1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bilanc i bashkëpunimit gjermano-shqiptar 2009

Intervistë me ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchardt.

Ambasadori Bernd Borchardt

Ambasadori Bernd Borchardt

DW: Zoti Borchardt, cilat ishin disa nga momentet më të veçanta të bashkëpunimit mes Gjermanisë dhe Shqipërisë në 2009-tën?

Borchardt: Fillimisht më lejoni t'u uroj dëgjuesve tuaj shumë mbarësi në vitin të Ri që po vjen. Ne kemi nënshkruar më 28 dhjetor 2009 një marrëveshje dypalëshe, në kuadër të së cilës vëmë në dispozicion mbi 90 milion euro për zgjerimin e furnizimit me energji në Shqipëri: për linjën e transmetimit me Kosovën dhe për rinovimin e linjës unazore përmes Shqipërisë së Jugut. Kjo ngjarje shënoi një moment të rëndësishëm. Gjithashtu, para disa muajsh pata kënaqësinë të informoja qeverinë shqiptare që krahas këtyre 90 milion eurove ne do të vëmë në dispozicion edhe 36 milion euro të tjera për sektorët e furnizimit me energji dhe ujë të pijshëm, menaxhimin e ujërave të zeza, mbi 1 milion euro për fushën e shëndetsisë, mbi 1 milionë euro për sigurinë e kufijve dhe luftën kundër krimit të organizuar etj. Në tërësi bashkëpunimi dypalësh gjermano-shqiptar në kuadër të politikave të zhvillimit është zgjeruar shumë gjatë vitit të fundit. Qysh nga fundi i vitit 2008 ne kemi arritur në një volum prej afro 130 milion euro të vëna në dispozicion nga Gjermania. Veç kësaj gjatë vitit 2009 arritëm pothuaj të dyfishojmë numrin e bursave duke e çuar në afro 100. Të gjitha këto i shërbejnë objektivit kryesor për të dy vendet, përgatitjes së Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.

Më ka pëlqyer shumë edhe „Tetori Gjerman“ të cilin mundëm ta përjetonim sërish këtë vjeshtë. Këtë vit, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, e vumë theksin mbi shkëmbimin e eksperiencave me rënien e komunizmit 20 vjet më parë.

Fusha e tretë ku kam përjetuar hapa të rëndësishme përpara është ajo ekonomike: Kompania gjermane Dermapharm ka blerë Profarmën shqiptare dhe ka nisur një proces të gjerë modernizimi, grupi Lindner nga Mynihu ka nisur me ndërtimin e një qendre të madhe biznesi dhe logjistike në afërsi të aeroportit, Hochtief ka zgjeruar më tej Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, rrjetet e supermarketeve gjermane Rossmann dhe Praktiker tashmë janë të përfaqësuara në tregun shqiptar, procesi i ngarkim-shkarkimit në portin e Durrësit menaxhohet nga firma gjermane EMS Shipping. Veç këtyre ka ende shembuj të tjerë.

DW: Duke bërë bilancin e vitit për zhvillimet në Shqipëri në kulm është anëtarësimi i vendit në NATO. Ndërkohë që tani objektivi madhor i radhës është hyrja në BE. Autoritetet kanë shpallur si prioritet kryesor liberalizimin e vizave. Sa afër dhe sa larg është Shqipëria nga arritja e këtij synimi?

Borchardt: Do të duhet të kalojë ende pak kohë deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Tashmë Shqipëria sapo ka marrë pyetësorin e Komisionit, të cilin Komisioni do ta vlerësojë. Pas përgjigjes së pyetjeve të tjera eventuale Komisioni mund t'u propozojë vendeve anëtare t'i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Unë mendoj, se kjo do të ishte e vështirë duke konsideruar kushtet aktuale politike në vendin tuaj. Le të supozojmë një herë, se gjendja e brendshme politike është qetësuar deri në fund të vitit 2010 dhe qytetarëve të BE-së mund t'u thuhet se Shqipëria ndodhet në rrugën e duhur, atëherë vendeve anëtare do t'u duhet të marrin vendimin. Më pas vjen një vendim tjetër për të nisur eventualisht negociatat e pranimit me Shqipërinë. Nëse merrni parasysh periudhën e negociatave me shtetet e tjera, ajo arrin në 5 deri 6 vjet. Pas kësaj parlamentet e vendeve anëtare duhet të ratifikojnë pranimin.

Çështja e liberalizimit të vizave do të shtrohet më parë. Komisioni së bashku me vendet anëtare do të dërgojnë në pranverën e vitit 2010 një delegacion ekspertësh, i cili do të verifikojë, nëse Shqipëria i përmbush kushtet e të ashtuquajturit „udhërrëfyes“ ( road map). Vetëm gjatë vitit 2009 Gjermania i ka vënë në dispozicion Shqipërisë ndihma me një vlerë prej mbi 1 milion eurosh për të mbështetur vendin tuaj në plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafikut të qënieve njerëzore dhe lëndëve narkotike dhe përmirësimin e menaxhimit të kufijve. Në fushën e menaxhimit të kufijve duket se janë arritur rezultate të mira, gjithashtu edhe lidhur me pasaportat biometrike kam dëgjuar lajme pozitive. Megjithatë vlerësimi në fund u takon ekspertëve. Por fatkeqsisht në fushat e tjera po dëgjoj edhe lajme të këqija: Në fushën e korrupsionit Transparency International ka konstatuar një përkeqësim të gjendjes, në fushat e luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave vlerësimi i Komisionit të BE-së për Shqipërinë në vjeshtën e 2009-ës ishte ende shumë kritik, edhe në fushën e trafikimit të qënieve njerëzore ekpertët kanë arritur në rezultate më negative se në të shkuarën. Jam i kënaqur, që qeveria shqiptare lidhur me këtë synon të marrë masa të tjera dhe personalisht do të gëzohesha për miqtë e mi shqiptarë, nëse këto masa do të rezultonin të suksesshme, në mënyrë që Komisioni të rekomandojë heqjen e regjimit të vizave që në vitin 2010.

DW: Zoti ambasador, megjithëse zgjedhjet parlamentare kanë afër 6 muaj që kanë mbaruar, dy partitë kryesore duket se janë ende në fushatë elektorale. Parlamenti vazhdon me vende të paplotësuara nga opozita, ndërkohë që kohët e fundit komunikimi në distancë ka qënë i ashpër. Si i vlerësoni ju këto zhvillime?

Borchardt: Partitë politike në Shqipëri duhet të gjejnë një zgjidhje për problemet e vendit tuaj. Bashkimi Evropian ka formuluar në vitin 1993 të ashtuquajturat „Kritere të Kopenhagës“, të cilat përcaktojnë kushtet themelore të pranimit. Ndër kushtet kryesore përfshihen stabiliteti politk dhe pjekuria demokratike. Por nëse situata e tanishme politike do të vijojë më tej, atëherë rriten rreziqet për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE. Do të më vinte keq, nëse vendi juaj do të mbetej prapa vendeve të tjera të rajonit. U rekomandoj partnerëve të mi politikë në Shqipëri të shfaqin më qartë vullnet të dukshëm politik, të jenë të gatshëm t'i drejtohen njëri-tjetrit dhe të zgjidhin problemet politike në vendin tuaj. Këtu nuk ka vend as për ultimatume, as për kërcënime të fshehta dhune, apo sulme personale. Ministrat e Jashtëm të BE-së u kanë kërkuar të gjitha partive politike të zhvillojnë një dialog politik konstruktiv edhe në parlament.

Kolegu im danez ka thënë në një intervistë të para pak kohëve që situata në parlament është një “simptomë” e problemeve në Shqipëri, por jo “sëmundja” prej nga vinë ato. Unë e mbështes këtë analizë. Problemi është mosbesimi i thellë midis blloqeve politike dhe përkundrejt institucioneve. Ky mosbesim mund të kapërcehet vetëm përmes reformimit të institucioneve dhe bashkëpunimit në mirëbesim mes grupimeve politike veçanërisht në kuadër të reformave. Këto reforma dhe ky bashkëpunim në demokraci janë të realizueshme, por vetëm brenda Parlamentit.

Bojkotimi i parlamentit nuk mund të çojë në afrim apo zgjidhje. Bojkoti është faktor që nxit antagonizmin. Dhe motivin më të rëndësishëm të bojkotit unë e shoh në besimin e humbur, i cili nuk mund të rikrijohet nëse secila prej palëve fiksohet ngurtësisht në pozicionet e veta dhe kërkon domosdoshmërisht të fitojë. Kjo mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit dhe kompromiseve. Qeveritë mbajnë përgjegjësinë kryesore për gjendjen në vendet e qeverisura prej tyre. Një hap i qartë i qeverisë drejt opozitës do të ishte ndoshta një hap i parë për të rindërtuar gradualisht besimin e humbur në “anën tjetër”.

DW: Të kthehemi sërish tek marrëdhëniet mes dy vendeve. Për vitin 2010 dhe në vazhdim cilat do të jenë fushat prioritare të mbështetjes së Gjermanisë për Shqipërinë?

Borchardt: Para pak javësh kemi zhvilluar bisedime me qeverinë shqiptare lidhur me bashkëpunimin e mëtejshëm në vitin 2010. Ramë dakord për të vijuar bashkëpunimin në fushat e ujit të pijshëm dhe menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbetjeve urbane, energjisë dhe zhvillimin afatgjatë social të ekonomisë. Aktualisht jemi duke shqyrtuar një angazhim në të ardhmen në fushën e eficiencës së energjisë në ndërtesat publike, financimin e energjive të rigjenerueshme dhe transmetimin e energjisë. Veç kësaj, pak para Krishtlindjeve, një delegacion i Ministrisë sonë të Shëndetsisë zhvilloi një vizitë në Tiranë. Kjo ministri është shprehur gjithashtu e gatshme të angazhohet më shumë në vend duke bashkëpunuar me Ministrinë shqiptare të Shëndetsisë. Veç kësaj: Duke qenë se viti 2009 u karakterizua si në Gjermani dhe në Shqipëri nga fushatat elektorale, ne si ambasadë po përpiqemi që vitin e ardhshëm të intensifikojmë më shumë dialogun politik dypalësh.

Intervistoi: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 30.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LHBF
  • Data 30.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LHBF