1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bernd Posselt: Sukses i madh për Shqipërinë

Europarlamentari e anëtari i delegacionit të PE-së për Europën Juglindore, Bernd Posselt mbi progresraportin e Komisionit Europian e statusin kandidat për Shqipërinë. Posselt kërkon që BE të bëjë më shumë për Kosovën.

DW: Zoti Posselt, Shqipëria mori statusin kandidat me kusht që të vazhdojë punën për plotësimin e reformave të tjera kyçe. Nënkupton kjo që BE në rast nevoje edhe mund ta anulojë vendimin?

Bernd Posselt: Fillimisht duhet thënë se ky është një sukses shumë i madh për Shqipërinë dhe në bisedë me ne, komisioneri për zgjerimin, Stefan Füle tha se ky është një vlerësim për hapat e hedhura përpara nga Shqipëria, vlerësim për dialogun mes kampeve politikë. Ai u shpreh shumë pozitivisht, dhe ne në Parlamentin Europian do ta mbështesim fort Shqipërinë. Unë nuk pres ndonjë kthim mbrapa, por nga ana formale këtë duhet ta vendosë Këshilli i BE-së, fillimisht ky është një rekomandim për Këshillin. Por Parlamenti Europian është pro, Komisioni po ashtu, tani pritet vetëm Këshilli i BE-së, aty mundet që edhe një vend i vetëm të bllokojë statusin, por unë nuk shpresoj të ndodhë kështu.

DW: Shqipëria duhet të përfundojë reforma të rëndësishme si ajo parlamentare, reforma në drejtësi, apo administratë. Sa kohë i jep BE Shqipërisë për këtë?

Bernd Posselt: Anëtarësimi është një proces, i cili zgjat shumë kohë. Shikoni Kroacinë, një vend që është përgatitur shumë mirë për në BE, dhe që nga ana historike nuk e ka pasur aq të vështirë sa Shqipëria që ka qenë e shtypur dhe izoluar për një kohë të gjatë. Megjithatë Kroacisë iu deshën më shumë se 10 vjet dhe gjërat ende nuk janë përkryer. Fillimisht Shqipëria duhet të vazhdojë kursin e reformave, dhe unë shpresoj që ose në dhjetor, ose në pranverë, unë shpresoj në dhjetor, Këshilli i BE-së të japë përfundimisht dritën e gjelbër për Shqipërinë.

DW: Në progresraport kërkon nga drejtësia shqiptare zbardhja e pananshme e ngjarjeve të 21 janarit. Pse e thekson KE pikërisht këtë?

Bernd Posselt: Një raport i tillë voluminoz përbëhet nga shumë nënrubrika. Ne si Parlament do ta marrim atë në shqyrtim. Parlamenti tani e ka raportin në dorë. Pas kësaj, ne vetë do të përpilojmë një raport politik. Kjo do të thotë që në muajt e ardhshëm ne si Parlament Europian do të kemi raportin tonë, që bazohet në atë të Komisionit, por ne do të japim opinionin tonë, se cilat pika janë për prioritare dhe cilat jo. Nuk mund ta them tani se cilat pika duhet të jenë prioritare në këtë raport.

DW: Në Shqipëri qeveria dhe opozita megjithë shenjat e afrimit politik, ende janë larg një dialogu konstruktiv. Pse nuk arrin klasa politik shqiptare të jetë e bashkuar për një projekt të madh, si ai integrimit, kur të dyja palët e kanë atë program qendror?

Bernd Posselt: Këtë problem ne e kemi në shumë vende ish-komuniste. Komunizmi ishte një sistem i bazuar në një model radikal të ndarjes së botës në mik dhe armik. E bardhë ose e zezë. Nuk është e lehtë ta kapërcesh këtë lloj mentaliteti pas vitesh të tëra diktature dhe indoktrinimi. Konsensusin dhe vazhdimin e dialogut edhe kur ke qëndrim të kundërt nga partneri politik duhet ta mësojnë nga e para edhe vende me një demokraci shumë më të lashtë. Kultura politike zhvillohet pas hap hapi. Unë vetëm mund të apeloj tek shqiptarët: Grinduni për çështjet tuaja të brendshme, por mos e ndërprisni dialogun politik. Dhe në objektivin e përbashkët - integrimin në Bashkimin Europian duhet të bashkëpunojnë të gjithë.

DW: Kosova po ashtu bëri hapa përpara në progresraportin e këtij viti me dritën e gjelbër për marrëveshjen e stabilizim-asociimit në të ardhmen. Çfarë pritet tani nga shteti më i ri i Europës?

Europaparlamentari Bernd Posselt

Europaparlamentari Bernd Posselt

Bernd Posselt: Unë sot e thashë shumë qartë në Dhomën e Jashtme të Parlamentit Europian se pres që më fund BE të bëjë diçka për Kosovën. Nuk mund të kërkosh gjithmonë dhe sigurisht Kosova duhet të kryejë shumë reforma - por edhe BE duhet të marrë vendime të rëndësishme për Kosovën: Njëri është njohja e Kosovës nga pesë shtete të BE-së, që nuk e kanë bërë këtë, kjo gjë e pengon punën me Kosovën, çështja tjetër ka të bëjë me EULEX-in që nuk funksionon aspak ashtu siç duhet. Këtë ia kam bërë të qartë edhe komisionerit. Ne kërkojmë reformimin e EULEX-it, Parlamenti Europian nuk është i kënaqur. Ne duam gjithashtu që me Kosovën të arrihet marrëveshja tregtare dhe të arrihet lehtësimi i vizave. Kjo nuk është e lehtë, sepse ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare aktualisht mendojnë të heqin lehtësimet e vizave për qytetarët serbë dhe maqedonas. Unë do të luftoj që kjo gjë të mos ndodhë.

DW: Për Serbinë nuk erdhën lajme të mira nga Brukseli më 10 Tetor. Füle kërkoi qartë përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën, datë për negociatat nuk kishte. Si do të ndikojë progresraporti në dialogun e pritshëm kosovaro-serb?

Bernd Posselt: Ky është një kusht absolut. Asnjë vend nuk mund të integrohet në Bashkimin Europian nëse nuk ka marrëdhënie të rregulluara, të mira e paqësore me fqinjët. Kemi parë rastin e Maqedonisë se sa e vështirë është kur ke konflikte fqinjësore. Kroacia ka vuajtur me problemet që kishte me Slloveninë. Serbia duhet ta dijë se pa një fqinjësi të mirë me Kosovën nuk ka asnjë shans për në BE. Madje BE ka bërë një lëshim të madh, kur i ka thënë Serbisë se nuk i kërkohet njohja e Kosovës para fillimit të negociatave të anëtarësimit. Unë personalisht mendoj se kjo gjë duhej të ishte e vetëkuptueshme. Por BE nuk shkon kaq larg. Füle e tha qartë se nuk e kërkon këtë nga Serbia, por ajo që kërkohet është së paku respektimi i asaj që shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën, respektimin e shkëputjes së Kosovës, dhe përpjekjet për një fqinjësi rë mirë. Serbia vetë ka shumë për të bërë edhe në drejtim të te drejtave të pakicave në Vojvodinë dhe Preshevë.

Serbia duhet të kalojë nëpër këtë rrugë, jo për t'i bërë qejfin BE-së, siç thonë nacionalistët atje, por për të ndihmuar veten. Nacionalistët janë ata që më së shumti e dëmtojnë vendin e vet. Është në interesin e Serbisë të çojë përpara integrimin në Europë. Unë kam udhëtuar për në Beograd edhe me tren, duke kaluar në Vjenë, në Budapest, kam parë se si po shkrihet në një hapësira e Danubit. Do të ishte çmenduri nëse serbët do të shkëputeshin nga ky zhvillim, vetëm për hir të një konflikt arkaik me Kosovën.

DW: BE flet për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por vetë ndodhet në krizë të thellë. Sa e besueshme është retorika e integrimit të BE-së, aktualisht?

Bernd Posselt: Integrimi është një proces shumë i besueshëm, por ai kërkon kohën e vet. Kur fillova unë të merresha me politikë në Europë, ajo ishte një komunitet prej nëntë anëtarësh. Më pas BE u shtua. Në dhjetëvjeçarin e parë të këtij shekulli erdhën me një dorë, me 12 anëtarë të rinj. Një zgjerim të tillë, BE duhet ta përballojë njëherë, e megjithatë Kroacisë iu tha Po. Procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor nuk është i vetëkuptueshëm, në vendet tona zgjerimi nuk është popullor, por ai është i besueshëm dhe kërkon kohën e vet.