1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Berlini dhe Moska: grindje për shkak të Ukrainës?

Ukraina mund të kthehet në mollë sherri midis Berlinit dhe Moskës. Rusia kritikon vizitën e Ministrit të Jashtëm Westerwelle në Kiev. Tani edhe kancelarja dëshiron t'i forcojë krahët opozitës.

Para rreth nëntë vjetësh, në fund të nëntorit 2004, ish-kancelari Gerhard Schröder (SPD) mori në telefon presidentin rus, Vladimir Putin. Fjala ishte për Ukrainën. Qindra mijëra vetë demonstronin në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev në të ashtuquajturin "Revolucion i portokalltë" kundër falsifikimit të zgjedhjeve presidenciale. "Na lejoni të japim ndihmën tonë që situata të mos dalë jashtë kontrollit", i tha Schröderi Putinit. "Na duhet një Ukrainë demokratike, paqësore".

Rusia kishte marrë atëherë anën e falsifikuesit të zgjedhjeve, Janukoviç. Putini e uroi për fitoren. Por në fund Rusia nuk u përzie më, protestat mbetën paqësore, zgjedhjet u përsëritën, opozita fitoi. Janukoviçi u bë president vetëm pas votimit në vitin 2010.

Rusia e shkaktoi krizën

Ende nuk e ka marrë telefonin në dorë kancelarja Angela Merkel (CDU) për të folur me Putinin për gjendjen aktuale, krizën e politikës së brendshme në Ukrainë. Por ajo do të kishte disa shkaqe që ta bënte këtë. Gjendja në Ukrainë është ngjashëm e tensionuar si në vitin 2004. Qindra-mijëra vetë dalin prej javësh në Kiev. Ata demonstrojnë për afrimin e Ukrainës me Bashkimin Evropian.

Kriza u shkaktua ndër të tjera për shkak të presionit të Moskës ndaj Ukrainës. Moska kërcënoi me kufizime tregtare, nëse Ukraina e nënshkruan marëveshjen e asociimit me BE. Qeveria e Kievit e bllokoi pas kësaj marrëveshjen tashmë të negociuar me BE. Me këtë ajo provokoi protestat aktuale masive.

Roli ndërmjetës i Gjermanisë - i vështirë

Disa në Ukrainë e dëshirojnë një ndërmjetësim të Berlinit në dy drejtime. Nga njëra anë, që Berlini të kontribuojë për vendosjen e një dialogu midis presidentit Janukoviç dhe opozitës, për të penguar gjakderdhjen. Nga ana tjetër, dëshirohet që Gjermania të ushtrojë presion ndaj Rusisë, në mënyrë që Moska të mos ushtrojë presion ndaj Kievit për shkak të afrimit të Ukrainës me BE.

Guido Westerwelle dhe Vitaly Klitschko in Kiew

Guido Westerwelle dhe Vitaly Kliçko në Kiev

Jens Paulus, drejtues i sektorit Evropa në Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), në Berlin është skeptik. "Unë mendoj se ky rol ndërmjetësues, që kërkohet herë pas here nga ne, është shumë i vështirë", tha Paulus në bisedë me DW. "Këtë funksion Gjermania nuk mund dhe nuk duhet ta luajë". Por ai pranon që Gjermania e "njeh pak më mirë" Rusinë se shtete të tjera të BE. Prandaj Berlini mund të kontribuojë në bisedimet për një afrim të Ukrainës me BE që "interesat ruse në rajon" të kuptohen më mirë.

Moska e kritikon Westerwellen

Javën e kaluar, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle udhëtoi në Kiev, për të marrë pjesë në një takim të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Westerwelle i vizitoi protestuesit në "Maidan", në sheshin e pavarësisë, u takua me drejtues të opozitës, por edhe me përfaqësues të qeverisë.

Vizita e Westerwelle-s shkaktoi zemërim në Moskë. Kryeministri rus, Dmitri Medvedjev dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov e kritikuan Westerwellen se përzihet në punët e brendshme të Ukrainës. Ministria e Jashtme gjermane i hodhi poshtë akuzat. Berlini madje duket i gatshëm të bëwjë edhe një hap më tej. Kancelarja Merkel, sipas medieve, dëshiron të takojë në ditët e takimit të nivelit të lartë në Bruksel, në mes të dhjetorit, udhëheqësin ukrainas të opozitës, Vitali Kliçko. Me këtë ajo dëshiron t'i ofrojë atij mbështetje në mënyrë demonstrative.

Barrë për marrëdhëniet gjermano-ruse?

"Merkeli ka thënë se Gjermania dhe Rusia nuk duhet të flasin në tone bardh e zi për bashkëpunimin e tyre të ardhshëm", thotë drejtuesi i Qendrës për Studimet Gjermane në Akademinë ruse të Shkencave, Vladislav Belov. Kancelarja gjermane ka propozuar që debati për Ukrainën të largohet nga motoja "ose-ose". Merkeli ka sinjalizuar tashmë se do të flasë për këtë me Putinin në takimin e tyre të ardhshëm në fillim të vitit 2014. Eksperti Belov nuk beson se marrëdhëniet gjermano-ruse do të rëndohen nga kriza në Kiev.