1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Berisha: Shqipëria do të bënte gabim të pafalshëm, nëse përjashton mundësitë e energjisë nukleare

Energjia nukleare në Shqipëri i përket të ardhmes, pasi Shqipërisë i mungojnë jo vetëm kapacitetet financiare dhe teknike, por edhe ato ligjore.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Deutsche Welle: Zoti Berisha, ulja e temperaturave ka rikthyer krizën energjitike, e cila sa vjen e po bëhet më shqetësuese, jo vetëm për qytetarët, por në rradhë të parë për ekonominë e Shqipërisë. Mungesa e furnizimit me energji elektrike shkakton rreth 300 milion dollarë humbje për ekonominë e vendit. Cilat janë shkaqet që Shqipëria nuk po gjen një rrugëzgjidhje për ta sfiduar këtë kolaps energjetik?

Shpërndarje e energjisë elektrike, Tiranë

Shpërndarje e energjisë elektrike, Tiranë

Sali Berisha: Për mendimin tim ka dy shkaqe kryesore: Së pari, në 30 vitet e fundit nuk është shtuar asnjë burim i ri energjetik. Së dyti, kemi mungesë lidhjesh solide, përveç se me Greqinë, të shoqëruara nga dobësitë e njohura të rrjetit elektrik ballkanik. Këto të fundit nuk favorizojnë shumë importet për shkak të mbingarkesës. Natyrisht, që gjatë këtij viti, kriza ka patur edhe një faktor shtesë. Eshtë thatësira e paparë ndonjëherë në historinë e këtij vendi. Këto janë shkaqet kryesore që kanë çuar në këtë gjendje katastrofike të furnizimit të energjisë elektrike në Shqipëri.

Deutsche Welle: Pra kjodo të thotë që Shqipëria vuan nga që ka vetëm burime hidrike?

Sali Berisha: Kryesisht, kjo qëndron, pasi thatësira e tejzgjatur i ka çuar liqejt e hidrocentraleve pothuajse drejt pikës së vdekjes së tyre. E ritheksoj edhe një herë se gjatë 30 viteve në Shqipëri nuk është shtuar asnjë burim tjetër i ri energjetik. Për herë të parë, është vendosur para një viti që të bëhen të gjitha përpjekjet për balancimin e prodhimit energjetik në Shqipëri për tu shkëputur nga varësia tërësisht ujore, ndonëse ne po favorizojmë dhjetëra e dhjetëra projekte hidrocentralesh, të cilat nisin ndërtimin. Por, pavarësisht nga kjo, ne do të ndjekim me vendosmëri rrugën e ballancimit të prodhimit të energjisë, pra energji nga burime të tjera.

Deutsche Welle: Duke u nisur nga kjo situatë, ju keni hedhur idenë e ndërtimit të një centrali që do të prodhonte energji elektrike me anë të një reaktori bërthamor për daljen nga kriza. Sipas jush, nuk ka rrugë të tjera? Pra, mbetet kjo e vetmja rrugë për të pasur Shqipëria furnizim të përhershëm me energji elektrike?

Sali Berisha: Pyetja është e drejtë. Nuk e shoh si rrugë të vetme. Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për ndërtimin e termocentraleve me gaz, termocentraleve me naftë apo parqeve nën shfrytëzimin e erës. Por unë besoj se burimi më konstant dhe më i pastër i energjisë është energjia nukleare. E kam thesuar dhe e theksoj se Shqipëria e ka të domosdoshme të shfrytëzojë të gjitha burimet e pastërta tëenergjisë dhe jo të bëhet një vend i vetëmjaftueshëm, por të bëhet edhe një eksportues shumë i rëndësishëm i energjisë, duke përfituar nga fakti se ka një pozicion gjeografik shumë të përshtatshëm si për Ballkanin, ashtu edhe për Italinë, vend ky, konsumues shumë i madh i energjisë, por që nuk ndërton përdisa arsye centrale nukleare.

Deutsche Welle: A i ka kushtet Shqipëria për një central të tillë? Pra a mjafton vetëm pozicioni gjeografik?

Sali Berisha: Në qoftë se qeveria do të përjashtonte me paragjykim njërin nga burimet e energjisë më serioze, më të pastra dhe më të rëndësishme, më të fuqishme siç është energjia nukleare, do të bënte një gabim të pafalshëm në strategjinë e saj energjitike
Megjithatë, ky duket se është një projekt që i përket të ardhmes, pasi Shqipërisë i mungojnë jo vetëm kapacitetet financiare dhe teknike, por edhe ato ligjore. Shqipëria sot nuk është e përgatitur për atë, sepse në radhë të parë, Shqipërisë i mungon kuadri ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky kuadër duhet të përgatitet. Duhet te behen negociata me ndërkombëtaret, në mënyrë që të jepet aprovimi për ndërtimin e centralit bërthamor në vend, çka si kusht primar në marrjen e kësaj lejeje është siguria maksimale në vend.

Deutsche Welle: Nuk do të ishtë më mirë një privatizim i KESH-it (Koorporata Energjetike Shqipëtare ), e cila duke u privatizuar, do të menaxhonte më mirë krizën?

Sali Berisha: Po. Përgjigjja më e mirë për zgjidhjen e situatës energjetike në Shqipëri është privatizimi, ndaj ne kemi kontaktuar për këtë me Koorporatën ndërkombëtare financiare, degën tregëtare të Bankës Botërore, e cila po punon për privatizimin e saj. Unë para dy ditësh kam pasur një takim të zgjeruar me përfaqësuesit e kësaj koorporate që merret me privatizimin dhe shpërndarjen e energjisë së sipërmmarrjes së KESH-it. Ata kanë një agjendë shumë serioze, të mirëpërcaktuar, dhe kemi diskutuar për afrimin me të. Vitin e ardhshëm është e sigurtë, sipas kësaj agjende të kësaj kompanie që ne kemi kontaktuar, që shpërndarja e energjisë elektrike në Shqipëri do të jetë plotësisht e privatizuar.

  • Data 15.11.2007
  • Autor Mimoza Cika Kelmendi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CE9A
  • Data 15.11.2007
  • Autor Mimoza Cika Kelmendi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CE9A