1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlusconi planifikon rikthimin në Evropë

Veronica Over/ Auron Dodi11 Shkurt 2014

Silvio Berlusconi po planifikon rikthimin në Evropë. Një apel para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë si dhe rehabilitimi politik në vendin e tij mund t'ia lejojnë këtë.

https://p.dw.com/p/1B6VN
Rome - Silvio Berlusconi
Fotografi: Getty Images

Ai që e njeh, ai mund ta kishte marrë me mend: Silvio Berlusconi po planifikon rikthimin. Dhe do ta bëjë këtë në skenën ndërkombëtare. Në mes të janarit, ish-kryeministri i Italisë deklaroi në një mbledhje me anëtarët e partisë së tij të riformuar, ose më saktë të formuar sërish, Partia Forza Italia, se dëshiron të kandidojë në zgjedhjet evropiane në maj 2014. Megjithëse një ligj ia ndalon pikërisht këtë.

"Legge Severino" parashikon ndalimin për gjashtë vjet të kandidimit për personat e dënuar. Kësaj i shtohet edhe ndalimi i ushtrimit për dy vjet të posteve publike, i shqiptuar për Mediasetin. Pengesa të rëndësishme për kandidaturën e një ish-kryeministri të dënuar për mashtrim me taksa.

Shansi i fundit - Gjykata Evropiane e Drejtësisë

Por në bazë të informacioneve të medieve italiane, avokatët e Berlusconit ka kohë që po punojnë për një plan si ta anashkalojnë ligjin e Severinos. Dhe kjo rrugë të çon në mënyrë paradoksale para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Luxemburg, ku Berluskoni ka nisur tashmë një procedurë apelimi. Ai mbron tezën, se gjoja nuk ekziston asnjë ligj mbarëevropian, as ndonjë rast precedent, që i ndalon një të dënuari të kandidojë. Cavaliere shpreson të arrijë shfuqizimin e ndalimit të paraqitjes së kandidaturës. Por vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, cilido qoftë ai vendim, mund të mos merret në kohën e duhur, para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Po Berlusconi nuk do të ishte Berlusconi, po të mos kishte një plan rezervë në sirtar. Dhe kjo rrugë tingëllon edhe më aventureske: Rruga e tij në Bruksel mund të kalonte përmes një shteti tjetër anëtar. Sepse gjoja shtete si Malta dhe Bullgaria janë treguar të gatshme që ta paraqesin atë si kandidat për Parlamentin Evropian. Po a do të ishte e mundur kjo?

"Përgjigjia është jo, nëse ai do të përpiqej të kandidonte vetëm në botën e jashtme, dhe po, nëse ai merr nënshtetësinë e një shteti tjetër anëtar. Të paktën në teori. Është fakt se gjendja është vështirë të parashikohet, meqenëse në Evropë nuk ka ndodhur asnjëherë një rast i tillë", thotë Stefano Polli, nga Agjencia e Lajmeve ANSA.

Pas perdeve

Që Berlusconi të hyjë personalisht në Parlamentin Evropian, kjo ka pak gjasa të ndodhë. Por e sigurtë është që ai do të përpiqet, qoftë edhe pas perdeve, të ndikojë zhvillimet politike në Evropë. Jo së fundi përmes rehabilitimit brenda vendit, prej marrëveshjes me sekretarin e ri të së majtës Partito Democratico, Berlusconi që pak muaj më parë e kishin hequr nga liste, ndodhet sërish në skenën e politikës së brendshme. Dhe kjo mund t'i sjellë atij dhe Forza Italias së tij mjaft vota për Parlamentin Evropian. Anketimet e fundit e shohin Forza Italia-n si njërën nga partitë më të forta përsa u përket zgjedhjeve evropiane.