1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bisedime Londër -OKB i paraqet Iranit ofertë të re

Kuarteti i Lindjes së Afërme i bëri thirrje edhe Izraelit, ta ndalë ndërtimin e ngulimeve në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Sipas tij, duhen braktisur të gjithë të ngulimet të ngritura prej vitit 2001.

default

Ministrja e jashtme e SHBA, Condoleezza Rice në takimin e Kuartetit për Lindjen e Afërme në Londër

Në ngrindjen bërthamore me Iranin pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermania paraqitën një ofertë të re. Me anë të tij qeveria në Teheran duhet shtyrë drejt ndërprerjes së programit të pasurimit të uraniumit.


Bashkësia ndërkombëtare kërkon t'i afrohet edhe një herë Teheranit dhe ta rikthejë udhëheqjen iraniane me një ofertë të re në tryezën e bisedimeve:

'Ne jemi marrë vesh për një ofertë të re në drejtim të qeverisë iraniane',

...tha ministri i jashtëm britanik David Miliband në përfundim të bisedimeve të grupit gjashtanëtarësh për Iranin. Grupit i përkasin pesë fuqitë me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit dhe Gjermania.

Se ç'pamje ka saktësisht oferta për Teheranin, këtë Miliband nuk deshi ta thoshte. Nga qarqet e delegacionit gjerman u tha, se ajo përmban komponentë politikë, kulturorë dhe ekonomikë. Sipas ministrit të jashtëm Frank-Walter Steinmeier vlejnë ende dy parime:

'Së pari, ruajtja e unitetit të bashkësisë ndërkombëtare, në rast nevoje edhe të rritet trysnia mbi Iranin. Së dyti, dhe kjo është po aq e rëndësishme: të bëhet e qartë se dora jonë mbetet e shtrirë.'

Ministrja e jashtme amerikane Condoleezza Rice kishte theksuar në hapje të bisedimeve për Iranin në Londër, se kishte dyshimin, që për Teheranin nuk bëhej fjalë për shfrytëzim civil të energjisë bërthamore, por për armë bërthamore.

Deri tani problematike ishte për amerikanët dhe evropianët ndërthurja e Rusisë dhe e Kinës në një qëndrim të njësuar të grupit gjashtanëtarësh kundrejt Teheranit. Sanksionet ekonomike amerikane dhe evropiane kanë pasur deri tani një efekt shumë të kufizuar, sepse si kundërpërgjigje Irani zgjeron tregtinë me Rusinë dhe Kinën si dhe me Indinë dhe Pakistanin.

Tema e dytë e madhe ndërkombëtare ishte në Londër konflikti izraelito-palestinez. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon lexoi në emër të kuartetit të Lindjes së Afërme një deklaratë, në të cilën i bëhet thirrje Izraelit të braktisë të gjitha ngulimet e ngritura prej marsit 2001 në Bregun Perëndimor. Kuarteti theksoi gjithashtu shqetësimin e tij për gjendjen humanitare në Rripin e Gazës.Ministri i jashtëm Steinmeier theksoi, se Gjermania do të forcojë para së gjithash policinë dhe drejtësinë palestineze:


'Rëndësi ka që njerëzir të ndiejnë edhe gjatë bisedimeve, se rruga drejt paqes ia vlen.'


Gjatë bisedimeve të Londrës dëgjohej vazhdimisht vlerësimi, se para zgjedhjeve presidenciale në SHBA nuk mund të priten përparime domethënëse, as në grindjen bërthamore me Iranin as në konfliktin izraelito-palestinez. Këtë e kundërshtoi Tony Blair, i ngarkuari i kuartetit për Lindjen e Afërme:


'Ne mund t'ia dalim. Në qoftë se arrijmë përparime konkrete në jetën e përditshme, mund të bëjnë përpara edhe bisedimet politike midis Izraelit dhe palestinezëve për marrëveshjen e paqes, më mirë dhe më shpejt sesa mendojnë njerëzit sot. Por kjo kërkon përpjekje të jashtëzakonshme.'

  • Data 03.05.2008
  • Autor Borchardt, Ralf / London (BR)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dsnb
  • Data 03.05.2008
  • Autor Borchardt, Ralf / London (BR)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dsnb