1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Behxhet Pacolli zgjidhet president i Kosovës

Behxhet Pacolli, në raundin e tretë të votimit mori 62 vota pro, katër kundër dhe një abstenim, numër ky i mjaftueshëm për t'u zgjedhur president i Kosovës.

default

Deputetët e parlamentit të Kosovës më shumicë të thjeshtë zgjodhën të martën presidentin e Kosovës, Behxhet Pacollin. Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës, Behxhet Pacolli dha betimin para deputetëve duke thënë se do të punojë për ruatjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës.

Pacolli betohet për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës

“Betohem se tërë fuqinë time do t'ia kushtoj ruatjes së tërësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit dhe lirive të të drejtave njerëzore të qytetarëve të Kosovës, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe më ndërgjegjje dhe përgjegjësi do t'i kryej të gjitha detyrimet e mia”, tha Behxhet Pacolli.

Kandidati për president të Kosovës Behxhet Pacolli në dy raunde të votimit në parlament nuk e mori numrin e mjaftueshëm të votave për t'u zgjedhur president, sepse për këtë nevojiteshin të paktën 81 vota, apo dy të tretat e deputëteve. Në sallë ishin vetëm 67 deputetë, pasi që tri partitë politike opozitare lëshuan sallën. Në raundin e parë të votimit Behxhet Pacolli, mori 54 vota për, 11 kundër dhe ishin dy abstenime. Në raundin e dytë, zoti Pacolli mori 58 vota pro, 7 kundër dhe dy abstenime. Para se të fillojë raundi i tretë i votimit, PDK kërkoi pesë minuta pauzë për një konsultim të brendshëm, mirëpo kjo u kundërshtua nga drejtuesi i seancës, Jakup Krasniqi, i cili tha se kjo pauzë është antikushtetuese.

Krasniqi, ndërprerja e procesit të votimit shkelje e Kushtetutës

“Unë po jap pesë minuta pauzë, por ta dini që kjo është shkelje e Kushtetutës dhe e rregullorës së punës së kuvendit. Çdo ndryshim i rezultatit është i papranueshëm dhe është thjeshtë presion mbi deputetët”, tha kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili vjen nga Partia Demokratike e Hashim Thaçit. Pauza zgjati 45 minuta dhe kjo ndryshoi rezulatin dhe në raundin e tretë Behxhet Pacolli u zgjodh president i Kosovës.

Pika e dytë e rendit të ditës në seancë ishte zgjedhja e qeverisë së Kosovës, me kandidatin për kryeministër, Hashim Thaçi. Hashim Thaçi dhe kabineti i tij qeveritar poashtu morën një shumicë të thjeshtë 65 vota për dhe një kundër.

Thaçi, zotohet se do tu shërbej të gjithë qytetarëve të vendit

Kryeministri i rizgjedhur Hashim Thaçi para deputetëve tha: ”Unë zotohem se do t'u shërbej të gjithë qytetarëve të vendit, do të kem bashkëpunim të ngushtë në interes të vendit me të gjitha partitë politike, shoqërinë civile dhe me të gjithë faktorët relevantë të shoqërisë kosovare”, tha kryeministri Thaçi.

Kabineti i ri qeveritar me kryeministër Hashim Thaçi do të ketë 16 ministri. Kryeministri Thaci do të ketë pesë zëvëndëskryeministra.

Zëvëndëskryeministrat në qeverinë Thaçi:

Hajredin Kuci

Mimoza Kusari

Bujar Bukoshi

Edita Tahiri

Sllobodan Petroviq.

Ministrat në kabinetin e qeverisë Thaçi:

Ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuqi

Ministër i punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi

Ministër i Jashtëm, Enver Hoxhaj

Ministre e Integrimeve, Vlora Qitaku

Ministër i Financave, Bedri Hamza

Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Ceku

Ministër i Bujqësisë, Blerand Stavileci

Ministër i Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi

Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, Dardan Gashi.

Ministër i Punës dhe mirëqënies Sociale Nenad Rashiq

Ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila

Ministër i Arsimit Ramë Buja

Ministër i Shëndetësisë, Ferid Agani

Ministër i Adminisratës Publike, Mahir Jagxhillar

Ministër i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj

Ministër i Transportit Fehmi Mujota

Qysh në fillim të seancës kandidatura e Behxhet Pacollit hasi në kundërshtimin e partive opozitare, të cilat nuk deshën të jenë pjesë e votimit për president. Pra LDK, Lëvizja Vetvendosja dhe AAK, lëshuan sallën e kuvendit. LDK, partia më e madhe opozitare tha se partia e tij kërkon që të ketë një marrëveshje politike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Deri në zgjedhjet e ardhshme të bëhet regjistrimi i popullsisë, të caktohen lista e zgjedhësve, të ndryshohet sistemi zgjedhor, të ndryshohet ligji zgjedhor dhe të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Ismet Beqiri.

Edhe Levizja Vetvendosja u shpreh kundër kandidaturës së Behxhet Pacollit për president, sepse sipas tyre zoti Pacoli dhe partia e tij nuk kanë kundërshtuar planin e Marti Ahtisarit, plan ky të cilin Vetvendosja e Kundërshton.Visar Ymeri është nga Lëvizja Vetvendosja.

“Behxhet Pacolli dhe partia e tij gjatë tërë legjislaturës së kaluar ka funksionuar më shumë si shërbim i Hashim Thacit dhe i qëllimeve të tij politike sesa si opozitë, çfarë formalisht ishte”, thotë Visar Ymeri.

Të njejtin qëndrim e mbajti edhe partia tjetër opozitare AAK, e cila nuk mori pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, ku sipas Adrian Gjinit, kjo parti nuk e sheh zotin Pacolli si figurë unifikuese, çfarë duhet të jetë presidenti i Kosovës.

“Nuk mendojmë se është në interes të vendit, që një gjë e tillë të ndodhë dhe po ashtu, mendojmë se Kosova ka zgjidhje kushtetuese për të dalë nga kjo situatë. Përfundimisht ne si deputetë të AAK-së dhe qytetarëve të Kosovës nuk dëshirojmë të jemi dëshmitarë të një marrëveshje të tillë dhe të një qeverisje të tillë”, thotë Adrian Gjini.

Sidoqoftë pas më shumë se tre muajsh Kosova ka serish institucionet e saj qëndrore, qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin, i cili fitoi një madat të dytë dhe presidentin, Behxhet Pacolli.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 22.02.2011
  • Autor Angelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10M6h
  • Data 22.02.2011
  • Autor Angelina Verbica
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10M6h