm për popullsinë e saj. Megjithë izolimin dhe shtypjen regjimi është nën presion. Kim Hyun-uk, këshilltar i presidentit koreanojugor beson se përmbysja e regjimit mund të ndodhë në çdo kohë. "Ne e shohim një lëvizje. Një institut hulumtimi rus ka parashikuar kohët e fundit se regjimi në veri do të përmbyset në 20 vitet e ardhshme. Ndërkohë, si Rusia ashtu dhe Kina e kanë kuptuar se një ribashkim korean është në interesin e tyre."

Roli i dyfishtë i Pekinit

Por me këtë pikëpamje Kim Hyun-uk është relativisht i vetëm. Sidomos Kina konsiderohet ende si një nga pengesat më të mëdha për ribashkimin e Koresë - para së gjithash sepse kjo do t'i mundësonte trupave amerikane që të depërtojnë deri në kufirin kinez. Për Kinën, një Kore e Veriut e dobët por e pashtruar është sigurisht me interes edhe pse Pekini nuk është fare i lumtur që vendi i vogël fqinj, shkakton rregullisht trazira me armët e tij bërthamore. Edhe pse Koreja e Veriut është ekonomikisht e varur pothuajse tërësisht nga Kina, prapëseprapë Pekini nuk ka arritur të bindë Penjanin që të heqë dorë nga planet e armatimit. "Ushtria në radhë të parë", ka qenë deri tani motoja e regjimit të Koresë së Veriut.

Pamje nga kufiri mes dy Koreve
Pamje nga kufiri mes dy KoreveFotografi: picture alliance/dpa

Në fund të fundit regjimi në Korenë e Veriut ka përdorur në mënyrë të përsëritur arsenalin e tij bërthamor si masë kërcënuese. Nganjëherë ka përfituar furnizime kundrejt premtimeve e ndonjëherë sikur tani Penjani arrin të sigurojë një vlerësim diplomatik. Dhe si një efekt anësor si zakonisht dy superfuqitë botërore vazhdojnë lojën kundër njëra tjetrës. Raundi tjetër mund të fillojë.

Autorë: Mathias Bölinger / Esat Ahmeti

Redaktoi: