1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Beteja për Alepon -Përkeqësohet situata në Siri

Qyteti metropol sirian është përfshirë nga luftime të ashpra. Palët në luftime pretendojnë se kanë nën kontroll pjesë të qytetit. Ndërkombëtarët shprehin shqetësimin e tyre për situatën e krijuar në Siri.

Në qytetin metropol sirian Alepo po vazhdojnë edhe më tej luftimet mes trupave qeveritare dhe kryengritësve. Sipas aktivistëve kryengritësit e armatosur kanë sulmuar një gjykatë ushtarake. Ndërtesa është qëlluar me raketa, bëri të ditur zyra e aktivistëve për të drejtat e njeriut në Londër. Kryengritësit sulmuan edhe një postbllok policie dhe një zyrë të partisë qeverisëse Baath në lagjen e qytetit Salhedin. Sipas të dhënave të agjencisë së lajmeve Reuters, për herë të parë janë dëgjuar prej ditësh përsëri helikopterë në lindje të qytetit dhe të shtëna me armë të rënda.

Më parë mediet shtetërore kishin njoftuar se ushtria "ka pastruar nga terroristët" lagjjen Selahedine. Aktivistët për të drejtat e njeriut nga ana e tyre njoftojnë se kjo lagje e qytetit është ende në duart e kryengritësve, por bombardohet rëndë nga një lagje fqinje e qytetit. Ushtarakët supozojnë se mund të zhvillohet një luftë shkatërrimtare në rrugë, e ngjashme si në Homs dhe që mund të zgjasë deri sa të merret një vendim.

Ban Ki-Moon kërkon fundin e luftimeve

Ban Ki-Moon kërkon fundin e luftimeve

Kryengritësit kanë zaptuar një pikë strategjike të kontrollit në afërsi të qytetit, e cila gjendet në rrugën kryesore ndërmjet Aepos dhe kufirit turk. Bëhet e ditur se rebelët kanë marrë kontrollin edhe mbi shtatë tanke dhe mjete të tjera luftarake, ndërsa kanë shkatërruar tetë të tilla gjatë luftimeve të së hënës. Nisur nga dhuna e vazhdueshme kundër popullit të tyre dhe dyshimet në rritje mbi regjimin e presidentit Baschar al Assad u larguan 12 oficerë të tjerë sirianë për në Turqi. Në Londër është kthyer një diplomat i rangut të lartë nga Damasku.

Ditën e hënë (30.07) Sekretari i Përgjithshëm i OKB-s, Ban Ki Mun shprehu shqetësimin e tij dhe të të dërguarit special Kofi Annan lidhur me situatën e krijuar në Siri. ''Situata është e papranueshme'', deklaroi Ban Ki Mun, i cili theksoi se u kujtonte palëve detyrimet, që rrjedhin nga ligjet ndërkombëtare dhe humanitare. Ai shprehu shqetësimin për armët e shkatërrimit në masë dhe armët kimike dhe i drejtoi një apel qeverisë së Damaskut të heqë dorë nga përdorimi i mekanizmave të tilla pavarësisht nga rrethanat.

Refugjatë sirianë

Refugjatë sirianë

Ndërkohë ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se Franca do të kërkojë një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit lidhur me përleshjet në Siri, sapo ta ketë marrë presidencën e rradhës të Këshillit në muajin gusht. Ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta, shprehu bindjen, se fundi i konfliktit në Siri është çështje kohe. "Pyetja është se kur do të ndodhë kjo", tha ai. Për ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westerwelle situata në Siri ka arritur atje ku s'mban më. Në një intervistë për një gazetë gjermane javën e kaluar ai tha, se tani do të duhej të vendoseshin drejtimet për një politikë më të përshtatshme për zhvillimet e fundit.