1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Berlini kërkon të luajë rol konstruktiv

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë u ka ofruar izraelitëve dhe palestinezëve mbështetjen e Berlinit për raundin e ri të bisedimeve të paqes. Megjithatë, kur ai arriti në vend, Izraeli miratoi ndërtimin e kolonive të reja.

Pas një takimi të dielën në Jeruzalem me ministren e Drejtësisë, Zipi Livni, Guido Westerwelle u tha reporterëve se Gjermania planifikon të luajë një "rol konstruktiv dhe suportiv" në raundin e ri të negociatave të paqes. Ai shtoi se bisedimet e paqes janë në interesin jo vetëm të dy palëve, por edhe të rajonit dhe të të gjithë botës.

Livni, e cila është kryenegociatorja e Izraelit në bisedimet e paqes e përdori konferencën e përbashkët të shtypit me Westerwellen për të kritikuar BE për kundërshtimin që ai i bën ndërtimit të kolonive.

"Eshtë një fakt i ditur se konflikti midis Izraelit dhe palestinezëve për fat të keq nganjëherë pengon marrëdhëniet midis Izraelit dhe BE, " tha ajo. "Mendoj se duhet ta shmangim këtë lidhje".

Livni me sa duket iu referua direktivave të paraqitura muajin e fundit nga BE, të cilat kërkojnë që duke filluar nga viti 2014, të gjitha marrëveshjet e partneritetit me Izraelin duhet të përcaktojnë qartë se nuk do të zbatohen në Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jeruzalemin lindor. Të gjitha këto janë territore të pushtuara nga Izraeli në luftën e vitit 1967, të cilat palestinezët i duan si pjesë të një shteti të ardhshëm.

Bisedimet e paqes kanë qenë të bllokuara për tri vitet e shkuara, deri në fund të muajit të kaluar, kur sekretari amerikan i shtetit, John Kerry i bindi palestinezët që të kthehen në tryezën e bisedimeve, megjithë pamundësinë e tij për të ofruar një bllokim të ndërtimit të kolonive, të cilën palestinezët e patën kërkuar si parakusht.

Ndërtimi i kolonive

Po të dielën, Izraeli aprovoi ndërtimin e 1,187 apartamenteve në Jeruzalemin lindor dhe në Bregun Perëndimor.

"Asnjë vend i botës nuk merr urdhra nga shtete të tjera, se ku mund të ndërtojë dhe ku nuk mund të ndërtojë," thuhet në një deklaratë të ministrit izraelit të strehimit, Uri Ariel. "Ne do të vazhdojmë ndërtimin e shtëpive dhe ta ndërtojmë të gjithë vendin...Kjo është gjëja e duhur në kohën e tanishme, për sionizmin dhe për ekonominë."

Palestinezët shprehën pakënaqësi kur dëgjuan këto lajme, por kryenegociatori i tyre i ndaloi që të kërcënojnë me tërheqjen nga bisedimet.

" Komuniteti ndërkombëtar duhet të qendrojë i bashkuar në këtë proces të paqes, të na mbështesë dhe ta bëjë përgjegjës Izraelin për vazhdimin e aktiviteteve të ndërtimit të kolonive," i tha Saeb Erekat agjencisë së lajmeve Reuters.

Para raundit të ardhshëm të negociatave, i cili është planifikuar për të mërkurën, Izraeli pritet të lirojë grupin e parë të 26 të burgosurve palestinezë, prej numrit të përgjithshëm prej 100 vetësh, për të cilët ra dakord Kerry, në mënyrë që të rinisnin negociatat.

Westerwelle u takua më vonë me presidentin izraelit Shimon Peres, para se të shkojë të hënën në Ramallah për bisedime me presidentin palestinez, Mahmoud Abas.