1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlini kërkon politikë unike ndaj Sirisë

Kay-Alexander Scholz / Bahri Cani27 Gusht 2013

Pas përdorimit të gazrave helmuese në Siri janë shtuar spekulimet për mundësinë e ndërhyrjes ushtarake kundër regjimit në këtë vend. Gjermania kërkon reagime të përbashkëta.

https://p.dw.com/p/19WbB
Fotografi: AFP/Getty Images

Qeveria gjermane është e mendimit se sipas të gjitha gjasave në Siri është përdorur gaz helmues, pohon zëdhënësi i Qeverisë, Steffen Seibert. "Rrethanat, fotografitë, dëshmitarët okularë dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare flasin me një gjuhë shumë të qartë. "Në Siri është bërë një krim i tmerrshëm, fotografitë e viktimave janë tejet shqetësuese. Kjo është një thyerje e tabuve dhe shkelje e rëndë e konventës kundër përdorimit të armëve kimike. Kjo kërkon një përgjigje të qartë të bashkësisë ndërkombëtare", thotë Seibert. Sipas tij, kjo nuk mund të mbetet pa pasoja, ndaj kërkohet veprim.

Rebelët sirianë raportojnë për sulme me gazra helmuese
Rebelët sirianë raportojnë për sulme me gazra helmueseFotografi: Reuters

Leja për futjen e inspektorëve të OKB në Siri duhet të përshëndetet. Megjithatë ky hap vjen tepër vonë. Kështu mendojnë kancelarja Angela Merkel, presidenti i Francës François Hollande dhe kryeministri britani David Cameron. Zëdhënësi i Qeverisë gjermane thonë se veprimet e bashkësisë ndërkombëtare duhet të koordinohen me SHBA-në dhe partnerët e tjerë.

Westerwelle kërkon konseguenca

Edhe ministri i Jashtëm Guido Westerwelle kërkon një qëndrim të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare dhe angazhim politik për t'i dhënë fund dhunës. Në konferencën me ambasadorë në Berlin ai tha se "bllokimi i Këshillit të Sigurimit të OKB paraqet një frustrim". Ministri i Jashtëm gjerman tha se në rast se konfirmohet përdorimi i armëve kimikë në Siri, bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë. "Gjermania do të jetë në një rast të këtillë në anën e atyre që kërkojnë konseguenca".

Westerwelle megjithatë nënvizoi se një ndërhyrje ushtarake mund të jetë vetëm e përbashkët. Një zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme theksoi se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare është që të ketë një reagim unik. Nëse nuk ka një reagim të këtillë, do të krijohej një gjendje e re, për të cilën në këtë moment Qeveria gjermane nuk do të spekulojë.

Në foto, Guido Westerwelle
Në foto, Guido WesterwelleFotografi: DW/Silvera Padori - Klenke

Opozita kundër ndërhyrjes ushtarake

Më parë shumë politikanë gjermanë janë shprehur kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri, pas raporteve se SHBA, Britania e Madhe dhe Franca po e shqyrtojnë këtë mundësi. "Mendoj se duhet të jemi të përmbajtur dhe të mos bëhemi pre e një logjike ushtarake", pohon kandidati i socialdemokratëve për kancelar, Peer Steinbrück. Ai nuk mendon se ndërhyrja ushtarake do të qetësonte gjendjen në këtë vend dhe do t'i kontribuonte ruajtjes së të drejtave të njeriut në Siri. "Besoj se rruga më e mirë është presioni masiv ndërkombëtar ndaj Sirisë, gjë që duhet të bëhet me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara."

Zëdhënësi për politikë të jashtme i SPD, Rolf Mützenich, shpreson se edhe Rusia do ta ndryshojë mendimin. "Ne duhet ta bindim Rusinë se pas përdorimit të këtyre armëve kërkohet një ndërhyre për të evituar përkeqësimin e gjendjes", thotë Mützenich për DW.

Në foto, Rolf Mützenich
Në foto, Rolf MützenichFotografi: Imago

Jan van Acken, zëdhënës për politikë të jashtme, i të Majtës kërkon nga vendet si Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia që të mos ekportojnë armë në Siri. "Të gjithë thonë se kjo duhet të ndërpritet, por gjërat nuk po ndryshojnë", nënvizon van Aken për DW.

Ekspertët e OKB-së të hënën janë nisur për në Siri, ku duhet të mbledhin dëshmi për përdorimin apo jo të armëve kimike. Opozita e Sirisë pohon se ushtria ka përdorë armë të palejueshme dhe ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 1000 njerëzve. Damasku i ka hedhur poshtë këto pohime. Leja për futjen në këtë vend të inspektorëve ndërkombëtarë është dhënë të dielën.