1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Beyer: Kushtet, pastaj në Mars ndoshta edhe bisedimet e anëtarësimit në BE për Serbinë

Deputeti gjerman Peter Beyer, raportues për Serbinë dhe Malin e Zi në fraksionin CDU/CSU në Bundestag komenton shtyrjen e vendimit për dhënien e statusit kandidat Serbisë.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

DW: Megjithë shpresat e Beogradit, Serbia duhet të presë për statusin e vendit kandidat në BE deri vitin e ardhshëm. Ky ishte edhe pozicioni Juaj. Si e pritët këtë vendim të samitit të BE-së në Bruksel?

Peter Beyer: Në të vërtetë ky ka qenë pozicioni i fraksionit të Unionit CDU/CSU dhe pozicioni im që në këtë moment të mos i jepet statusi i vendit kandidat në BE Serbisë. Parë kështu, unë e shoh këtë vendim si konfirmim të qëndrimit tonë. Kam qenë disa herë atje. Dy gjëra themelore duhet të ndryshojnë. Pika e parë është konflikti i pazgjidhur territorial me Kosovën, ne e kemi ndjekur atë këto muaj. Megjithë përpjekjet që vëmë re, të cilat ne i vlerësojmë, sidomos ato të presidentit Tadiç, vazhdimisht  ka pasur trazira, janë qëlluar ushtarët e KFOR-it, edhe ata gjermanë, po ashtu misioni i BE-së, EULEX nuk mund të lëvizë i lirë. Të gjitha këto duhet të gjejnë një zgjidhje. Pika tjetër lidhet me sulmin ndaj ambasadës gjermane në Beograd në vitin 2008. Ende nuk është ngritur publikisht një aktpadi.

DW: Do të shkundet përfundimisht tani qeveria e Tadiçit, dhe do të vihet në lëvizje që të zbatojë marrëveshjet me palën kosovare e të zgjidhë përfundimisht konfliktin, apo mund të themi në këtë rast se dardha e ka bishtin mbrapa?

Peter Beyer: Nuk besoj. Ka qenë dhe është detyra e Beogradit dhe qeverisë së Tadiçit, por edhe e qeverisë kosovare në Prishtinë të gjejnë në tavolinën e bisedimeve zgjidhje të qëndrueshme, të bëjnë të qartë se e kanë seriozisht. Por e kuptoj se nuk është edhe aq e lehtë dhe joproblematike për presidentin Tadiç që bën punë të mirë, kam parasysh këtu zgjedhjet në Beograd pranverën e ardhshme. Do të kishte qenë më komode për të nëse kishte për të dhënë një lajm të mirë nga Brukseli...

DW: Ju po e lëvdoni Tadiçin për punën e tij, nuk ka mjaftuar kjo me sa duket?

Peter Beyer: Tadiç edhe pse është kreu i shtetit dhe me influencë është vetëm një zë - por me sa duket influenca e tij nuk është aq e gjerë, saqë të ndikojë tek strukturat në kufirin e Serbisë me Kosovën për të bërë realitet kërkesat e shteteve të tjera anëtarë të BE-së dhe Gjermanisë, pra të krijojë fakte. Personalisht unë besoj se presidenti Tadiç ka shumë vullnet për të arritur zgjidhjen e duhur. Por kjo me sa duket nuk mjafton. Para disa javësh, presidenti Tadiç ndërmori një përpjekje në parlamentin serb për një rezolutë, e cila nuk mori mbështetjen e të gjitha partive. As aty me sa duket nuk është aq e fortë influenca e tij për miratimin e një rezolute dhe gjetjen e një zgjidhjeje. Është për të ardhur keq, sepse jo vetëm presidenti Tadiç, por edhe qeveria serbe kanë ndërmarrë shumë në rrugën drejt BE-së. Ne këtë e pranojmë, e shohim, dhe nuk bëhet fjalë që gjermanët duan ta bllokojmë këtë integrim. Por tek dy pikat që përmenda. Çështja e Kosovës dhe sulmi ndaj ambasadës gjermane. Shohim se është bërë shumë pak.

DW: Por mund të përballemi me forcimin e qarqeve nacionaliste në muajt e ardhshëm...

Peter Beyer: Rreziku ekziston. Këtë e pranoj. Por mendoj se nëse qeveria e Tadiçit vazhdon të bëjë punë shumë të mirë dhe Tadiç ia komunikon popullit të tij ashtu si duhet, që fakti që nuk e morëm statusin kandidat nuk është kthim mbrapa, por përkundrazi ne duhet të vazhdojmë përpjekjet, dhe të jetë motivim për të vazhduar më tutje - atëherë koha jo edhe aq e gjatë deri në samitin tjetër në Mars të vitit të ardhshëm mund të përdoret për të arritur rezultatet që kërkohen. Kam besim të plotë tek Tadiç dhe qeveria e tij se ata do t'ia dalin dhe forcat nacionaliste nuk kanë për të pasur ndonjë fuqizim të përhershëm.

DW: Ju keni kërkuar "zgjidhje të dëshmueshme" të konfliktit me Kosovën dhe jo vetëm fjalë. Çfarë keni pasur parasysh me këtë?

Peter Beyer: Fillimisht bisedimet duhet të vazhdojnë nga të dyja palët. Ideja fillestare që  të trajtoheshin temat e vogla si vulat doganore, kadasta, dhe jo tematika e madhe ishte e kupteshme. Kjo duhet të vazhdojë dhe këto janë rezultate të prekshme. Por më shumë është fjala për strukturat paralele. Këto duhet të shpërbëhen. Nga ana tjetër duhet që Serbia të fillojë të merret seriozisht me zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi në plan afatgjatë. Presidenti Tadiç në një fjalim para fondacionit Friedrich Ebert në Berlin vetë  përmendi marrëveshjen bazë mes dy Gjermanive në vitin 1972. Kjo mund të jetë një mundësi orientimi. Pra që të njihet një ekzistencë paralele për të dy shtetet. Kjo nuk duhet thënë vetëm në Berlin.

DW: Megjithatë zërat kritikë thonë se Gjermania e bllokoi Serbinë. Si e shihni ju këtë?

Peter Beyer: Nuk e shoh aspak si bllokadë.Përkundrazi, ne kemi interes që këto vende, madje Serbia, si vend kyç në rajon jo vetëm të ketë perspektivën e anëtarësimit, por edhe më tej. Pra edhe njëherë. Ne kemi shumë besim që në Mars do të vazhdohet më tej me dhënien e statusit kandidat Serbisë. Madje po qe se zhvillimet me Kosovën janë të tilla që të na japin shumë shpresa, që ne të themi, jo vetëm status kandidat, por edhe një datë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, - ne kemi interes që Serbia të hyjë në BE. Por nuk mund të pranojmë që të marrim në BE konflikte të pazgjidhura territoriale.

DW: Opozita gjermane ju kritikon se me mosdhënien e statusit kandidat Serbisë, dëmtohet edhe procesi i integrimit të rajonit. Kroacia është pjesë e pritshme BE-së tashmë. Vendet e tjera duhet të presin. Mund të themi se me gjermanët nuk bëhet shaka. Ose realizoni gjërat siç duhet dhe si kërkohet ose do prisni?

Peter Beyer: Ne ndjekim një politikë të caktuar të qartë, që do të thotë, ne e ndjekim me vëmendje çdo shtet dhe e shohim më vete, pa e krahasuar me të tjerët. Pra nuk krahasojmë Serbinë, Kroacinë, Malin e Zi megjithëse e dimë se janë shtete që kanë lidhje brenda një rajoni. Por ne e shohim secilin vend veçmas, nëse i ka plotësuar kriteret e Kopenhagës, pra kriteret politike ashtu siç duhet. Secili duhet të përmbushë kriteret para se të fillojnë bisedimet e anëtarësimit.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora