1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Biden: Do të pengojmë Iranin që të prodhojë armë bërthamore

Konfliktet në Siri dhe Mali në qendër të konferencës së sigurisë që fillon këtë premte (01.02) punimet në Mynih. Një temë tjetër është edhe programi bërthamor i Iranit.

default

Joe Biden

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden ka mbërritur të premten për një vizitë të shkurtër në Berlin. Në qendër të bisedimeve në takimin me kancelaren gjermane Angela Merkel (CDU) do të jenë çështjet aktuale ndërkombëtare dhe marrëdhëniet dypalëshe. Temë diskutimi në takimi pritet të jetë edhe përpjekjet  për arritjen e një marrëveshje të tregtisë së lirë mes Evropës dhe SHBA.

Merkel und Biden Archivbild 07.02.2009

Merkel dhe Biden

Përveç kësaj është e mundur që Merkel dhe Biden të diskutojnë edhe për një vizitë të mundshme të presidentit amerikan Barack Obama në Berlin. Obama ka qenë njëherë para fillimit të mandatit të tij presidencial në verën e vitit 2008 në kryeqytetin gjerman, qysh atëherë nuk ka vizituar më Berlinin.  

Edhe për Joe Biden kjo është vizita e parë zyrtare në Berlin. Pas takimit me Merkel ai vazhdon udhëtimin e tij për në Mynih ku do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të sigurisë.

Biden: Do të pengojmë Iranin që të prodhojë armë bërthamore

Ndërkohë para fillimit të konferencës ndërkombëtare të sigurisë SHBA ka kërcënuar Iranin në konfliktin bërthamor, duke kërkuar njëkohësisht nga ai rifillimin e negociatave. Nënpresidenti Joe Biden i tha gazetës "Süddeutsche Zeitung" se SHBA do të pengojnë Iranin që të prodhojë një armë bërthamore. Ende ka kohë dhe hapësirë për diskutime dhe negociata të drejtpërdrejta. Por kjo dritare nuk do të mbetet e hapur në një kohë të pacaktuar, tha Biden. Programi bërthamor i Iranit  konsiderohet si një nga problemet e sigurisë që kërkojnë zgjidhjen më urgjente në mbarë botën.

Logo der Münchner Sicherheitskonferenz

Logoja e konferencës ndërkombëtare të sigurisë në Mynih

Konfliktet në Siri dhe Mali në qendër të konferencës së sigurisë

Në kuadër të konferencës ndërkombëtare të sigurisë pritet që SHBA, Rusia dhe Kombet e Bashkuara të takohen me përfaqësuesit e opozitës siriane për tu këshilluar për luftën civile në Siri. Takimi është paraparë të zhvillohet të shtunën, u njoftua të premten (01.02.) nga qarqet siriane kundërshtare të qeverisë. Në këshillime pritet të marrin pjesë nënkryetari amerikan Joe Biden, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i dërguari special i Kombeve të Bashkuara në Siri, Lakhdar Brahimi si dhe presidenti i Koalicionit Kombëtar Sirian në opozitë, Muas Alchatib. Rusia është një prej aleateve të fundit të qeverisë në Damask dhe ka bllokuar disa herë deri tani rezolutat për Sirinë në KS të OKB-së.

Konfliktet në Siri dhe Mali ndodhen në qendër të konferencës së sigurisë që këtë premte (01.02) fillon punimet në Mynih. Sipas të dhënave të sekretares amerikane të shtetit në largim Hillary Clinton, Irani ka intensifikuar mbështetjen e tij për për presidentin sirian Bashar al Assad.  Një prej prioriteteve më të rëndësishme të Iranit është mbajtja e Assadit në pushtet, tha Clinton në Uashington në intervistën e saj të fundit para largimit nga posti i ministres së Jashtme. SHBA supozojnë që Teherani është duke dërguar tani më tepër staf për të mbështetur Assadin dhe për këshillimin e ushtrisë në Siri. Sekretarja amerikane e Shtetit largohet këtë të premte vullnetarisht nga posti i sekretares së shtetit. Pasardhës i saj është senatori demokrat dhe ish kandidati presidencial amerikan John Kerry.