1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Belortaja: Kriza e rritjes së çmimeve sa e importuar aq edhe e brendshme

Kriza botërore e shtrenjtimit të mallrave ushqimore godet rëndë Shqipërinë. Përmirësimi i situatës duket larg. Intervistë me Selim Belortajën, Drejtor i Qendrës Shqiptare për Tregëtinë Ndërkombëtare.

default

Çmimet e drithërave dhe orizit arrijnë shifra rekord

DW: Cilët janë faktorët që kanë sjellë rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Shqipëri? A është kjo rritje pasojë e krizës botërore?

Selim Belortaja: Rritja e çmimeve është tani një fakt i padiskutueshëm. Jo rrallë ajo shihet si një dukurti e importuar, e ardhur nga tregjet e huaja. Unë do të thoja se kriza e rritjes së çmimeve është sa një dukuri e importuar, aq edhe me bazë dhe me rrënjë brenda ekonomisë së vendit. Në fakt është rezultat i kombinimit të dy faktorëve të mëdhenj: së pari i burimeve të kufizuara, i tkurrjes së tyre apo i zhvillimit të tyre me ritme më të ulëta se ato të konsumit, që tenton të bëhet më i gjerë dhe të shkëputet nga baza e prodhimit që është toka. Faktori i dytë është keqmenaxhimi, mungesa e koncepteve të qeverisjes racionale të tokës dhe burimeve të produkteve ushqimore.
Po të kthehesha tek faktori i importuar do të thoja se ai bazohet në mungesa që lidhen me fenomene globale si ato të ngrohjes globale dhe derivatet e pasojave të saj. Në kuadër të ekonomisë kombëtare rritja e çmimeve të produkteve ushqimore është pasojë e problemeve të menaxhimit të situatës, të qeverisjes ekonomike. E them këtë sepse Shqipëri vuan pak, krahasuar me rajone të tjera të botës, nga thatësira, përmbytjet apo pasoja të tjera të ngrohjes globale. Por Shqipëria vuan më shumë nga elemente të tilla si rritja e konkurrencës menaxhimit të burimeve, të rritjes së rendimentit të produkteve bujqësore, cilësisë së tyre dhe furnizimit të mirë të tregjeve.

DW: A shihni shkaqe për ekzistencën e këtyre faktorëve apo edhe për kombinimin e tyre?

Selim Belortaja: Baza e bazave është shkëputja gjithnjë e më e madhe e qëndrimit të shoqërisë dhe të qeverisë aktuale ndaj menaxhimit të burimeve të prodhimit. Gjithnjë e më tepër shoqëria e ka shkëputur vetveten duke hyrë kështu në një spirale virtuale nga braktisja e burimit të të mirave materiale, sidomos atyre bujqësore që është toka, bujqësia, blegtoria.

DW: Pasojat e rritjes së çmimeve të ushqimeve. Cilët preken më shumë prej tyre? A ka zgjidhje të shpejta?

Selim Belortaja: Padyshim pasojat janë tejet negative për të gjitha shtresat e shoqërisë.. Por pa asnjë diskutim, rritja e çmimeve godet shtresat me të ardhura të pakta, ato me burimet më të pasigurta për jetesën. Shpesh administratorët përmendin faktin se ndërsa çmimet të shprehura në inflacion rriten, edhe duke kaluar normën e monitorimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar( FMN) 4.5- 5%, pasi kjo sipas tyre nuk përbën rrezik pasi pensionet dhe rrogat do të rriten me 5- 15%. Por me këtë lloj arësetimi ne adresojmë vetëm ato shtresa sociale që marrin paga dhe pensione. Ndërkohë ka qindra mijëra të tjerë që janë krejtësisht jashtë skemave të asistencës sociale dhe të papunë. Këtyre si u bëhet halli? Për këtë shtresë e ardhmja është vërtet e zymtë. Në rang global do të thoja se nuk mund të presim zgjidhje dhe kapërcime të shpejta të krizave të tilla, sepse ato janë rezultat i faktorëve të akulmuluar në dekada dhe ekonomia ka një ligjësi. Ashtu si akumulimi bëhet në dekada edhe kurimi i situatave të tilla kërkon afate të gjata kohore.

DW: Si e parashikoni ecurinë e situatës?

Selim Belortaja: Në vështrim afatshkurtër do të ketë thellim të krizës, përkeqësim të situatës.. Ndërkohë gjithë faktorët në rang global por edhe kombëtar po ndërgjegjësohen për pasojat e kësaj krize. Ekonomistë të huaj, studiues, parashikojnë tensionim të situatës për arësye të mungesës së burimeve elementare të ushqimit si mungesa e drithërave, e orizit, burim jetese për qindra miliona njerëz, sidomos në Azinë JugLindore. Vendet e këtij rajoni janë vërtet prodhues por janë edhe konsumatorë. Prandaj parashikohet që krahas thellimit të krizës ekonomike mund të ketë edhe konflikte sociale dhe politike.

DW: Po Shqipëria?

Selim Belortaja: Për arsye të shumta, Shqipëria nuk ka të njëjtën shkallë kërcënimi. Në rradhë të parë sepse 55% e popullsisë jeton në fshat, ka një traditë të mirë bujqësore, kemi një klimë të pakrahasueshme me atë të Afrikës, ku depot e orizit ruhen me armë. Jemi edhe të përfshirë në disa procese integruese që japin shanse për një zhvillim të qëndrueshëm në të ardhmen. Megjithatë situata duhet vlerësuar shpejt në nivelin e politikave të brendshme, që sipas meje mungojnë ose zvarriten. Është e patolerueshme që problemi i pronës të mbetet ende i pazgjidhur. Pas 15 vjetësh ndonëse prona është pjesë e axhendave të debateve publike. Askujt nuk do t´i hynte në punë vënia e theksit në politika të tilla si „ Shqipëri një EURO "apo „ Shqipëria në moshën e internetit", politika të reja të shpallua nga qeveria. Ndërkohë që nuk është zgjidhur problemi i tokës dhe ai çmimeve të produkteve bujqësore dhe atyre ushqimore në përgjithësi. Ka çështje elementare që duhet të trajtohen me seriozitet dhe shpejtësi.

DW: Çfarë duhet bëjë qeveria ekryeministrit Berisha, opozita në Parlament për të frenuar krizën dhe shmangur konflikte tëe mundshme sociale.. ndoshta edhe politike?

Selim Belortaja: Për fat të keq për krizat ekonomike nuk ka zgjidhje të arta dhe aq më pak zgjidhje të rrufeshme. Fenomenet janë të akumuluara dhe kërkojnë kohë të zgjidhen. Ajo që mund të bëhet në mënyrë të menjëhershme është të fillohet me programimin e hapave për të kapërcyer tensionet që sjell kriza.

Hapi i parë: rimarja me shpejtësi e reformave të mbetura përgjysëm, sidomos reforma për tregun e tokës. Kemi vëështirësi të mëdha për shkak të copëtimit tokës, që nga ana e vet bëhet shkak për mosfunksionimin e tregut të tokës, që nga ana e vet bëhet shkak për rendimente të ulta në bujqësi, për mospërdorimin e teknologjive dhe teknikave të përparuara, që bëhet shkak për uljen e kompetivitetit në bujqësi. Prandaj Shqipëria e ka të pamundur të përballojë konkurrencën edhe në rajon pale më gjerë as që bëhet fjalë.

Hapi i dytë: Caktimi i prioriteteve në të cilat Shqipëria demonstron avantazhe krahasuese sepse nuk është e thënë që zgjedhjen e problemeve ushqimore ta zgjidhim domosdoshmërisht me forcimin e sektorit të bujqëesisë. Mund të zhvillojmë sektorë të tjerë ku kemi avantazhe dhe në sajë të magjisë së tregut të sigurojmë burime që lejojnë kapërcimin e situatave të tilla.

Hapi i tretë: Duhet bërë më shumë për zhvilimin rural, si një koncept më i gjerë se zhvillimi i bujqësisë. Zhvillimi rural lidhet me motivimin e njerëzve për të punuar dhe jetuar në fshat, atje ku janë. Flukset emigratore në Shqipëri kanë vetëm një kah: nga fshati drejt qendrave urbane të mëdha, Tiranë, Durrës. Ndërkohë që të gjithë duam të ushqehemi sa më mirë, pa pyetur se kush ka mbetur në fshat dhe si motivohen të qëndrojnë atje. Kur them zhvillm rural nuk kam parasysh atë zhvillim ku të ketë aktivitete kulturore dhe artistike. Ky do të ishte luks. E kam fjalën për furnizimin me energji elektrike. Në fshat raporti i mungesës së energjisë elektrike është 1 me 3. Nëse në qytet ndërpriten dritat 1 orë, në fshat ato ndërpriten 8, 10, 12 orë. Po harrohet që sot prodhimi është me serra, që kërkon furnizim me energji elektrike. Po kështu edhe punishtet e përpunimit të produkteve blegtorale duan energji elektrike.

  • Data 29.04.2008
  • Autor Anir Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dqg6
  • Data 29.04.2008
  • Autor Anir Ruci
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Dqg6