1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Beograd-Zagreb: Fjalë të rënda dhe domosdoshmëri për pajtim

Pas lirimit të gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markaç si të pafajshëm nga Tribunali i Hagës përsëri dëgjohen tone të ngritura dhe kërcënime në marrëdhëniet mes Zagrebit dhe Beogradit.

Udhëheqësit kroatë nuk duan të komentojnë paralajmërimet për ngritjen e aktakuzave në Beograd, qytetarët janë të zemëruar nga reagimet që vijnë nga Serbia ndërsa analistët thonë se është ngadalësuar normalizimi i marrëdhënieve politike midis Kroacisë dhe Serbisë.

Shoqëria kroate ndërkohë është pjekur

Në foto, Andrea Feldman

Në foto, Andrea Feldman

Mediat kroate raportojnë për tone të ngritura që vijnë nga Serbia pas shpalljes së pafajësisë të gjeneralëve Gotovina dhe Markaç. Po ashtu ato theksojnë se me këtë vendim të Tribunalit shkruhet një faqe tjetër në historinë moderne kroate. Sidomos nga fjalët falendëruese dhe qëndrimi i gjeneralit Gotovina drejtuar refugjatëve kroatë të nacionalitetit serb. Për historianen Andrea Feldman nga Universiteti i Zagrebit, kjo si dhe deklaratat e Prokurorit të Përgjithshëm për krimet e luftës, janë dëshmi se "Kroacia si shoqëri, në krahasim nga vitit 1995 është pjekur mjaft, sepse si elita politike ashtu dhe njerëzit e pranojnë faktin se krimet janë kryer pas operacionit "Oluja" (Stuhia) dhe kryesit e tyre duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht. "Sa i përket toneve të ashpra në Beograd, Feldman beson se këto ngjarje nuk do të kontribuojnë shumë as në përkeqësimin e as në normalizimin e marrëdhënieve. "Unë thjesht mendoj se politika serbe në këtë moment nuk mund të heq dorë nga shqetësimet e saj. Nga njëra anë nuk ekziston vullneti për të vlerësuar seriozisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me gjenocidin e kryer në Srebrenicë, ashtu si nuk flitet seriozisht në lidhje me faktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Prandaj, qëndrimi i shumicës së elitës politike se ata nuk e pëlqejnë vendimin e Tribunalit të Hagës në thelb nuk e ndryshon qëndrimin e deritanishëm të tyre. Dhe ai është se agresioni nga ana e Serbisë nuk ka ndodhur fare", thekson Feldman e cila arrin në përfundimin se normalizimi i vërtetë nuk do të arrihet " përderisa elita politike dhe pastaj shoqëria serbe në përgjithësi nuk do të pranojë faktet historike dhe të fillojë një lloj të shërimit".

Efektet afatshkurtëra të vendimit

Në foto, Zvonimir Çiçak

Në foto, Zvonimir Çiçak

Për presidentin e Komitetit Kroat të Helsinkit (HHO) Ivan Zvonimir Çiçak marrëdhëniet midis Kroacisë dhe Serbisë nuk janë trazuar nga vendimi i Hagës "sepse ato ishin aq të trazuara sa nuk mund të përkeqësoheshin ende." Ai beson se këto marrëdhënie kanë arritur në një masë që do të jetë vështirë e kapërcyeshme. "Unë mendoj se kjo masë do të përkeqësohet edhe më tej nga vendimi për Ramush Haradinajn, pasi që ky vendim do të frustrojë edhe më shumë serbët, dhe me ta do të jetë e vështirë për të vendosur çdo lloj kontakti", thotë kreu i HHO-së. Çiçak thekson se një vëmendje të veçantë duhet t'i kushtohet faktit që lirimi i gjeneralëve ka shkaktuar zemërimim më të madh në Republikën Serbe dhe "në të njëjtën kohë në Banjallukë vazhdojnë përpjekjet për të mbështetur shkëndijat seperatiste të Herceg-Bosnjës." Kjo, sipas mendimit të Çiçak, do të thotë se Dodik është duke udhëhequr një politikë drejt shkëputjes, përmes së cilës trazohet struktura e brishtë e paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Në foto, Alemka Lisinski

Në foto, Alemka Lisinski

Alemka Lisinski, kryeredaktore e portalit T konsideron se vendimi për Gotovinën dhe Markaçin mund të ketë vetëm efekte afatshkurtra në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Megjithatë, ajo thotë se po bëhet gjthnjë e më e qartë se "marrëdhëniet mes dy vendeve tona gjithnjë kanë dy linja." Njëra linjë është ajo e politikës së lartë "e cila duhet të përmbajë disa gjeste simbolike për të dyja palët" dhe tjetra "ajo që ne mund ta quajmë jetë, dhe që tregon se marrëdhëniet e vendosura nuk mund të kthehen më prapa, të paktën jo në mënyrë të konsiderueshme." Marrëdhëniet e mira, marrëdhëniet biznesore dhe kontaktet janë vendosur nga artistët, botuesit, menaxherët, dhe ato do të vazhdojnë, pavarësisht nga pengesat e rastit, vlerëson Lisinski.