1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beogradi dhe Prishtina afër zgjidhjes

Marina Maksimoviç/Angjelina Verbica13 Shkurt 2014

Beogradi dhe Prishtina finalizojnë marrëveshjen për organizimin e gjyqësorit në veri të Kosovës. Zgjidhja është gjetur në kuadër të ligjeve të Kosovës, por duke respektuar specifikat e komunave me shumicë serbe.

https://p.dw.com/p/1B7sD
Fotografi: European External Action Service

Beogradi dhe Prishtina thonë se është afër zgjidhja në fushën e gjyqësorit, që ka të bëjë me juridiksionin e gjykatës komunale në Mitrovicë. Raundi i 22-të i dialogut, i mbajtur në Bruksel më 12 shkurt, çoi në një afrim të qëndrimeve, të cilat nga njëra anë plotësojnë kërkesat e Prishtinës për organizimin e gjykatës dhe të prokurorisë në veri në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nga ana tjetër respektojnë kërkesën e Beogradit për “specifikën dhe individualitetin" e serbëve në veri.

"Nëse është një gjykatë për shtatë komuna, atëherë kjo strukturë në kuptimin etnik të paktën, në ato pjesë të departamentit në veri, duhet të ketë shumicën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve serbë, e përsëri të mos ndahet vetëm sipas kritereve etnike, që nuk është patjetër praktikë në gjyqësor dhe ne as nuk do të donim të ishte kështu. Megjithatë, specifika e veriut duhet të respektohet", tha Daçiç.

Grupit të ekspertëve, që ka qëndruar, i mbetet të finalizojë detajet dhe të dy kryeministrat më së voni pas dy javëve do të takohen përsëri në Bruksel dhe të arrijnë marrëveshjen politike lidhur me zgjidhjen e çështjes së gjyqësorit.

Së shpejti zgjidhja e gjyqësorit në Mitrovicë?
Së shpejti zgjidhja e gjyqësorit në Mitrovicë?Fotografi: DW/B. Slavkovic

Zgjedhjet nuk duhet të ngadalësojnë dialogun

Në kabinetin e kryediplomates së Bashkimit Evropian, edhe para takimit të djeshëm midis delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës, u theksua se është e domosdoshme që sa më parë të bihet dakord për implementimin e të gjitha pjesëve të marrëveshjes së Brukselit, në radhë të parë në fushën e drejtësisë. Në të njëjtën kohë edhe Serbia edhe Kosova janë të vetëdijshme se ngecja në negociata në një situatë, kur të dy palët presin zgjedhje parlamentare dhe mandati i Catherine Ashtonit përfundon në fund të vitit, mund të ndikojë negativisht në proceset e integrimit evropian të të dyja palëve. Në Bruksel theksojnë se dialogu, pavarësisht nga procesi zgjedhor, vazhdon dhe të dy kryeministrat kanë shprehur angazhimin e tyre për të vazhduar punën në procesin e dialogut.
"Shpresoj se Serbia do të jetë edhe më shumë e angazhuar për zbatimin e marrëveshjes, pavarësisht nga zgjedhjet e ardhshme", deklaroi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se në Bruksel është biseduar, se si të zbatohet sa më parë dhe më mirë marrëveshja e Brukselit.

Njëra prej temave edhe ajo e serbëve të arrestuar në Kosovë

Krahas çështjes themelore të drejtësisë, Beogradi insistoi në Bruksel edhe për çështjen e serbëve të arrestuar në Kosovë. Me këtë rast nga Bashkimi Evropian u kërkua që përmes autoriteteve të tij të sqarojë arrestimet, të cilat sipas fjalëve të kryeministrit të Serbisë, mund të çojnë në destabilizimin e rrethanave në Kosovë. U bisedua edhe për mënyrën e organizimit të votimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi për qytetarët serbë, që jetojnë në Kosovë.

Bisedime mbi gjendjen në Bosnjë- Hercegovinë

Në kuadër të dialogut janë shkëmbyer edhe informacione mbi gjendjen në Bosnjë- Hercegovinë. Me këtë rast shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian Ashton njoftoi se do të zhvillojë një vizitë në Bosnjë e Hercegovinë javën e ardhshme dhe Serbia është e angazhuar për një Bosnjë-Hercegovinë të qetë dhe stabile.