1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Berlini optimist për kursimet e Athinës

Qeveria gjermane e sheh Evropën në një rrugë të mbarë për të dalë nga kriza e borxheve. Por Merkelit i duhet të bindë edhe parlamentarët e saj.

Zëdhësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert

Zëdhësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert

Shkopinj në rrota nga radhët e saj, kancelares gjermane Angela Merkel (CDU) aktualisht nuk i nevojiten. Kështu për shembull ajo nuk i kushtoi vëmendje kryeministrit bavarez dhe kryetarit të partisë simotër CSU, Horst Seehofer, i cili pati propozuar referendume për ombrella të reja mbrojtëse për euron. Gjermania ka funksionuar për gjashtëdhjetë vjet si duhet me demokracinë e saj reprezantative, bën të ditur Merkeli përmes zëdhënësit të saj, Steffen Seibert.

Monedhë euro me simbole greke

Monedhë euro me simbole greke

I ngjashëm ishte refuzimi për Ministrin Federal të Ekonomisë, Philipp Rössler, kryetarin e partisë liberale aleate në koalicion. Ai pati thënë përballë një falimentimi të mundshëm shtetëror të Greqisë: "Dita X po duket gjithnjë e më pak e tmerrshme." Atij Seiberti i përgjigjet: "Kancelarja federale nuk mendon me kategori të tilla."

Zëdhënësi i Merkelit lëvdon grekët

Kategoria e Angela Merkel-it, që ka studiuar për fizikë është: shmang të gjitha eksperimentet, të cilat mund të dalin jashtë kontrollit. Një falimentim shtetëror i Greqisë mund të ishte një eksperiment i tillë për Merkelin. Prandaj, ajo përshëndet fuqishëm përmes zëdhënësit të saj vendimet e kursimit të parlamentit grek:

"Këto vendime tregojnë vullnetin dhe gatishmërinë e grekëve për të ndërmarrë përpjekje të mëdha vetjake, edhe shkurtime të mëdha, për ta kthyer vendin në një rrugë të mbarë."

Këto masa i ndryshojnë strukturat e ngurta të ekonomisë greke dhe të tregut grek të punës, në mënyrë që të vihen në dispozicion forca prodhimi, deklaroi Seibert.

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut Gjerman, Ruprecht Polenz

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut Gjerman, Ruprecht Polenz

Edhe për qeverinë federale është e qartë se me këtë Greqia nuk e ka arritur synimin e saj. Deri në mbledhjen e ministrave të financave të Eurozonës të mërkurën e ardhshme Greqia duhet të vendosë për kursime të gjera në buxhetin shtetëror dhe tri partitë e mëdha duhet të nënshkruajnë se do t'u përmbahen këtyre vendimeve edhe pas zgjedhjeve në prill.

A e ka Merkeli shumicën për votimin në Bundestag?

Eshtë planifikuar që Bundestagu Gjerman të votojë për paketën e dytë të shpëtimit për Greqinë, në shumën prej 130 miliardë eurosh, më 27 shkurt. Kancelarja Merkel rrezikon në këtë votim, për herë të parë që kur është në pushtet, të mos ketë një shumicë votash nga radhët e veta dhe kështu që varet nga votat e opozitës. Mungesa e qetësisë në grupet parlamentare të CDU/CSU-së dhe FDP-së u rrit në mënyrë konstante javët e fundit. Pas votës së parlamentit grek kristjandemokratët u shprehën optimistë. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Bundestagut Gjerman, Ruprecht Polenz i tha agjencisë së lajmeve Reuters: " Unë besoj se Grupi Parlamentar do t'i mbështesë propozimet e qeverisë."

Qeveria Federale tërheq ndërkohë vëmendjen për suksese të tjera në shpëtimin e euros. Kështu qeveria spanjolle miratoi të premten e kaluar një reformë të gjerë të tregut të punës. Proceset e reformave në Spanjë si dhe në Portugali e Itali tregojnë, sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Seibert se "Evropa ka fuqinë për të nxjerrë mësime nga kriza, për të marrë vendimet e duhura dhe për t'u pozicionuar me të vërtetë në një mënyrë të tillë, që e ardhmja të jetë më e mirë."

Autor: Peter Stützle / Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj