1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Birmani: Liderja e opozitës Suu Kyi bën thirrje për unitet kombëtar

Policia birmaneze nuk ka arritur të shpërndajë mijëra njerëz që kishin dalur në rrugë për ta pritur lideren e opozitës Suu Kyi në udhëtimin e saj të parë politik pas lirimit nga arresti shtëpiak.

Në foto, Aung San Suu Kyi

Në foto, Aung San Suu Kyi

Udhëtimi i parë politik pas lirimit nga arresti shtëpiak

Aung San Suu Kyi qëdroi edhe në një faltore

Aung San Suu Kyi qëdroi edhe në një faltore

Udhëheqësja e opozitës birmaneze Aung San Suu Kyi gjatë vizitës së saj të parë politike pas lirimit nga arresti shtëpiak i bëri thirrje popullit për unitet: "Njerëzit duhet të jenë të fortë shpirtërisht për të çuar vendin përpara", tha laureatja e çmimit Nobel për paqe të dielën në rajonin Bago. Kështu njoftoi portali i internetit "Mizzima". Mijëra mbështetës e pritën 66 vjeçaren me brohoritjet "Rroftë Aung San Suu Kyi". Sipas dëshimtarëve okularë policia nuk kishte arritur më parë të largojë nga rruga masën e njerëzve që kishin dalur për ta pritur lideren e opozitës.

Birmanezët në mërgim supozojnë që Suu Kyi ka negociuar me qeverinë për marrjen e lejes për vizitën e saj në Bago. Gjatë udhëtimit të saj njëditor në rajonin i cili shtrihet 80 kilometra në veri të Rangunit, politikania vizitoi edhe një faltore. Përveç kësaj ajo hapi dy biblioteka. Me këtë rast ajo u shoqërua nga mbështetësit e partisë së saj "Liga Kombëtare për Demokraci" (NLD) si dhe gazetarë dhe diplomatë lokalë.

Shenja të afrimit mes Suu Kyi-s dhe qeverisë birmaneze

Aung San Suu Kyi morri pjesë në përurimin e një biblioteke në Bago

Aung San Suu Kyi morri pjesë në përurimin e një biblioteke në Bago

Pas lirimit të saj nga burgu shtëpiak qeveria birmaneze e paralajmëroi Suu Kyi-n nga udhëtimet dhe aktivitet politike. Në maj të vitit 2003 nga ithtarë të qeverisë ishte sulmuar karvani i saj gjatë një vizite të këtij lloji. Sipas të dhënave të opozitës, si pasojë vdekjen patën gjetur dhjetëra njerëz. Vet Suu Kyi u arrestua dhe ndaj saj u rivendos masa e arrestit shtëpiak. Ajo u lirua fillimisht pas zgjedhjeve të diskutueshme parlamentare në nëntor të vitit 2010.

Megjithatë në ditët e fundit ka pasur shenja të afrimit mes Su Kyi-s dhe qeverisë. Pas një takimi të premten, liderja e opozitës, Suu Kyi dhe ministri i Punës, Aung Kyi sqaruan se do të punohet së bashku për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të Birmanisë. Qeveria siguroi se do të lejojë partinë e shpëndarë me detyrim NLD që të marrë pjesë në procesin e pajtimit në vend. Për këtë Liga Kombëtare për Demokraci (NLD) duhet të regjistrohet sërish si parti.

Ndikimi i ushtrisë është i madh në qeveri dhe parlament

Aung San Suu Kyi në mes të mbështetësve të NLD-së

Aung San Suu Kyi në mes të mbështetësve të NLD-së

Liga Kombëtare për Demokraci shte shpërbërë disa muaj para zgjedhjeve për shkak se ajo kishte refuzuar që t'i nënshtrohet ligjeve të rrepta zgedhore. Kundërshtarë të regjimit, veprimtarë për të drejtat e njeriut dhe disa qeveri të huaja i patën vlerësuar zgjedhjet e vitit të kaluar si farsë politike ndërsa ithtarët e Suu Kyi-s patën bojkotuar votimin e diskutueshëm. Sidomos është kritikuar ndikimi i madh e i vazhdueshëm i ushtrisë në qeveri dhe në parlament. Edhe pse qeveria e re përbëhet zyrtarisht nga civilët ajo qëndron shumë afër ushtrisë dhe ka në radhët e saj shumë ish gjeneralë. Në vitin 1990 Liga Kombëtare për Demokraci e Su Kyi-s kishte fituar zgjedhjet por junta ushtarake në pushtet nuk e kishte njohur asnjëherë këtë fitore.

Udhëtimi njëditor i nobelistes Suu Kyi kaloi i qetë. Qeveria kishte paralajmëruar më parë se mund të vie deri tek trazirat. Një zëdhënës i Ligës Kombëtare për Demokraci, Nyan Win paralajmëroi udhëtime të tjera politike të Suu Kyis. Megjithatë datat dhe vendet nuk janë përcaktuar ende, sqaroi ai.

Autor: epd / dpa / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama