1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Berisha në Berlin - Flet për të kaluarën

Kryeministri shqiptar Sali Berisha ishte të mërkurën në mbrëmje në Berlin ku foli në Fondacionin Konrad Adenauer për të kaluarën e Shqipërisë nën regjimin komunist.

Kryeministri Sali Berisha duke folur në Fondacionin Konrad Adenauer

Kryeministri Sali Berisha flet në Fondacionin Konrad Adenauer mbi përvojën e tij në kthesën politike

Në axhendën e vizitës së shkurtër të kryeministrit shqiptar Sali Berisha të mërkurën në mbrëmje në Berlin nuk ishte parashikuar takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Ata do të takohen të enjten në Bruksel, ku kryetari i Partisë Demokratike do të asistojë në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Partisë Popullore Evropiane.

"Aty do të diskutoj për integrimet euroatlantike. Shqipëria ka përfunduar tërësisht procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe do të bëjë, në ujdi dhe në marrëveshje me kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, paraqitjen e kërkesës për kandidat në momentin e duhur," i tha Berisha Deutsche Welle-s duke shtuar: "Natyrisht, aty do të loboj edhe me të pranishmit për të kërkuar mirëkuptimin e tyre për këtë kërkesë."

Lobim, të cilin kryetari i Partisë Demokratike do të duhet ta bëjë në radhë të parë me kryetaren e simotrës gjermane, Angela Merkel. Partia e saj, Unioni Kristiandemokrat, bëri të njohur të hënën programin zgjedhor për Parlamentin Evropian, ku shprehet fare qartë, se mbas anëtarësimit të Kroacisë nevojitet një pauzë konsolidimi. "Mirë, mirë, ato janë zgjedhje, programet elektorale janë programe elektorale," i tha Berisha Deutsche Welle-s. "Jam i bindur se Gjermania është dhe do të mbetet një lokomotivë kryesore e integrimit në Evropë, së bashku me Francën. Natyrisht një mirëkuptim duhet treguar, sepse një krizë e thellë financiare është, është problemi i referendumit të Irlandës, por ky proces do të eci me ritmet e veta."

Shkëputje nga konformizmi

Në Fondacionin "Konrad Adenauer" nuk u fol për të ardhmen e Shqipërisë në Evropë, por për të kaluarën e saj nën regjimin komunist. Sali Berisha ishte ftuar aty si një nga protagonistët kryesorë të rrëzimit të atij. Kishte qenë fizikanti rus dhe nobelisti i paqes, Andrei Saharov, ai që e kishte influencuar atë të shkëputej nga konformizmi, do t`u rrëfente ai të pranishmëve "Me mundim të madh, pas meditimit të thellë, ia dola të marrë një vendim në gjysmën e dytë të viteve 80-të. Vendim i thjeshtë: të mos vazhdoja më konformizmin tim. Pas këtij vendimi jam ndjerë më i lirë dhe më i qetë se kurrë."

Më parë kryetari i Partisë Demokratike përshkroi egërsinë e regjimit komunist në Shqipëri, që me 11.000 viktima ua pat kaluar të gjitha vendeve të bllokut lindor, pa ish-Bashkimin Sovjetik. Berisha e ilustroi atë me disa raste konkrete, si varjen e poetit Avzi Nela ose tërheqjen zvarrë të kufomave të të vrarëve në kufi. Në këtë kuadër ai justifikoi ligjin e lustracionit të miratuar në dhjetorin e shkuar nga maxhoranca, të cilin në shkurt të këtij viti e pezulloi Gjykata Kushtetuese: "E vërteta është që ka ngjallur kundërshtia dhe kritika, për të cilat unë jam i vetëdijshëm. Por unë jam i bindur se shoqëria shqiptare duhet të gjejë një mënyrë të qytetëruar pajtimi, sepse kryegjykatësi që dënoi me varje poetin gjer para tre vjetësh ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kurse njeriu që urdhëroi zvarritjen në rrugë deri para tre muajsh ishte kryehetuesi i Shqipërisë."

Sali Berisha ishte personaliteti i dytë i ftuar në serinë e referateve të Fondacionit Konrad Adenauer me rastin e 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. I pari ishte ish-kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 19.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HFJH
  • Data 19.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HFJH