1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beteja vendimtare e Alepos - Nis ofensiva

dpa/Arapi28 Korrik 2012

Trupat e Asadit duan të thyejnë rezistencën e rebelëve në Siri. Mëngjesin e së Shtunës ato nisën një ofensivë të gjerë në Alepo. Luftimet në këtë qytet shihen si vendimtare për luftën në Siri.

https://p.dw.com/p/15fs7
Një kryengritës në Alepo pas marrjes së një baze ushtarake
Një kryengritës në Alepo pas marrjes së një baze ushtarakeFotografi: picture-alliance/dpa

Ofensiva e pritshme e trupave qeveritare të Asadit kundër qytetit metropol tregtar, Alepo, nisi të Shtunën, ashtu siç kishin raportuar aktivistët sirianë. Regjimi i presidentit Asad kishte ditë që përforconte trupat në Alepo duke planifikuar një ofensivë në shkallë të gjerë. Vëzhguesit sirianë të të drejtave të njeriut në Londër njoftuan të Shtunën për luftime të ashpra në hyrjen jugperëndimore të lagjes së jashtme të Alepos, Salahedin, një qendër rezistence e Ushtrisë së Lirë Siriane.

Helikopterë të trupave qeveritare sulmuan terrenin. Luftime janë zhvilluar edhe në Al Hamdanija, Sahur dhe zona të tjera nën zotërimin e kundërshtarëve të regjimit. Të paktën 3 kryengritës janë vrarë, njoftojnë burimet e Ushtrisë së Lirë Siriane. Komandanti i saj është shprehur për agjencinë gjermane të lajmeve në telefon se "rebelet tanë patën guximin të shkatërronin pesë tanke." Luftimet në Alepo, zemrën ekonomike të Sirisë konsiderohen si vendimtare për udhën që do të marrë konflikti sirian, që zgjat prej më shumë se një viti.

Kryengritësit sirianë luftojnë me ushtarët e qeverisë
Kryengritësit sirianë luftojnë me ushtarët e qeverisëFotografi: picture-alliance/dpa

Ban thirrje për shpëtimin e jetëve të civilëve

Më parë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon i ka bërë thirrje Sirisë të heqë dorë nga një ofensivë e përgjithshme kundër rebelëve në qytetin Alepo. Ban tha në Londër pas një takimi me ministrin e Jashtëm, William Hague se shkallëzimi i papranueshëm i konfliktit mund të çojë në humbjen të papapara të civilëve. Dhuna nga të dyja palët duhet të marrë fund për të mbrojtur civilët. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka tërhequr ndërkohë një pjesë të punonjësve të tij nga Siria. Rreth 50 ndihmës do të qëndrojnë në Damask, tha një zëdhënës në Gjenevë. Ndërsa punonjësit jovendas të Kryqit të Kuq janë dërguar në Liban. Edhe Gjysmëhëna Siriano-Arabe ka ndërprerë një pjesë të misioneve të saj në Alepo për shkak të luftimeve të rënda.