1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bilanc i presidencës së Horst Këler-it

Postin e presidentit të nëntë të Gjermanisë qysh nga viti 2004 e mban Horst Köhler, i cili u zgjodh si kandidati i propozuar nga partitë unioniste dhe liberale. Një bilanc i mandatit pesë vjeçar të presidentit Köhler

Presidenti federal i Gjermanisë, Horst Këler rikandidon për mandatin e dytë presidencial. Ne foto: Horst Këler

Presidenti federal i Gjermanisë, Horst Këler rikandidon për mandatin e dytë presidencial

"Ai nuk do të paraqesë diçka tjetër përveç asaj që është, ai është i sinqertë"

Bilanci i mandatit të një presidenti nuk matet me realizimin e reformave të sukseshme, me ligjet e rëndësishme apo me përballimin e krizave qeveritare. Në radhë të parë puna e presidentit vlerësohet nga prestigji që ka fituar ai në popull. Në këtë drejtim Horst Këler (Köhler) ka arritur shumë. Dy të tretat e gjermanëve duan që ai të mbetet në post. Burri i parë i shtetit është njëkohësisht edhe politikani më i dashur në vend.

"Ndoshta, sepse ai nuk bën bujë për të tërhequr vëmendjen si i rëndësishëm, sepse ai nuk do të paraqesë diçka tjetër, përveç asaj që është, ai është i sinqertë", kështu shkruan gazeta "Süddeutsche Zeitung" për Këler-in.

Kancelarja Merkel reagoi e kënaqur kur Këler deklaroi, se do të kandidojë për herë të dytë:

"Ai, besoj unë, u ka hyrë në zemër njerëzve në Gjermani këto vitet e fundit. Kësaj ia ka arritur me mënyrën e çiltër si u drejtohet njerëzve dhe me mënyrën se si ai i nxjerr në pah edhe të vërtetat e pakëndshme."

Berlini politik është hakmarrë ndaj Këlerit duke e shpotitur jo drejtpërdrejt si "një drejtor banke kursimesh"

Ai ka fituar pikë simpatie në popull me kritikën herë më shumë e herë më pak të drejtpërdrejtë ndaj politikës, jo me këmbë në tokë të Berlinit. Berlini politik është hakmarrë ndaj tij duke e shpotitur kreun e shtetit, megjithëse jo drejtpërdrejt si "një drejtor banke kursimesh". Faktikisht Këleri ka drejtuar për vite të tëra Lidhjen e Arkave gjermane të Kursimit. Ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij, Këleri është doktoruar në ekonomi dhe përpara zgjedhjes nuk ka qenë i angazhuar si politikan, por si nëpunës i nivelit të lartë, së fundi si President i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ai është disi i huaj në biznesin e politikës së Berlinit

Edhe sot e kësaj dite ai është disi i huaj në biznesin e politikës së Berlinit. 66 vjeçari nuk ka shkëlqyer përmes vizioneve të mëdha apo fjalimeve elektrizuese. Ai nuk është orator i mirë, një mangësi e madhe kjo për një president, prej të cilit i gjithë orientimi pritet nga fjala. Këleri e kompenson këtë me punë, me përpjekjet e spikatura për të gjetur përgjigje ndaj problemeve, me kureshtje të sinqertë atje ku politikanët me stazh të gjatë shtiren sikur tregojnë interes rutinë.

"Do të ishte një risk më i vogël të ndërtohej një linjë hekurudhore mespërmes Afrikës, se sa të investoje në një bankë prestigjoze investimesh në Nju Jork."

Brenda vendit ai është angazhuar veçanërisht për një arsimim më të mirë të të rinjve, duke përfshirë edhe të rinjtë emigrantë. Në planin ndërkombëtar ai ka tematizuar sfidat e globalizimit, thellimin e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve në botë. Angazhim të veçantë ka pasur Këleri për Afrikën, ku ka udhëtuar shpesh:

"Për mua humanizmi në botë vlerësohet ne fatin e Afrikës. Ne e dimë sot: do të ishte një risk më i vogël të ndërtohej një linjë hekurudhore mespërmes Afrikës, se sa të investoje në një bankë prestigjoze investimesh në Nju Jork."

Deklarimi i tij, se do të jetë një president jo komod, është vënë në jetë. Dy herë ai ka refuzuar të nënshkruajë ligje të koalicionit qeverisës me bazë të gjerë (të përbërë nga dy partitë e mëdha kristiandemokrate/kristiansociale dhe ajo socialdemokrate). Disa herë të tjera ai ka dyshuar në kushtetueshmërinë e ligjeve, por vendimin e fundit ia ka lënë Gjykatës Kushtetuese.

Etiketa si "neoliberal" e Këler-it është zbehur kohët e fundit

Veprimi më i rëndësishëm i Këler-it gjatë mandatit presidencial ka qenë shpërndarja e Bundestagut (parlamenti gjerman) në korrik 2005 me kërkesën e parardhësit të kancelares Merkel, Gerhard Schröder. Fakti që kancelari Schröder më parë inskenoi me vetëdije dështimin e mocionit të votëbesimit në Bundestag, dëmtoi dinjitetin e parlamentit. Megjithatë Këler-i dha dritën e gjelbër për zgjedhje të reja. Por edhe shumica e gjermanëve kështu do të kishte vendosur.

Etiketa si "neoliberal", që i ka mbetur Këler-it nga e kaluara e tij si shef i FMN-së, është zbehur kohët e fundit. Fjalimi i tij në Berlin lidhur me krizën financiare dhe ekonomike në mars të 2009-s ishte një pretencë për një shtet të fortë, i cili duhet t' i vendosë rregulla tregut, sepse liria e pakufizuar bart shkatërrim. Këleri gjithnjë e më shumë ka dyshim nëse zhvillimi ekonomik është "zgjidhja e problemit dhe nxitësi i paqes" dhe madje ai shfaq simpati për një New Green Deal.

Autor: Bernd Gräßler/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi


  • Data 22.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HvCh
  • Data 22.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HvCh