1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Berlinalja 2016: “Shumë filma trajtojnë humbjen e vendlindjes“

Dieter Kosslick drejton prej më shumë se 15 vitesh Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Edicioni i 66-të i Berlinales po troket. Ku do të fokusohet Berlinalja këtë vit? Kosslick me risitë e traditat.

Deutschland Dieter Kosslick Berlinale 2016 PK

Dieter Kosslick

Deutsche Welle: Zoti Kosslick, për çfarë gëzoheni ju më shumë kur fillon Berlinalja e 66-të?

Dieter Kosslick: Gëzohem më shumë sidomos kur mbaron ceremonia e hapjes e kalon pa ndonjë problem të madh, sepse hapja është një ceremoni e fortë, si rënia e gongut, pasi mbaron ajo, Berlinalja starton ashtu si duhet.

Gjithmonë ka pasur momente emocionale të fuqishme në Berlinale: Rolling Stones, por edhe ish-të burgosur të Guantanamos në filmin dokumentar, “Road to Guantanamo”. Cilat janë pikat kulmore këtë vit?

Për fat të keq duhet ta kujtojmë rishtazi filmin „Road to Guantanamo“-për shkak të temës që trajton, sepse kjo temë është prezente edhe këtë vit. Kemi shumë filma që trajtojnë temën e migracionit dhe humbjen e vendlindjes - që në fakt nxjerrin në pah temën themelore që kemi në Berlinale - „të drejtën për lumturi“.

„E drejtë për lumturi“- çfarë nënkupton kjo në Berlinale?

Kjo temë është shumë e gjerë. Për shembull në një film gjerman qe shfaqet në Berlinale me titullin „25 javë“ një çift e kërkon lumturinë në familje. Pasi u vjen në jetë fëmija i dytë, ata diskutojnë se çfarë do të thotë kjo për jetën e tyre. Fillojnë problemet, e debati mes tyre intensifikohet. Bëhet fjalë pra se si ta gjejmë lumturinë si familje me një fëmijë tjetër? E po ta ngresh kameran drejt një pamjeje frontale mund të thuash se të gjithë ata njerëz që migrojnë, që largohen nga vendlindja në të vërtetë janë në kërkim të lumturisë. Ndryshe ata do të qëndronin në vendlinje. Askush nuk e braktis vendlindjen, nëse nuk duhet ta bëjë këtë. Kjo i lidh, besoj unë këta 435 filma që shfaqim këtë vit në Berlinale.

Ja ku keni pra sërish moton, që kinemaja ka edhe përgjegjësi sociale…

Çdo ngjarje kulturore ka një përgjegjësi sociale. Kultura në vetvete presupozon përgjegjësinë sociale. Kjo është sot më shumë se kurrë e nevojshme, sepse ekonomia ka dështuar. Sepse kjo lloj katastrofe që po përjetojmë tani nuk është një luftë fetare në thelb. Ndoshta është edhe kështu, ashtu si kryqtarët që dikur u shpërndanë në vende të ndryshme për të shpërndarë fetë tona. Por katastrofa e sotme është edhe përgjigja ndaj globalizimit të shfrenuar ekonomik. Njerëzit janë varfëruar, njerëzit vdesin nga varfëria në kushte të papërfytyrueshme. Ndërsa ne veshim bluza për një euro dhe nuk e vrasim mendjen se kush e në ç'kushte e prodhon atë.

Kush ka qenë në Berlinale e di se festivali është edhe i lodhshëm. Për ju si drejtor a do të thotë Berlinalja 10 ditë stress, 24 orë rresht?

Jo, jo, jo sigurisht që është stres, por edhe kënaqësi. Berlinalja është një festë e filmit. Kemi edhe komedi, madje edhe Depardieun e njohur. Kemi shumë filma të bukur francezë, katër gjithsej në programin zyrtar, ku me humor preken problemet sociale.

A mund të na thoni tri gjëra, me të cilat duhet të pajiset një vizitor që shkon në Berlinale?

Së pari gjithkush që shkon aty ka diçka me vete, pra dëshirën, dashurinë për kinemanë. Nganjëherë nuk është e lehtë të gjesh një biletë. Duhet të marrësh me vete edhe një bonbon kundër kollitjes, sepse në filmat ku nuk ka shumë veprim bie në sy kur kolliten 2000 vetë njëherësh, është si reaksion zinxhir, fillon njëri dhe të tjerët sikur infektohen. Tjetra, vizitori duhet të vishet ngrohtë, të hajë mirë, e me të gjitha këto sigurisht që ka për t'ia kaluar shkëlqyeshëm në Berlinale.