1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bie shkëmbimi tregtar mes Kosovës dhe Maqedonisë

Maqedonia dhe Kosova në gjysmën e parë të këtij viti kanë shënuar rënie drastike në këmbimin tregtar. Sipas Odave Ekonomike të Maqedonisë, arsye kryesore për humbjen e tregut është mungesa e infrastrukturës rrugore.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës ka shënuar rënie për 18.6%. Nga 307 milion dollarë të vlerës së përgjithshme që është shënuar gjatë vitit të kaluar, në të njejtën periudhë të këtij viti shkëmbimi tregtar ka aritur vlerë prej 250 milion dollarë. Humbja e tregut kosovar do t'i kushtojë shumë zhvillimit ekonomik të Maqedonisë meqë ekonomia vendase duhet të fokusohet në tregun rajonal, thonë ekspertët. Këmbimi pozitiv ekonomik mes dy vendeve në të kaluarën gjithnjë e më shumë ka të bëjë me kontaktet direkte të biznesmenëve nga Maqedonia dhe Kosova dhe jo si rezultat i një bashkëpunimi tradicional mes dy qeverive, thotë analisti për çështje ekonomike Visar Ademi. Maqedonia me Kosovën ka një suficit të madh që arrin vlerën prej 220 milion dollarësh dhe kjo mund t'i kushtoj shtrenjtë ekonomisë vendase, thotë Menderez Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore. “Nuk janë gjithmonë vlerat ato që duhet të na shqetësojnë ne, duhet të na shqetësoj edhe një fakt tjetër se po humbim një treg potencial të cilin nuk mund ta kthejmë nesër“, vlerëson Menderez Kuçi.

Autostrada do të përmirësonte kushtet për rritjen e shkëmbimit tregtar

Rënia e këmbimit tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës është analizuar edhe nga përfaqesues të Odës Ekonomike të Maqedonisë. Ata si arsye për këtë rënie theksojnë krizën globale ekonomike, hapjen e autostradës Kosovë-Shqipëri si dhe mungesën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore midis dy vendeve. “Me hapjen e autostradës Kosovë-Shqipëri një pjesë e kompanive kosovare u drejtuan kah Porti i Durrësit, kurse më parë transitonin në Maqedoni drejt Portit të Selanikut”, thotë Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë. Sipas tij me ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë dukshëm do të përmirësohen kushtet për rritjen e shkëmbimit tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës.

Kërkohet hapja e vendkalimeve të reja kufitare

Kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë Mirçe Çekrexhi, thotë se qeveritë e dy vendeve duhet të ofrojnë mbështetje logjistike për një infrastrukturë moderne e cila do të mundësonte qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve. Edhe pse disa herë është paralajmëruar hapja e vendkalimeve të reja kufitare midis Maqedonisë dhe Kosovës një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur thotë Çekrexhi. “Nga Prishtina duhet të hapen vendkalime të reja kufitare të cilat do të funksionojnë konform standardeve evropiane. Jo më pak i rëndësishëm është edhe funksionimi i pandërprerë i linjës hekurudhore midis dy vendeve”, shprehet Çekrexhi.

Maqedonia dhe Kosova së shpejti duhet të firmosin marreveshje të re për sigurimin e investimeve, gjë që do të kontribojë për të njejtin trajtim të kompanive nga të dy vendet gjatë kryerjes së punëve publike.