1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Berlini refuzon ndërhyrjen ushtarake në Siri

Qeveria gjermane vazhdon t'i përmbahet trysnisë politike ndaj regjimit të Assad-it si rruga më e mirë për t'i dhënë fund dhunës në Siri. Ndërhyrja ushtarake nuk është opsion për Berlinin zyrtar.

"Sipas qeverisë gjermane nuk ka asnjë arsye për të spekuluar për opsione ushtarake në Siri", deklaroi të mërkurën (30.05.2012) në Berlin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane Martin Schäfer.

Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Schäfer

Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane, Martin Schäfer

Qeveria gjermane reagoi ndaj një deklarate të presidentit francez François Hollande, në të cilën nuk përjashtohej mundësia e një ndërhyrjeje ushtarake në Siri. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle përkrah edhe më tej rrugën e "presionit masiv politik dhe diplomatik", deklaroi zëdhënësi i tij.

Plani i paqes i Annan-it mundësia më e mirë

Plani i paqes i të dërguarit të posaçëm të OKB-së Kofi Annan, sipas qeverisë gjermane vazhdon të jetë "opsioni më i mirë i veprimit" për një zgjidhje politike. Në këtë kuadër nevojitet angazhimi i atyre vendeve që kanë ndikim në Damask, u tha në Berlin dhe në Paris. Fjala është në radhë të parë për Rusinë dhe Kinën, të cilat kanë miratuar planin e paqes të Annan-it por kanë penguar vazhdimisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dënimin e aleates së tyre, Sirisë.

I ngarkuari i OKB-së për Sirinë, Kofi Annan

I ngarkuari i OKB-së për Sirinë, Kofi Annan

Bisedime me aletatët e Assad-it

Si presidenti francez Hollande ashtu edhe kancelarja gjermane Angela Merkel duan të shfrytëzojnë bisedimet e ardhshme me presidentin rus Vladimir Putin për të kërkuar shtimin e trysnisë ndaj presidentit sirian Assad.

Të premten (01.06.2012) Putin zhvillon vizitat e para që prej marrjes së postit në Berlin dhe Paris. Qeveria ruse i konsideron "joproduktive" dëbimet e diplomatëve sirianë nga shumë vende evropiane. Ndërsa qeveria gjermane flet për "një sinjal të qartë dhe pa ekiuvoke për regjimin në Damask", pas masakrës në Hula. Ajo i kërkoi të martën (29.05.2012) ambasadorit sirian të largohej nga Gjermania brenda 72 orësh.

Se si mund të shtohet javët e ardhshme trysnia ndaj presidentit Assad, qeveria gjermane nuk e saktësoi. Në Ministrinë e Jashtme gjermane u tha vetëm se sanksionet e deritanishme "kanë pasur ndikim në gjendjen ekonomike të regjimit". Për këtë arsye nuk përjashtohet mundësia e sanksioneve të reja. Deri tani asgjë nuk tregon se Këshilli i Sigurimit mund të binte në ujdi për një qendrim më të ashpër ndaj Sirisë. Megjithatë priten pa dyshim përpjekje të reja diplomatike të kritikëve të Assad-it, të cilët do të përpiqen të zbusin pozicionet e Rusisë dhe Kinës.