1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bie konsumi i kanabisit - raporti i BE për drogat 2009

Sipas vlerësimeve të qendrës së BE-së për vrojtimin e drogave (shkurt: EBBD), konsumi i kanabisit është në rënie. Konsumi i heroinës megjithatë ka shënuar rritje. Kjo rezulton nga raporti për drogat 2009 i EBDD-së.

Konsumi i kanabisit ka rënë

Konsumi i kanabisit ka rënë

Kanabis, kokainë dhe heroinë - këto droga përcaktojnë skenën e narkotikëve në Bashkimin Evropian. Raporti vjetor i qendrës së BE-së për vrojtimin e drogave dokumenton se gati një e kartërta e personave në moshë madhore kanë konsumuar dikur gjatë jetës kanabis. Rreth 4 milionë evropianë në vit përdorin kokainë dhe përfitojnë edhe nga ulja e çmimeve. Ndërsa heroina është droga që shkakton numrin më të madh të vdekjeve. Por krahas këtyre lëndëve të njohura narkotike, ekspertët i shqetëson një numër i madh produktesh të reja. Produkte të cilat përmbajnë përbërës që shkaktojnë varësi por që nuk janë ende të ndaluar. Shefi i autoritetit të BE-së për vrojtimin e konsumit të drogave, Wolfgang Götz, flet për zhvillime tejet shqetësuese:

" Ekziston një paletë e gjerë produktesh të reja të cilat hidhen në treg me metoda mjaft agresive e madje shpesh përmes internetit. Tregtarët janë shumë të shpejtë në shmangien e kontrolleve dhe ndalimeve ..."

Një shembull: Spice është një produkt, i cili doli në treg në formën e shkopinjve që lëshojnë tym aromatik. Por ai përmban kanabionide të prodhuara artificialisht të cilat kanë efekt shumë më të fortë se kanabisi. Në disa vende përfshirë edhe Gjermaninë kjo drogë moderne është ndaluar. Por sipas ekspertëve të BE-së në treg ofrohen ndërkohë të paktën 27 lëndë zëvendësuese, me gjasë me bazë bimore. Kjo bëhet shumë shpesh përmes internetit, i cili po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një treg të rëndësishëm për drogat. Gjithsej 115 tregtarë online ofrojnë produktet e tyre, 15 për qind e tyre vijnë nga Gjermania.

Ekspertët e BE-së për drogat paralajmërojnë edhe ndaj një tendence tjetër: konsumi i shumëfishtë. Gjithnjë e më shumë të rinj evropianë nuk përdorin vetëm një drogë të lejuar apo të paligjshme, por bëjnë përzierje: tymosin kanabis duke pirë birrë dhe marrin edhe një tabletë ecstasy.

" Një problem thelbësor është kombinimi i drogave me alkoolin. Veçanërisht tek të rinjtë konsumi i alkoolit deri në gjendje kome shoqërohet shpesh me përdorimin e drogave. Të varurit nga drogat në shumicën e rasteve kanë edhe varësi nga alkooli."

Komisioni i BE-së e shfrytëzoi prezantimin e raportit vjetor për t'u bërë thirrje vendeve anëtare të bashkëpunojnë më mirë në luftën kundër drogave. Carel Edwards, shef i njësisë antidrogë i Komisionit të BE-së, thotë:

" Në BE ne kemi në duar mjete për të reduktuar kriminalitetin përtej kufijve kombëtarë, p.sh. përmes Europolit, autoritetit evropian të policisë dhe autoritetit për drejtësinë Eurojust."

Sipas Edward, këto autoriteve ndërevropiane duhet të angazhohen më mirë në luftën kundër drogave. Vendet anëtare duhet të heqin dorë nga përpjekjet për ta zgjidhur problemin në plan kombëtar.

Autor: Birgit Schmeitzner/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 06.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KPxU
  • Data 06.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KPxU