1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Berluskoni para gjyqit - procesi shtyhet për në fund të majit

Në Milano procesi kundër kryeministrit Berluskoni zgjati vetëm pak minuta. Ai akuzohet për favorizim të prostitucionit të të miturave dhe shpërdorim të postit. Berluskoni rrezikon të dënohet deri me 12 vjet burg.

default

Kryeministri italian Silvio Berluskoni

Në Milano kryeministri italian Silvio Berluskoni këtë të mërkurë duhet të përgjigjet përsëri para gjyqit. Në këtë proces ai akuzohet për favorizim të prostitucionit të të miturave dhe për keqpërdorim të postit. Berluskoni ndër të tjera duhet të ketë paguar për seks vitin e kaluar një marokene minorene në festa në vilën e tij. Kryeministri 74 vjeçar i ka mohuar akuzat. Vetëm për abuzim të mundshëm me postin e tij, Berluskoni, kundër të cilit ka edhe procese të tjera, rrezikon të dënohet deri me 12 vjet burg.

Kryeministri italian Silvio Berluskoni duket të jetë politikisht dhe moralisht imun kundrejt çdo sulmi. Tashmë opozita e Berluskonit, e majta, intelektualët, sindikatat po përpiqen të venë në veprim presionin e rrugës dhe forcën e fjalës. Në front të parë është shkrimtari më në zë i Italisë Umberto Eko. "Unë kam ardhur këtu me shumë skepticizëm. Kjo sepse kam përshtypjen se ne mund të bërtasim sa të duam, por Berluskoni nuk do të japë dorëheqjen."

Umberto Eko ndodhet në një sallë të madhe në Milano, përpara mijëra vetëve, pas tij një fjali, një urdhër i shkurtër "jep dorëheqjen" është shkruar në mur pas poltronit. Për të gjithë është e qartë se kujt i drejtohet ajo: kryeministrit italian Silvio Berluskoni. Prej javësh po zhvillon hetime prokuroria milaneze kundër tij. Ai dyshohet të jetë i implikuar në prostitucion me të mitura dhe ka keqpërdorur postin e tij kur kërkonte që një e re, një e njohura e tij shumë e re, të lirohej nga policia që e kishte ndaluar. Këtë e bënte me një gënjeshtër që në aktualitetin e sotëm është tepër delikate. Vajza thuhej të ishte mbesa e presidentit egjiptian Husni Mubarak.

Umberto Eco

Shkrimtari italian Umberto Eko


"Ne menduam që kryeministrin tonë e lidh me Mubarakun mbesa e tij. Por e vërteta është që ai nuk do të japë dorëheqjen." Umberto Eko nuk dëshiron dhe nuk mund të heshtë. Ai duhet të flasë për të shpëtuar nderin e Italisë. Jashtë vendit atij i bëhet gjithnjë pyetja se pse italianët nuk ndërmarrin asgjë kundër Berluskonit. Kjo pyetje e nxeh shkrimtarin dhe kritikun e Berluskonit. "Kjo sepse këtu ka gazeta që çdo ditë kritikojnë politikën dhe sjelljen e shefit të qeverisë. Këtu ka shkrimtarë që shkruajnë libra të tërë mbi këtë temë. Por këtë ata jashtë vendit nuk e dinë. Sytjena që bien në tokë ngjallin më shumë vëmendje se sa një artikuj të tillë."

Protestuesit: "Italia nuk është bordell"

Një nga kritikuesit më të ashpër të Berluskonit në Itali është autori anti-mafia Roberto Saviano, që është bërë i njohur botërisht me librin e tij Gomorra, ku bën publike bëmat e Camorras. Atë e akuzon pikërisht Berluskoni se ka "njollosur figurën e Italisë jashtë vendit". "Sot e dinë të gjithë se kush del hapur me kritika kundër qeverisë do t´i duhet të përballet me shantazhe, heqje të drejtash dhe sharje."

Italien Proteste gegen Berlusconi

Protestat kundër kryeministrit italian

Jo vetëm në Milano por edhe në shumë qytete të tjera kanë dalë në fundjavë njerëzit në rrugë. Shpesh janë gratë ato që demonstrojnë kundër Berluskonit dhe për dinjitetin e tyre. "Italia nuk është bordell", i drejtohen ato atij si kundërpërgjigje ndaj festave të natës të organizuara prej tij në vilën e vet milaneze, Arcore. Por nuk është vetëm dobësi e Berluskonit që e ka paralizuar vendin. Eshtë dobësia e politikës në tërësi thotë në mënyrë auokritike filozofi dhe ish-kryebashkiaku i Venecias, Massimo Cacciari: "Unë nuk dua të fiksohem tek çështja villa Arcore dhe të tjera si kjo. Kjo nuk është arësyeja për bllokadën e Italisë. Arësyeja janë të dy polet e politikës, njërës i mungon aftësia të qeverisë dhe tjetrës të bëjë opozitë. Të dyja janë në krizë." Silvio Berluskoni nuk ngacmohet nga kjo. Kur e pyesin për protestat në vend ai përgjigjet: "Unë kam një lëkurë të trashë."

Autor: T. Kleinjung / V. Filaj-Ballvora

Redaktoi: A. Verbica

DW.COM

  • Data 06.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Bmz
  • Data 06.04.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Bmz