1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bilanc modest i konferencës së Sirisë në Gjenevë

Rezultatet konkrete? Jo. Megjithatë bisedimet për Sirinë në Gjenevë do të rinisin së shpejti. “Një udhëtim prej një mijë miljesh nis me hapin e parë”, tha udhëheqësi i opozitës siriane, Xharba.

Lakhdar Brahimi

Lakhdar Brahimi

Bisedimet nisën më 22 janar në Montreux për të folur për luftën dhe paqen në Siri si edhe për të shqyrtuar mënyrat e mundshme për arritjen e zgjidhjes politike të konfliktit. Pas bisedimeve tetëditore në Gjenevë përfaqësuesit e opozitës siriane dhe të qeverisë së Asadit u ndanë pa arritur ndonjë rezultat. Bilanci i suksesit të takimit, krahasuar me fillimin spektakolar, është shumë modest dhe mund të përmblidhet thjesht si vijon: Të dy delegacionet kanë qëndruar deri në fund. Dhe ndoshta të dyja grupet pas një pushimi njëjavor do të rikthehen në sallën e bisedimeve në Gjenevë.

Atmosferë e tensionuar dhe „fjalë shumë të rënda“

Megjithatë, Lakhdar Brahimi, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, nuk është i pakënaqur. Këtu është hedhur një bazament, mbi të cilin mund të ndërtosh, tha ai në fund të negociatave: "Ishte një fillim i vështirë, por të dyja palët tani u mësuan të ulen së bashku në një dhomë. Ata kanë përcaktuar pozicionet e tyre dhe e kanë dëgjuar njëri-tjetrin. Ka pasur madje edhe momente, në të cilat njëra palë i ka të njohur shqetësimet dhe qëndrimet e në palës tjetër.”

Ministri i Jashtëm sirian Valid al-Mualem

Ministri i Jashtëm sirian Valid al-Mualem

Çfarë ndodhi saktësisht në javën e fundit në sallën e negociatave XVI, një dhomë në Pallatin e vjetër të Kombeve në Gjenevë, për këtë të pranishmit heshtin dhe nuk nxjerrin informacione jashtë. Të dy delegacionet erdhën përmes hyrjeve të veçanta, shmangën fotot e përbashkëta dhe komunikuan vetëm në mënyrë indirekte, përmes ndërmjetësuesit Brahimi. Ka pasur shumë momente të "tensionuara", thotë Lakhdar Brahimi. Të dyja palët është dashur të nxirrnin shumë gjëra nga vetja, përpara se të duronin të rrinin së bashku në një dhomë. "Unë mendoj se ishte e nevojshme që të dyja palëve t'u jepej mundësia për të shprehur ndjenjat, shpresat dhe frikërat, edhe nëse kjo herë pas here ka ndodhur me fjalë shumë të ashpra."

Fjala është argjend, heshtja flori?

Edhe pse nuk kanë folur direkt me njëri-tjetirn, së paku kanë heshtur së bashku. Të enjten të dyja palët mbajtën së bashku një minutë heshtje për të vrarët në luftën në Siri. Më shumë 100 000 jetë njerëzish ka marrë konflikti në Siri, të dhëna më të sakta nuk ka. Përveç kësaj lufta ka bërë refugjatë 2,4 milionë sirianë dhe përveç kësaj ka lëvizur nga shtëpitë e tyre brenda Sirisë 6,5 milionë njerëz.

Emëruesi më i vogël i përbashkët

Raporte të shumta të pavarura, si ai i Komisionit Hetimor të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për Sirinë, bëjnë fare qartë përgjegjës qeverinë e Asadit për viktimat e luftës dhe vuajtjet e popullsisë civile. Por edhe disa grupe rebele dyshohet se kanë kryer krime lufte. Në këtë kuadër, është e vështirë të krijosh lidhje midis palëve në konflikt. Ndërmjetësuesi Brahimi e sheh emëruesin më të madh të përbashkët në deklaratën përfundimtare të konferencës të parë të Gjenevës për Sirinë, të mbajtur në qershor 2012. Dëshira për t'i dhënë fund dhunës dhe për një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit është e përbashkët për të dyja palët.

Luai Safi, zëdhënës i Koalicionit Nacional

Luai Safi, zëdhënës i Koalicionit Nacional

Siç pritej palët në konflikt në deklaratat e tyre përfundimtare nxituan të theksonin atë, që i ndan, duke treguar hendeqet e thella mes tyre. Ministri i Jashtëm sirian Valid al-Muallem nuk tha para gazetarëve asnjë fjalë pozitive, as për bisedimet dhe as për bashkëbiseduesit. "Më vjen keq që duhet t'ju informoj se nuk kemi arritur rezultate të prekshme", tha ai. Muallem bën përgjegjëse opozitën, "palën tjetër", siç e quan ai. E cila nuk do të flasë për asgjë tjetër, veçse për krijimin e një qeverie kalimtare. Ashtu si në Montreux ministri i jashtëm Moallem u mohoi përfaqësuesve të opozitës të gjithë legjitimitetin. "Nuk ka opozitë të moderuar", deklaroi ai, “ka vetëm organizata terroriste."

Ftesa për në Gjenevë

Edhe opozita u tregua e papajtueshme, por ajo pa një sukses të vogël në faktin, se qeverisë për herë të parë iu desh të ulej në një tavolinë me përfaqësuesit e rebelëve dhe të dëgjonte kërkesat e tyre. Koalicioni Nacional, aleanca më e madhe opozitare siriane, është vlerësuar dukshëm duke u ftuar në Gjenevë. Ky është shpërblimi për luftën aktive kunder presidentit Asad, thotë Luai Safi, zëdhënës i Koalicionit Nacional, në Gjenevë "Fakt është, që regjimi ka qenë i detyruar të vijë në Gjenevë dhe të flasë me opozitën, e cila përfaqëson shpresat e sirianëve, sepse populli sirian është ngritur në revoltë.

Paqja do kohë

Pas një ndërprerjeje njëjavore bisedimet për Sirinë do të hyjnë në në fazën e dytë me 10 shkurt. Kësaj radhe me rend konkret dite dhe me një listë të përgatitur të temave për diskutim. Mbetet e diskutueshme, nëse ky takim pasues do të sjellë rezultate, përderisa regjimi i Asadit nuk merr masat për krijimin e besimit, të cilat kërkohen nga të gjitha palët. Kështu deri tani bisedimet e Gjenevës nuk kanë sjellë hyrjen e misioneve humanitare në Siri, as shkëmbim të të burgosurve dhe as armëpushim.

Gjatë tetë ditëve sa zgjatën bisedimet e Gjenevës në Siri humbën jetën 1900 vetë, siç njofton Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Ndërmjetësuesi i OKB-së Lakhdar Brahimi nuk e fsheh faktin, se rezultatet e bisedimeve janë shumë modeste: "Të gjithë sirianëve që janë zaptuar nga kjo luftë e tmerrshme, duhet t'u duket shumë e ngadaltë puna jonë“, pohon ai. "Unë e kuptoj këtë dhe ju keni të drejtë, por ne duam të zgjidhim problemet themelore, që e kanë shkaktuar këtë luftë dhe vazhdojnë ta bëjnë. Dhe për këtë për fat të keq duhet kohë.“