1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Berlini dhe Parisi për sanksione ndaj Kievit

Kancelarja e Gjermanisë Merkel dhe presidenti i Francës Hollande reaguan të shokuar ndaj zhvillimeve në Ukrainë. Ndaj në takimin e tyre ata u angazhuan për vendosjen e sanksioneve kundër autorëve të akteve të dhunës.

"Ata, që duhet të përgjigjen për këto akte, duhet ta dinë, se në çdo rast do të sanksionohen", tha presideni i Francës François Hollande në një konferencë të përbashkët shtypi me kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel në Paris (19.02.2014) në kuadër të konsultimeve ministeriale gjermano-franceze.

Merkel tha, se ndërhyrja e forcave ukrainase të rendit ndaj kundërshtarëve të qeverisë "nuk mund të pranohet". Por në çdo rast sanksionet duhet të prekin autorët e këtyre zhvillimeve. "Nuk ka kuptim tani për tani të vendosen sanksione, që mund të prekin popullsinë civile." Më tej kancelarja deklaroi, se: "Vetëm sanskionet nuk mjaftojnë. Ne duhet të vemë sërish në lëvizje procesin politik." Për këtë duhen shfrytëzuar edhe kontaktet " në drejtim të Rusisë".

"Të rifillojë dialogu"

Pamjet nga ndërhyrja e forcave të rendit në sheshin e pavarësisë në Kiev, Maidan, Merkel i cilësoi si "shokuese". "Ne ndiejmë bashkë me njerëzit, të cilët vuajnë prej dhunës në Maidan apo kudo gjetkë. Ne do të bëjmë gjithçka të mundshme, që të rinisë dialogu", theksoi Merkel. Fjala është për krijimin e një qeverie tranzicioni dhe për zgjedhje të lira. Ka gatishmëri edhe për bisedime me presidentin Viktor Janukoviç. Por kusht është megjithatë, që presidenti "të jetë në dispozicion edhe për bisedime".

Kiew Proteste 19.2.2014

Pamje nga Kievi

Në Berlin më parë u komunikua, se të martën në mbrëmje, kur në Kiev ishte kulmi i konfrontimeve në rrugë, Merkel është përpjekur disa herë të telefonojë me Janukoviçin, por nuk ka arritur të flasë me të. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier në një konferencë shtypi në Berlin apeloi që të hiqet dorë nga dhuna në ish-republikën sovjetike.

Ky apel vlen si për policinë, ashtu edhe për forcat radikale ndër demonstruesit. Ukraina po e paguan shtrenjtë taktikën e zvarritjes që ndjek Janukoviçi, shtoi Steinmeier.

Qeveria e SHBA-së i bëri thirrje udhëheqjes në Kiev, që t'i tërheqë forcat e policisë nga sheshi Maidan, të shpallë armëpushimin dhe të nisë bisedimet me opozitën. Qeveria e SHBA-së gjithashtu theksoi në Uashington, që mendon për opcionin e sanksioneve dhe për këtë do të konslutohet me BE-në. Në konfrontimet e dhunshme, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Kiev deri të mërkurën në mengjes kanë gjetur vdekjen 25 vetë.

Takimi i ministrave të jashtëm të BE-së

Sanktionet e BE-së ndaj udhëheqjes ukrainase pritet të vendosen gjatë ditës së enjte. E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton vendosi organizimin e një mbledhjeje urgjente të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel si dhe një takim të ekspertëve të sigurisë të vendeve të BE-së. Sipas presidentit të Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy, duhet të vendosen "sansksione financiare dhe kufizime në dhënien e vizave" ndaj udhëheqësve politikë të Ukrainës.