1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Berlini - një qytet që përjeton bum

Berlini – kryeqyteti i Gjermanisë është një nga objektivat më të preferuara turistikë në Evropë. Vitin e kaluar Berlini pati ka patur vizitorë më shumë se çdo vit tjetër. Vizitorët e Berlinit vijnë nga e gjithë bota.

Porta e Brandenburgut në Pariser Platz në Berlin

Porta e Brandenburgut në Pariser Platz në Berlin

"Berlini është një qytet shumë kozmopolit.""Këtu është më qetë se në SHBA. Më pak rregulla. Më shumë kënaqësi." "Berlini është një vend historik dhe i rëndësishëm, një vend që duhet vizituar"."Është shumë interesante, ne në Australi nuk kemi diçka të tillë." "Mua më pëlqejnë baret, restorantet. Më pëlqen edhe atmosfera." "Unë mendoj se Berlini është kryeqyteti i Evropës."

Një turist qëndron mesatarisht dy ditë e gjysëm në Berlin dhe harxhon 200 euro. Një shumë që arrin deri në nëntë miliardë euro në vit. E veçanta e vitit të kaluar ishte se numri i vizitorëve nga Izraeli ishte 30 përqind më i lartë se një vit më parë.

Moshe Kozlovski ka ardhur në Berlin për t`i treguar qytetin të birit Atayr. Para hotelit ata takojnë shoqëruesin gjermano-izraelit të turistëve.

Izraelitët në moshë të thyer e shikojnë Berlinin gjithnjë si qendrën e nacionalsocializmit. Për brezin e ri, Berlini është një qytet ndërkombëtar. Pesë vitet e fundit, Berlini është bërë gjithnjë e më shumë qytet i preferuar, jo më shumë prej historisë ,se sa sepse të rinjtë duan të zbaviten këtu.Koszlovki me të birin dëshirojnë të vizitojnë sot disa monumente ,që kujtojnë përndjekjen e hebrejve gjatë Rajhut të Tretë.

Pjesë nga Muri i Berlinit, 2008

Pjesë nga Muri i Berlinit, 2008

Për 22 vjeçarin, Atayr kjo është hera e parë që vjen në Berlin:

"Para se të vinim këtu unë prisja që të shihja në të gjitha ndërtesat nga një flamur gjerman. Kurse në rrugë të shihja njerëz që marshonin. Por nuk është kështu. Berlini është një qytet modern. Kur erdhëm unë i thashë tim eti se këtu është sikur të ishim në Paris, ose në Londër. Thjesht moderne dhe çdo gjë kaq e bukur."

Monumente dhe qendra, që kujtojnë historinë gjermane janë pjesë e atraksioneve turistike, si për shembull mbetjet e Murit të Berlinit në Sheshin e Potsdamit. Ose tek „Checkpoint Charlie“ – pika e dikurshme e kalimit kufitar. Berlini është qytet i preferuar më shumë për italianët, britanikët, spanjollët dhe amerikanët.

„Berlini është qytet shumë tolerant. Është një qytet që nuk fle kurrë. Ka pra energji urbane shumë pozitive. Megjithatë njerëzit nuk bëhen neurotikë, sepse këtu ka shumë hapësirë për tu zhvilluar. Është një qytet që mund të përballohet financiarisht. Këtu paguan gjysmën e çmimit që paguan në metropole të tjera.“

Oferta kulturore në Berlin është e madhe, ajo arrin deri në 1.200 aktivitete çdo mbrëmje. Qyteti ka tri opera dhe shumë muzeume të njohura në nivel ndërkombëtar. Rreth 75 përqind e vizitorëve të muzeumeve janë turistë. Muzeu Pergamon është muzeumi më i vizituar i qytetit.

Më rritjen e numrit të turistëve është shtuar edhe numri i hoteleve dhe i kapaciteteve të tyre, duke arritur aktualisht deri në 110 mijë krevate. Në qytet ka 22 hotele me 5 yje, një nga më të njohurit është Hoteli „Adlon“.

Hotel Adlon, Berlin

Hotel Adlon, Berlin

„Më parë në Hotelin Adlon vinin vetëm të moshuar të pasur, kurse sot klientët tanë nuk janë vetëm nga kjo shtresë, por janë edhe të rinjtë nga bota kreative. Kështu për shembull gjatë javës së modës në muajt janar dhe korrik në hotel vijnë shumë të rinj."

I kthehemi vizitorëve nga Izraeli. Kozlovski-t janë dy prej 50 mijë turistëve, që erdhën vitin e kaluar në Berlin.

“Është shumë e rëndësishme të vish në Berlin dhe të vizitosh të dyja, nga njëra anë historinë me të gjitha kthesat e saj nga ana tjetër të ardhmen me optimizmin."

Berlini është një qytet i gjallë dhe shumë më tepër se histori. Edhe nëse sot vijnë gjithnjë e më shumë turistë në Berlin, ekspertët e turizmit mendojnë se pas dhjetë vjetësh, numri i fjetjeve në kryeqytetin gjerman do të arrijë në deri 30 milionë turistë në vit...

Autor: Maik Meuser/Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 13.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zxI5
  • Data 13.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zxI5