1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Berlini i ndarë: "Më dukej vetja si majmun në kopshtin zoologjik"

Për katër dekada Berlini ishte i ndarë. Për të kaluar kufirin duheshin viza ose leje të veçanta. Kadri Mulaj ishte ndër të paktët që kishte këtë leje. Kosovari nga Mitrovica kujton ato kohë që kaloi me të shoqen Elken.

default

Elke Müller dhe Kadri Mulaj

Elke Müller nuk e njeh më qytetin e saj të lindjes: Shtëpitë e vjetra dhe të rrënuara nga koha e socializmit janë zhdukur. Pallate të qelqta dhe rrugë të asfaltuara janë ngritur tani rreth përqark lumit Spre në stacionin e trenit "Friedrichstraße".

"Shpeshherë them: o ç'bën leku!" Këtë e bëri kapitali", thotë shoku i saj shqiptar nga Mitrovica, Kadri Mulaj.

Koha e studimeve

Kur Kadriu, asokohe student, vendosi të vinte në Berlinin perëndimor në vitin 1978, qielli mbi këtë kryeqytet ishte i ndarë. "Si sot më kujtohen radhët e personave me qindra, që prisnin për të kaluar brezin kufitar me qëllim që të kishin 24 orë në dispozicion, sepse aq zgjaste një vizë ditore", tregon ai. Kadriu vetë ishte martuar me një gjermano-lindore dhe kishte vizë të përhershme për të dy pjesët e Berlinit. Për këtë privilegj ia kishin zili miliona qytetarë të Gjermanisë Lindore si për shembull Elke.

"Unë kam jetuar afër kufirit, në Oderberger Strasse. Po ta hidhje gurin, ai binte në Berlinin Perëndimor. Në anën tjetër ishte një kullë vrojtimi dhe aty vinin autobusët me vizitorë, hipnin në kullë e na shikonin. Mua më dukej vetja si ndonjë majmun në kopshtin zoologjik", kujton Elke, teksa rri e mbështetur në parvazin e një ure mbi lumin Spre, që shërbente si vijë ndarëse mes dy pjesëve të Berlinit.

Këtu dikur vdisje, në përpjekje për të kaluar kufirin

BdT Deutschland DDR Mauer Gedenken an STASI Opfer

Ura mbi Spre - këtu dikur vdisje...

Elke shikon njerëzit që kalojnë mbi urë pastaj thotë: "Është shumë e çuditshme që këtu ishte kufiri. Dhe që njerëzit kanë vdekur kur kanë dashur të kalojnë. Ndërsa tani të gjithë mund të lëvizin lirshëm". Në brigjet e lumit janë vendosur kryqe në kujtim të njerëzve që kanë humbur jetën duke u përpjekur të kalojnë në anën tjetër.

Kadri Mulaj emocionohet tek i sheh dhe kujton: "Unë atëherë kisha marrë me qera banesën e një kolegu të punës së Elkes, Chris Gueffroy. Ai ishte personi i fundit që tentoi të kalonte murin dhe u vra. Kur dëgjuam për këtë u prekëm shumë", kujton ai.

Në breg të lumit është një kryq që mban emrin e Gueffroy-it. Ai u vra në shkurt të vitit 1989. Pak më vonë u hoq urdhri për goditje në kufi, por Elke nuk u besonte organeve të RDGJ-së.

Ikja "matanë"

Në nëntor 1989 ajo u nis të shkonte "matanë", siç i thoshin gjermano-lindorët Perëndimit. Jo nga muri, por me aeroplan për në Budapest, ku mijëra bashkëqytetarë të tjerë të saj ishin grumbulluar në ambasadën e RFGJ-së. Të nesërmen Elke lexon në gazetë se ka rënë muri, por ajo nuk kthehet. "Do të doja të isha në anën e duhur, po ta ndërtonin murin sërish", thotë Elke. "Unë i thosha shoqes të qëndronte në Lindje sepse aty jeta ishte më e lirë. Ajo thoshte jo, unë dua të kaloj në anën tjetër të gëzoj lirinë, që ishte shumë e logjikshme", thotë Kadriu.

U desh të kalonte kohë derisa berlinezja të mësohej me jetën e re në qytetin e saj të panjohur: "Ishte e çuditshme, sepse ti ishe në qytetin tënd dhe nuk mund të orientoheshe në të." Por Elke dhe Kadriu kanë mbetur në pjesën perëndimore. Nganjëherë shkojnë për vizitë në lindje për të parë ndryshimet. Lagjja e vjetër e Elkes, Prenzlauer Berg është shndërruar në një nga qendrat kryesore të artit, modës dhe muzikës. Asgjë nuk ka mbetur si më parë: pallatet janë rregulluar dhe u janë shitur biznesmenëve nga e gjithë bota, çdo gjë është shtrenjtuar, fqinjët e dikurshëm të Elkes janë detyruar të largohen për t'ua lënë vendin perëndimorëve me të ardhura të mira. "Ishte çmimi i lirisë", thotë Elke.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 08.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KQVg
  • Data 08.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KQVg