1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Berlini ndalon transportin ajror të mallrave nga Jemeni nëpër Gjermani

Njëra nga paketat me lëndë shpërthyese dërguar nga Jemeni ka kaluar nëpër aeroportin gjerman Këln-Bon. Ministri i Brendshëm gjerman ka vendosur të merret seriozisht me pikat e dobëta të kontrollit në transportin ajror.

Avion transporti

Avion transporti

Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière kishte planifkuar në fakt të niste të dielën (31.10.) një udhëtim për në Lindjen e Mesme. Vizita triditore në Tel-Aviv, Jerusalem dhe Ramallah ishte planifikuar kaherë, por paketa me lëndë shpërthyese e zbuluar në Angli e ka shtyrë këtë vizitë për një kohë të pacaktuar. Shefi i sigurimit të vendit duhet të mbetet në vend, u tha në Ministrinë e Brendëshme në Berlin, pasi u bë e ditur se paketa e zbuluar në aeroportin britanik East Midlands kishte kaluar edhe nëpër aeroportin Këln-Bon. Zyra Federale e Kriminalistikës është informuar të premten prej shërbimeve sekrete të Arabisë Saudite për paketën e nisur për në Çikago, por informata erdhi tepër vonë, theksoi de Maizière.

Thomas de Maiziere (CDU) gjatë konferencës për shtyp(31.10.2010)

Thomas de Maiziere (CDU) gjatë konferencës për shtyp(31.10.2010)

"Më pas kemi konstatuar se në momentin, kur morëm informacionet, paketa ishte nisur për në Britaninë e Madhe, por është e vërtetë që paketa ka kaluar nëpër aeroportin Këln-Bon. Zyra Federale e Kriminalitikës e ka gjetur numrin e saktë të paketës dhe i ka njoftuar autoritetet britanike, sepse e kemi ditur që ajo është nisur për në Britaninë e Madhe." - tha ministri.

Kontroll rigoroz i pasagjerëve, por jo i avionëve të transportit

Autoritetet gjermane të sigurisë duket se i ka befasuar përpjekja për sulme terroriste me paketa të dërgura me postë. Sepse ndërsa njerëzit kontrollohen në mënyrë rigoroze, kontrolli i avionëve të transporteve gati që nuk ka ndryshuar. Këtë e pranoi edhe vetë ministri: "Shumë gjëra flasin se Gjermania nuk është objektiv i sulmeve. Në transportimin e mallrave në fluturimet ndërkombëtare nuk dihet prej fillimit se cila është rruga e saktë e transportit. Pra nuk ishte e qartë se ky transport do të kalonte nëpër Gjermani. Por është fakt që ka kaluar nëpër Gjermani dhe është plotësisht e paqartë se kur mund të shpërthente kjo lëndë - pëmes një mekanizmi automatik apo pas kalimit të një kohe të caktuar."

Edhe Gjermania e rrezikuar prej rrjetit terrorist El Kaida

Me fjalë të tjera: Gjermania është shumë më e rrezikuar prej rrjetit terrorist El Kaida, nga sa mendohej në fillim, sepse lënda shpërthyese mund të aktivizohej edhe në Gjermani. Si pasojë e kësaj në Gjermani janë ndaluar përkohësisht ardhja e avionëve të transportit nga Jemeni.

"Qeveria federale ka kërkuar ndalimin e transportit ajror të mallrave nga Jemeni nëpër Gjermani. Është ky një aksion i përbashkët me SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Francën." - tha ministri i Brendshëm Thomas de Maizière.

Ndërkohë është urdhëruar që të kontrollohen detajisht të gjitha mallrat që kanë mbërritur nga Jemeni, qoftë përmes qarkullimit ajror apo tokësor. Ministri de Maizière ka paralajmëruar edhe masa për eliminimin e dobësive në sistemin e kontrolleve.

Autor: Sabine Kinkartz / Bahri Cani
Redaktor: Pandeli Pani

DW.COM

  • Data 01.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PvNU
  • Data 01.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PvNU