1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bild: Konferenca e Sarajevës duhet të sjellë përfundime konkrete

23 Mars 2010

BE duhet të sigurojë pjesëmarrjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në samitin e Sarajevës, që mbahet në fund të majit, apo në qershor, shprehet për Deutsche Wellen, ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt.

https://p.dw.com/p/MZxf
Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl BildtFotografi: AP

Konferenca e mbajtur në fundjavë në Bërdo afër Kranjit ka dëshmuar se edhe vetë shtetet e rajonit janë në gjendje të ndërmarrin iniciativën, pohon Karl Bildt, duke shtuar se në Slloveni është zhvilluar një debat kualitativ. Sipas tij ajo, që ka vështirësuar gjendjen, është mospjesëmarrja e Serbisë

„Me mosardhjen e Serbisë ka humbur në një farë mënyre secili. Ka humbur Serbia, por edhe rajoni në përgjithësi. Serbia është një lojtar i rëndësishëm, sepse është vendi më i madh në rajon. Por kështu do të më vinte keq, sikur në konferencë të mos merrte pjesë edhe ndonjë vend më i vogël. Bashkëpunimi rajonal duhet të jetë gjithëpërfshirës", pohon Bildt.

Ai nuk deshi të komentojë mospjesëmarrjen në këtë konferencë të presidentit të Këshillit të BE-së Hermann von Rompey dhe ministrit të Jashtëm spanjoll Migel Anhel Moratinos, duke shtuar se më e rëndësishmja është pjesëmarrja e komisionerit për zgjerimin Štefan Fülle.

Kërkohet prania e të gjithëve

Sa i përket paralajmërimit të Spanjës për mbajtjen në fund të majit, apo në qershor në Sarajevë të samitit për Evropën Juglindore, Bildt pohon se fillimisht duhet siguruar pjesëmarrja atje e të gjitha vendeve të rajonit. Ai është i bindur se ekziston mundësia e mbledhjes së të gjithë liderëve në një tavolinë të përbashkët.

EU-Balkan-Konferenz
Kryeminisitrja e Kroacisë,Kosor, kryeministri i Sllovenisë Pahor dhe kryeministri i Malit të Zi Djukanovic në takimin në BrdoFotografi: dpa

„Ekzistojnë mundësi të ndryshme për zgjidhjen e këtij problemi. Mendoj se të gjithë janë të interesuar për gjetjen e zgjidhjes. Edhe më parë ka pasur raste, kur janë mbledhë të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor në një vend. Mendoj se kjo mund të përsëritet."

Përveç mbledhjes së të gjithë liderëve, Bildt thekson edhe domosdoshmërinë e rezultateve konkrete të një takimi të tillë. Para takimit duhen hartuar mesazhe të qarta, thotë ai. Sa i përket rrugës së Beogradit drejt BE-së, diplomati suedez pret që Begradi të bashkëpunojë në tërësi me Gjykatën e Hagës për krime lufte. Po a mund të jetë Kosova pengesa tjetër për anëtarësimin e Serbisë në BE?

„Ajo që është e domosdoshme dhe që po bën Beogradi, është bashkëpunimi në çështjet konkrete. Sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, jemi marrë vesh të pranojmë faktin që për momentin jo të gjithë kemi mendime të njëjta. Por të gjithë duhet të punojmë së bashku pavarësisht mospajtimeve tona."

Autor: Marina Maksimoviq/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica