1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bie interesimi i serbëve për integrim në BE

Rrallë herë ka qenë interesimi i serbëve për integrime evropiane më i ulët se tani. Vetëm rreth gjysma e tyre mbështesin hyrjen e vendit të tyre në BE, thuhet në hulumtimet e kryera në fund të vitit të kaluar.

Herman Van Rompuy dhe BorisTadiq.

Tadiqi dhe Van Rompuy. qytetarët serbë nuk u besojnë shumë.

Vetëm 51 % e serbëve janë të mendimit se Serbia e ka vendin në Bashkimin Evropian, 28 % janë kundër, ndërsa 18 % nuk do të votonin fare në ndonjë referendum për anëtarësim në BE, thuhet në hulumtimet e bëra në dhjetor të vitit 2011.

Krahasuar me hulumtimin e kryer gjashtë muaj më parë, interesimi i serbëve për procesin e integrimeve evropiane ka rënë për 2 %. Drejtorja e Zyrës së qeverisë serbe për integrime evropiane Milica Deleviq deklaroi në një konferencë shtypi në Beograd se rënia e interesimit në Serbi për BE-në është pasojë e reagimeve emocionale të qytetarëve, sipas asaj që "kur dhelpra nuk e mbërrin rrushin, thotë lëre se është i thartë..."

Pamje nga votimet.

Gati gjysma e serbëve nuk do të votonte për integrim në BE.

Hulumtimi në Serbi është kryer me 22 Dhjetor, pra pak kohë pas përgjigjes negative nga samiti i Bashkimit Evropian, i cili nuk i dha Serbisë statusin e kandidatit për anëtarësim. Por interesimi i qytetarëve të Serbisë për integrimet evropiane është në rënie në vitet e fundit.

Kosova si kusht për integrim në BE

Më të vendosurit në qëndrimet e tyre janë ata të cilët kundërshtojnë anëtarësimin e Serbisë në BE. 23 % prej tyre thonë se BE-ja nuk i sjell qytetarëve të Serbisë asgjë të mirë. Të anketuarit më së shumti (53 % prej tyre) fajësojnë qeverinë dhe institucionet e Serbisë për mos marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.

Deleviq bëri të ditur se mbi 70 % e të anketuarve janë të mendimit se Kosova është kushti kryesor i Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit. Ndërkohë që 75 % prej tyre mendojnë se problemet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet zgjidhur, pavarësisht procesit të integrimit në BE.

Një numër i madh i serbëve mbështet edhe reformat në këtë vend. Rreth 85 % e qytetarëve thonë se reformat duhet të kryhen edhe në qoftë se kjo nuk kërkohet prej Brukselit dhe Bashkimit Evropian.

Rëndësia e statusit të kandidatit

Dikur vetëm radikalët dhe Shesheli ishin kundër.

Dikur vetëm radikalët dhe Shesheli ishin kundër.

Statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, do të thoshte për shumicën e qyetarëve të Serbisë një jetë më të mirë. Kohët e fundit është shtuar edhe numri i atyre që mendojnë se me fitimin e statusit të kandidadit do të përmirësohej imazhi i Serbisë në bashkësinë ndërkombëtare. Poashtu shumica mendon se BE-ja ofron më shumë mundësi për vende të reja pune, ofron një perspektivë më të mirë për të rinjtë dhe hap mundësi për udhëtime në vendet tjera.

Përkundër këtyre përparësive të mundshme, në Serbi brenda një viti ka rënë me 6 % mbështetja e procesit të integrimeve evropiane. Në dhjetor të vitit 2010 e kanë mbështetur këtë proces mbi 57 % e qytetarëve, ndërsa një vit më vonë vetëm 51 %. Mbështetja aktuale e procesit të integrimeve është më e ulëta që prej vitit 2002, kur janë bërë hulumtimet e para të këtij lloji.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani