1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Berlini i hedh poshtë kritikat nga Shkupi

BE e ka lënë vendin tonë në baltë, kritikon presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov në intervistë për një gazetë gjermane. Sipas tij Gjermania refuzon bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Berlini i hedh poshtë kritikat.

Zyra e kancelarisë në Berlin nuk e kupton kritikën e ashpër të presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov në intervistën për gazetën "Bild". Qeveria federale që prej shpërbërjes së Jugosllavisë me impenjim të madh është angazhuar për stabilizimin e rajonit, tha zëdhënësi qeveritar Steffen Seibert në Berlin.

Gjermania mbështet përpjekjet për reforma në shtetet e Ballkanit Perëndimor me programe voluminoze, me ndihmën e të cilëve këto shtete duhet të afrohen në BE. Në vitet 2014 deri në vitin 2020 vetëm Maqedonia do të marrë 664 milionë Euro nga BE-ja.

Kancelarja përveç kësaj në gusht 2014 inicioi Konferencën për Ballkanin Perëndimor, që zhvillohet çdo vit, për të theksuar perspektivën europiane të shteteve të rajonit dhe për të bashkëpunuar në projekte konkrete. Komisioni i BE-së rekomandon qysh nga viti 2009 fillimin e bisedimeve të antarësimit me Maqedoninë.

"52 milionë Euro ndihma"

Qeveria federale është e vetëdijshme, që aktualisht Maqedonia për shkak të numrit të lartë të refugjatëve është e ngarkuar në masë të madhe. Zëdhënësi qeveritar Seibert e hodhi poshtë deklaratën e presidentit Ivanov, sipas të cilit nga Europa "nuk ka marrë asnjë Cent" ndihma. Në kontekstin e detyrave për refugjatët BE-ja i ka vënë në dispozicion Maqedonisë gjithsej 52 milionë Euro, tha Seibert.

Berlin Regierungssprecher Steffen Seibert

Zëdhënësi qeveritar Steffen Seibert

Sa u përket kritikave, se Gjermania refuzon bashkëpunimin në shkëmbimin e të dhënave lidhur me xhihadistët e dyshuar, zëdhënësi i Ministrisë së Brendëshme u përgjigj, se Gjermania natyrisht bashkëpunon edhe me Maqedoninë për çështjet e terrorizmit. Por gjatë shkëmbimit të informacioneve Gjermania duhet t'u përmbahet ligjeve, veçanërisht sa ka të bëjë me transferimin e të dhënave personale nga autoritetet gjermane tek ato të huaja.

Maqedonia që nga prilli 2015 merr pjesë gjithashtu në një program të Europol-it, në të cilin bëhet fjalë për luftëtarë të huaj, tha më tej zëdhënësi i ministrisë. Ndaj është i mundur edhe një shkëmbim shtesë të dhënash përmes Europol-it. Sipas dijenive të palës gjermane, Maqedonia ka marrë të dhëna përmes këtij kanali për të ashtuquajturit "foreign fighters". Si rrjedhojë është e pakuptueshme kritika e ngritur në intervistë.

Mesazh popullit të vet

"Kjo intervistë qartazi në fokus ka politikën e brendëshme në Maqedoni", vlerëson Eckart Stratenschulte, president i Akademisë Europiane në Berlin. Qeveria maqedonase ndodhet nën presionin masiv të BE-së që më 5 qershor të zhvillojë zgjedhje korrekte, i tha eksperti i Ballkanit DW-së. "Synohet që të diskrititohet BE-ja dhe që të zhvleftësohet kritika e saj ndaj qeverisë dhe situatës në Maqedoni."

Mazedonien baut zweiten Zaun an der Grenze zu Griechenland

Paradoks, Maqedonia mbron kufijtë e BE-së

akuzat për korrupsion të opozitës kundër qeverisë kanë çuar në një bllokadë që zgjati prej muajsh në politikën e brendëshme, derisa dha dorëheqjen në janar kryeministri, që qeveris qysh nga viti 2006. Pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 27 prill 2014 partia e opozitës LSDM e bojkotoi pjesëmarrjen në parlament. Ajo i dha fund bojkotit më 1 shtator 2015.

"Qendrimin e zotit Ivanov duhet ta shohësh në sfondin e politikës së brendshme katastrofike në Maqedoni", mendon edhe politikani socialdemokrat Josip Juratovic, raportues për Europën Juglindore në komisionin parlamnetar të politikës së jashtme në Bundestag. "Me një intervistë të tillë z. Ivanov paraqitet si burri i fortë në vendin e tij", tha për DW njohësi i Maqedonisë. Edhe Juratovic akuzat për mungesën e ndihmës i konsideron të pajustifikueshme. Gjermania mbështet Maqedoninë financiarisht dhe me KnowHow në kuadrin e krizës së refugjatëve.

Kritika pjesërisht e drejtë

Edhe nëse eksperti i Ballkanit Stratenschulte diksionin e intervistës e konsideron "të papërshtatshëm", dy pika të kritikës ai i kupton: Në fakt disa vende të BE-së e kanë lënë Maqedoninë që të përballojë detyrat e mbrojtjes kufitare të BE-së. "Ky është rezultati i Konferencës së Ballkanit më 24 shkurt, ku Gjermania dhe Greqia nuk ishin ftuar, e ku Maqedonia mori pjesë", i tha DW-së Stratenschulte.

Lidhur me rritjen e zhgënjimit të maqedonasve, sipas ekspertëve, influencon edhe fakti, se Komisioni i BE-së qysh më 2009 rekomandon hapjen e bisedimeve të antarësimit me Maqedoninë, por procesi nuk ecën përpara. Një ndër arsyet është bllokada e Greqisë, të cilën e shqetëson përdorimi i emrit "Maqedoni".