1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bilanc i përzierë - Pas 11 shtatorit 2001 lufta kundër terrorit ka dështuar në luftimin e shkaqeve

Shtatë vjet pas atentateve të 11 shtatorit, terrorizmi ndërkombëtar është reduktuar por nuk është mundur. Për fitoren janë të nevojshme edhe suksese të tjera, jo vetëm ushtarake.

World Trade Center, niveli zero, 5 shtator 2008

World Trade Center, niveli zero, 5 shtator 2008

Kanë kaluar tashmë shtatë vjet nga tronditja e 11 shtatorit. Shtatë vjet gjatë të cilave pamjet e tmerrshme të kullave në rrëzim të Qendrës Botërore të Tregtisë nuk janë shuar nga kujtesa jonë. Në SHBA viktimat nuk janë harruar edhe pse vendi qysh atëherë ka ndryshuar. Ideja e sigurisë maksimale rëndon mbi mbi liritë individuale. Amerika e lirë është shndërruar në "aparatin e sigurisë prodhuar në SHBA". Ashtu si në shumë raste të tjera edhe këtu SHBA u bënë model për vendet e tjera. Por këtu lind edhe pyetja: ku mbaron e logjikshmja dhe e domosdoshmja dhe ku fillon teprimi? Kjo ka të bëjë me përgjimin e shtetasve, përsosjen e metodave të përgjimit, kontrollet e sigurisë në transportin ajror. Në trajtimin e të burgosurve SHBA nuk ishin një shembull në respektimin e të drejtave të njeriut as në Abu Graib dhe as në Guantanamo.

Megjithatë bashkësia ndërkombëtare nën trysninë e amerikanëve ka ndërmarrë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar me efikasitet terrorizmin e organizuar, duke filluar nga lufta e Afganistanit kundër talebanëve. Ekspertët e shërbimit sekret janë të mendimit se një atentat si ai i 11 shtatorit në këtë moment nuk mund të përsëritet. Shkaku kryesor është se sukseset në luftën kundër El Kaidës e kanë mbajtur vazhdimisht nën trysni strukturën ndërkombëtare të saj dhe terroristët mund të veprojnë shumë pak hapur në bazat e tyre të tërheqjes, si p.sh. në zonën kufitare mes Pakistanit dhe Afganistanit.

Shtete të tjera si Libia janë distancuar tashmë hapur nga terrorizmi dhe edhe në vende si Jemeni, Siria apo Arabia Saudite rrjetet dhe bazat e financimit të rrjetit terrorist të paktën përkohësisht janë nxjerrë jashtë funksionimit. Por ka edhe hapa prapa: në Afganistan prej një kohe të gjatë vihet re një riforcim i talebanëve dhe depërtim i tyre në veriun deri tani të qetë të vendit. Në Algjeri përkrahës të El Kaidës sërisht u bënë të gjallë gjatë muajit të Ramazanit me atentate të përgjakshme. Aleancat e supozuara në luftën kundër terrorizmit si ato me Kinën apo Rusinë kanë rezultuar të dobëta veçanërisht në ato raste kur atje tensionet etnike nën pretekstin e luftës kundër terrorzimit janë shtypur me dhunë të ashpër ushtarake.

Ekspertët e sigurisë tërheqin veç kësaj vëmendjen se terroristët nuk kanë qenë asnjëherë më pranë posedimit të armëve bërthamore se sa tani.

Por problemi më i madh qëndron në faktin se varfëria dhe mungesa e perspektivës e shtresave të gjera të popullsisë në shumë shtete islamike përbëjnë një terren shumë pjellor për terrorizmin. Çdo i papunë më shumë në Afganistan i cili është i detyruar të ushqejë familjen përmes punës në fushat e opiumit luan lojën e talebanëve dhe minon punën e misionit ISAF. Vetëm nëse Perëndimi ia del mbanë të përmirësojë kornizën sociale në vende si Pakistani apo Afganistani mund të kurorëzohet nga suksesi afatgjatë lufta kundër terrorizmit. Por prej kësaj edhe shtatë vjet pas 11 shtatorit jemi fatkeqësisht ende shumë larg.

  • Data 11.09.2008
  • Autor Daniel Sheshkevic
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FFxs
  • Data 11.09.2008
  • Autor Daniel Sheshkevic
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FFxs