1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Berlini politik pas referendumit në Greqi

Qeveria gjermane është e hapur për bisedime, por për një paketë të re ndihmash nuk është menduar. Kancelarja Merkel kërkoi pas takimit me Preisdentin francez një propozim të ri grek që këtë javë.

U desh të vinte pasditja, derisa në Berlin u pozicionua për referendumin në Greqi anëtari i parë i qeverisë. "Edhe mua më trishton gjendja, e cila krijohet dhe do të krijohet tani përmes referendumit", tha Ministri i Financave dhe Kryetari i Partisë Socialdemokrate Gjermane, Sigmar Gabriel pas një mbledhjeje të kryesisë së partisë së tij. Për qeverinë greke jeta tani do të bëhet shumë më e vështirë se sa ka qenë javët e fundit. "Paaftësia përfundimtare për të paguar e Greqisë kërcënon të jetë në prag të derës dhe jeta ekonomike do të ndalet edhe më shumë në pjesë të ndryshme të vendit." Tani Greqia nuk duhet lënë në baltë, të gjitha vendet e BE duhet të jenë të gatshme të japin ndihmë humanitare, tha Gabriel.

Qeveria gjermane pret

Kjo nuk tingëllon sikur Gabrieli pret një zgjidhje të shpejtë në mosmarrëveshjen për borxhet. Kryeministri grek Alexis Tsipras ka shkatërruar me referendumin urat e fundit, nëpër të cilat Evropa dhe Greqia mund të ecnin për të arritur një kompromis, tha kryetari i SPD-së të dielën në mbrëmje, pas referendumit me Jo-në e qartë nga Athina.

Një pozicion, të cilin zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert e përforcoi një ditë më pas. "Përballë vendimit të qytetarëve grekë aktualisht nuk ekzistojnë parakushtet për të hyrë në negociata për një program të ri ndihmash", tha ai. "Jo-ja e djeshme është edhe një refuzim i parimit, që ka drejtuar prej vitesh ndihmat për vendet e ndryshme, e pikërisht që solidariteti dhe përpjekja vetjake janë të pandara", tha zëdhënësi i Qeverisë gjermane.

Merkel kërkon propozim të shpejtë të ri grek

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u pozicionua të hënën që nga Parisi, pas një takimi pasdite për krizën greke me Presidentin francez, François Hollande. Të dy kryetarët e shteteve i bënë thirrje qeverisë greke të paraqesë sa më shpejt një propozim për zgjidhjen e krizës greke të borxheve. "Për këtë koha nuk pret dhe ne do t'i kushtojmë rëndësi faktit që propozime të tilla të vihen në tryezë këtë javë", tha Merkeli pas takimit me Hollande. Dera për bisedime është e hapur, theksuan të dy politikanët. Përfundimi i referendumit grek respektohet, u tha. "Por ne themi njëkohësisht se parakushtet për të hyrë në negociata për një program konkret ESM nuk ekzistojnë", shtoi Merkeli. Prandaj, shtoi ajo, në takimin e posaçëm të nivelit të lartë të Eurozonës të martën është e rëndësishme, që kryeministri grek Tsipras t'u thotë partnerëve se çfarë ka në mend të bëjë, për ta siguruar financimin e Greqisë në plan afatmesëm, tha kancelarja.

ESM si bazë

Në konferencën e shtypit të qeverisë gjermane, të hënën paradite pyetjet për Greqinë qenë të shumta. A është shtuar rreziku i një Grexit? A dështoi kancelarja me politikën e saj të dorës së fortë? Këto ishin pyetje që iu shtruan zëdhënësit të qeverisë Seibert dhe zëdhënësit të Ministrisë së Financave, Martin Jäger.

Jäger tha se të gjitha negociatat e ardhshme me Greqinë mund të zhvillohen vetëm mbi bazën e fondit të përhershëm të shpëtimit të Euros, ESM. Në bisedat e ardhshme nuk lëvizet në një "hapësirë të papërcaktuar qartë". Vetëm në bazë të sistemit evropian të rregullave është e mundur ndihma për Greqinë, tha Jäger. "Kjo marrëveshje parashikon fare qartë se çdo ndihmë është e kondicionuar nga ndërmarrja e një përpjekjeje vetjake dhe se thjesht është e pamundur largimi nga ky parim."

Është e paqartë nëse ekziston tashmë një kërkesë e qeverisë greke për ndihma nga Mekanizmi Evropian i Stabilizimit, ESM. Në 30 qershor, kryeministri grek Alexis Tsipras i dërgoi një kërkesë të përgjithshme për ndihmë kryetarit të Eurogruppit, Jeroen Dijsselbloem, pa përmendur megjithatë një shumë konkrete. Të paktën nuk ka një lutje që t'u përgjigjet kërkesave të ESM-së, tha Martin Jäger. "Tani e ka radhën pala greke, që të bëjë sërish të qartë se çfarë do."