1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini: zgjerim i listës me vende të sigurta origjine

Sabine Kinkartz7 Shtator 2015

Koalicioni qeveritar në Berlin ra dakord për një plan për përballimin e fluksit të refugjatëve. Por me këtë plan qeveria luhatet mes besimit dhe realizmit. Më shumë para, më shumë personel, por edhe më shumë kufizime.

https://p.dw.com/p/1GSHI
PK Merkel Gabriel zum Umgang mit steigenden Flüchtlingszahlen
Fotografi: Reuters/F. Bensch

Kur në konferencë shtypi jo të planifikuar prej kohësh dalin së bashku kancelarja dhe zëvendëskancelari, arëherë çështja është e rëndësishme. "Ne kemi lënë pas një fundjavë të ngarkuar, intensive", formulon përmbledhtas Angela Merkel gjendjen të hënën në mëngjes në kancelari dhe me këtë ajo ka parasysh jo vetëm mbërritjen e rreth 20.000 refugjatëve të shtunën dhe të dielën në Gjermani, por edhe faktin, se vala e atyre që kërkojnë mbrojtje dhe ndihmë nuk do të pakësohet së shpejti.

Si duhet të veprojë vendi, si mund të strehohen qindra mijëra vetë, të përkujdesen, por edhe të integrohen? Për këtë u konsultuan të dielën (06.09) në mbrëmje në zyrën e kancelares kryesitë e dy partive të koalicionit qeveritar unioni konservator i kristinademokratëve e kristiansocialëve (CDU/CSU) dhe partia socialdemokrate (SPD). Të nesërmen Angela Merkel dhe Sigmar Gabriel dolën para shtypit për t'iu përgjigjur pyetjeve. "Unë besoj, se dje ka qenë ndoshta një prej takimeve më të rëndësishme të komisionit të koalicionit", tha kryetari i SPD-së, i cili fluksin e refugjatëve e cilëson si "sfidën më të madhe që pas ribashkimit". Kancelarja bën fjalë për "mobilizim forcash" dhe për "përballim krize", por edhe për "përgjegjësi" dhe "solidaritet".

Ndryshime të planifikuara

Bashkë me CSU partitë e koalicionit kanë rënë dakord për një sërë masash, me të cilat duhet të ndryshohet politika e azilit dhe e refugjatëve. Për përkujdesjen dhe strehimin në buxhetin e vitit 2016 do të planifikohen tre miliardë Euro shtesë. Tre miliardë Euro të tjera do t'u vihen në dispozicion landeve dhe komunave. Se si dotë përdoren këto para konkretisht, për këtë do të bien dakord federata dhe landet në një takim të përfaqësuesve të tyre më 24 shtator.

Deutschland Ankunft von Flüchtlingen in München
Refugjatët mbërrijnë në MynihFotografi: Getty Images/AFP/C. Stache

Ndihmën për azilkërkuesit në strehimoret e pranimit partnerët e koalicionit duan ta ndryshojnë nga ndihmë në para në ndihma në natyrë. Për këtë ka insistuar kryesisht CSU-ja bavareze. "Garantimi i ndihmave financiare me para në dorë ka efektin joshës për të ardhur në Gjermani, sepse shumë vende të tjera, madje edhe në Europë, nuk e kanë këtë formë të ndihmës", argumenton kryetarja e grupit të landit të CSU-së në Bundestag, Gerda Hasselfeldt. Sipas saj, të tilla "joshje të reme" nuk duhet të vazhdojnë të ekzistojnë më për një kohë të gjatë.

Më shumë vende të sigurta origjine

Lista e të ashtuquajturve "vende të sigurta të origjinës" do të zgjerohet edhe me vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor parimisht do të pranohen në strehimoret e pranimit fillestar në Gjermani, ku me mbështetjen e federatës do të krijohen edhe 150.000 vende të sigurta për dimrin. Por koha e qendrimit të refugjatëve në këto qendra do do të zgjatet nga tre në gjashtë muaj, e po për aq kohë do të vlejë edhe detyrimi për largimin nga Gjermania.

Personat, të cilëve u refuzohet kërkesa për azil, në të ardhmen do të dëbohen më shpejt drejt vendlindjes. "Kushdo që ka detyrim të largohet, duhet vërtetë edhe të largohet nga vendi ynë", u shpreh kancelarja, e cila deklaroi gjithashtu, se do të pakësohet ndihma sociale për ata "që janë të detyruar të largohen" nga Gjermania. Por nga ana tjetër qeveria planifikon një lloj "mini ligj-emigracioni" për njerëzit nga shtetet e Ballkanit. "Kush mund të dëshmojë që ka një vend pune apo një vend për kualifikim profesional edhe nga këto vendet mundet të punojë tek ne", tha kancelarja.

Mazedonien Flüchtlinge in Gevgelija
Refugjatë në Gjervgjeli të Maqedonisë - Europa e dy standardeve?Fotografi: Reuters/S. Nenov

Merkel u bën presion shteteve të tjera të BE-së

CDU/CSU dhe SPD-ja në të ardhmen do të krijojnë edhe 3.000 vende shtesë pune për policinë. Një ligj përshpejtimi synohet që të ndihmojë në avancimin e ndërtimit të strehimoreve për refugjatët, madje edhe duke hequr dorë prej standardeve që vlejnë deri më sot. Për shkak të rritjes së nevojës për mjedise banimi koalicioni do të përforocojë mbështetjen për ndërtimin e banesave sociale. Angela Merkel e quan këtë "një koncept të përgjithshëm për sfidat, që kemi përpara" dhe deklaron, se ndryhsimet e ligjit duhet të kalojnë qysh në tetor në Bundestag (Parlamenti) dhe në Bundesrat (Këshilli Federal).

Në Këshillin Federal megjithatë nevojitet edhe miratimi i ekologjistëve, të cilët ndër të tjera janë kundër zgjerimit të listës së vendeve të sigurta të origjinës. Kryetarja e partisë Simone Peter do që tani t'i "shohë e t'i shqyrtojë në qetësi" masat e marra nga qeveria, por ajo nuk e përjashton mundësinë e miratimit të tyre. "Nëse bëhet fjalë për një politikë simbolike, atëherë, kjo nuk është e mundur me ne. Nëse vërtetë ajo ndihmon për t'i strehuar dhe për t'i përkujdesur mirë refugjatët, atëherë ne jemi dakord."

"Ne e dimë, që ishim të shpejtë, kur qe fjala për të shpëtuar bankat", formuloi kancelarja. "Unë mendoj, se ne po aq shpejt duhet t'i ndërmarrim masat e nevojshme, kur është fjala për ta përballuar këtë sfidë." Por Merkel kërkon me insistim edhe solidaritet brenda BE-së. Duhet të ketë një ndarje të drejtë brenda BE-së. "Koha nuk pret, duhet vepruar shpejt. Gjermania është vendi më i gatshëm për të pranuar, por refugjatët mund të pranohen në të gjitha shtetet e BE-së, ku ato mund të gjejnë mbrojtje prej përndjekjes dhe luftës civile."

"Eshtë e qartë, që ne ia dalim të pranojmë sivjet 800.000 refugjatë, madje edhe t''i strehojmë e t'i integrojmë ata", shtoi zëvendëskancelari Sigmar Gabriel. Gjermania është një vend i fuqishëm ekonomikisht. "Por po aq e qartë është edhe se kjo nuk mund të përsëritet vazhdimisht çdo vit." BE-ja, sipas tij, ka nevojë për një politikë të përbashkët europiane për refugjatët dhe duhet madje edhe të bëjë diçka në mënyrë që vala e refugjatëve nga zonat e krizës të mos rritet edhe më tej në përmasa të tilla dramatike, siç ka ndodhur në ditët e javët e fundit.

Deutschland Brand in künftiger Asylbewerberunterkunft in Remchingen bei Karlsruhe
Ndonjëherë u vihet edhe zjarr vendstrehimeve të refugjatëve - jo të gjithë i mirëpresin refugjatët në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa/SDMG/Dettenmeyer

Të parandalohen zhgënjimet

Sfidat në krizën e refugjatëve Gabriel i sheh me "besim dhe realizëm". Ai ka besim, sepse aktualisht shumë qytetarë çdo ditë tregojnë, "se sa me zemermadhësi dhe solidaritet ata përpiqen t'u ndihmojnë njerëzve në nevojë." Shërbimi publik po dëshmon një gatishmëri pune dhe angazhimi, që hedh poshtë çdo paragjykim ndaj këtij profesioni. "Qytetarët me mikpritjen e tyre kanë skicuar një imazh të Gjermanisë, që mund të na bëjë ne krenarë për vendin tonë", tha kancerlarja Merkel dhe zëvendëskancelari Gabriel e mbështet atë shprehimisht.

Por pavarësisht kësaj krenarie të dy politikanët tërheqin vëmendjen për të mos i mbyllur sytë prej asaj çfarë e pret Gjermaninë në muajt e ardhshëm. Do të ketë konflikte, shoqëria do të mbingarkohet nga numri i lartë i refugjatëve dhe nga detyrat e shumta. "Sa më hapur të flitet për faktin, se ka shumë njerëz, të cilët kanë shqetësime, që në vend ka frikë dhe se mund të ketë edhe konflikte, aq më shumë kjo na ndihmon ne që të veprojmë qysh në fillim me realizëm dhe t'i shmangim zhgënjimet", tha Sigmar Gabriel.