1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Besimtarët myslimanë në Kosovë vazhdojnë protestat për përfshirjen e lëndës së fesë në arsim dhe për ndërtimin e një xhamie të madhe

Bashkësia Islame e Kosovës nuk i mbështet protestat në rrugë, por kërkon realizimin e kërkesave me rrugë institucionale. Një javë më parë parlamenti hodhi poshtë kërkesën që për fenë të mësohet nëpër shkolla publike.

Besimtarë myslimanë gjatë faljes

Besimtarë myslimanë gjatë faljes

Përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, ata të Partisë së Drejtësisë dhe organizata joqeveritare të besimit islam, thonë se ata nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre për futjen e lëndës fetare në shkolla publike dhe për ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë. Përfaqësues të Minsitrisë së Arsimit nuk e mbështesin idenë që në shkollat publike të mësohet për fenë. Ideatorët e kërkesës për futjen e lëndës së arsimit fetar nëpër shkolla, thonë se kjo kërkesë po keqkuptohet nga një pjesë e shoqërisë kosovare. Sipas tyre është krijuar përshtypja se kjo mund të paraqesë një lloj të fuqizimit të identititetit mysliman të shumicës së popullatës së Kosovës dhe në këtë mënyrë shfaqet frika mos po rrezikohen proceset e intergrimit të Kosovës në bashkësinë evropiane.

Kundërthënie nëse theksimi i fesë e rrezikon integrimin e Kosovës

Ferid Agani, deputet i Partisë së Drejtësisë

Ferid Agani, deputet i Partisë së Drejtësisë

Sipas deputetit të Partisë së Drejtësisë në kuvendin e Kosovës, Ferid Agani, kjo përshtypje është e gabuar. “Unë mendoj se ky është një koncept shumë i gabuar, i rrezikshëm, sepse nëse me këtë synohet zbehja e identitetit fetar të qytetarëve të vendit, zbehja e vlerave etike dhe morale të kësaj shoqërie, atëherë mendoj se proceset e shtetndërimit nuk do të mbështeten fuqishëm në identitetin fetar kombëtar shqiptar, por, po hapen procese të reja të tranziconit kulturor, të cilat mund të kenë reflektime shumë të rrezikshme në zhvillimin psikologjik të të rinjëve tanë dhe me këtë hapim rrugë për dukuri negative në shoqërinë e Kosovës.”

Ministri i arsmit, Ramë Buja

Ministri i arsmit, Ramë Buja

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit nuk e mbështesin idenë që lënda fetare të futet në planprogramin arsimor të Kosovës dhe për më shumë sipas ministrit të arsimit Ramë Buja, është kuvendi i Kosovës ai që hodhi poshtë këtë propozim. “Si ministër i arsimit unë them se feja ka vend të mjaftueshëm edhe me kushtetutë edhe me ligje se ku të mësohet dhe si të mësohet. Në shkolla publike është e panevojshme."

 

 

Edhe një vend qendror për ndërtimin e xhamisë në planin e kërkesave

Përfaqësuesit e organizatës joqeveritare Bashkohu, e cila po organizon protesta në rrugë kundër vendimit të parlamentit që ndalon mësimin fetar nëpër shkolla dhe po kërkon vend për ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë, janë të vendosur në kërkesat e tyre. Fuad Ramiqi, njëri nga organizatorët e protestave, thotë se toleranca fetare në Kosovë ka qenë vlerë e kësaj shoqërie dhe ndërtimi i një xhamie të madhe në Prishtinë, sikurse është ndërtuar katedralja në qendër të Prishtinës vetëm sa do ta fuqizonte këtë vlerë. “Është një fakt i pamohueshëm që identiteti në mesin e shqiptarëve të Kosovës është 95 për qind mysliman dhe Prishtina si kryeqytet pashmangshëm duhet ta ketë një përputhshmëri me konceptin e deklarimeve për një toleranë fetare dhe bashkëjetesë sikurse gjithmonë na ka bërë të ndihemi të respektuar dhe të nderuar edhe në agjendën ndërkombëtare dhe kjo kishte me qenë edhe një dëshmi për besimarët katolikë se ne vertet jemi telerantë."


Sidoqoftë, këtë të premte besimtarët myslimanë pritet të zhvillojnë edhe një protestë në qendër të Prishtinës dhe pakënaqësinë e tyre ata do ta manifestojnë me faljen e xhumasë në rrugë. Ata thonë se protestën do ta vazhdojnë çdo të premte deri në realizimin e kërkesës së tyre, futjen e lëndës fetare nëpër shkolla publike dhe ndërtimin e një xhamie të madhe në kryeqytet. Bashkësia Islame e Kosovës thotë se ajo nuk i mbeshtet protestat në rrugë, por kërkon që e drejta e besimtarëve, për shkollim, punësim, e vend dinjitoz për xhami, të arrihet nëpërmjet rrugëve institucionale.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Elert Ajazaj