1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Beck: Në Kosovë kërkohen "zgjidhje praktike"

Sipas Marie Luise Beck, anëtare e grupit parlamentar Gjermani-Evropë Juglindore, Beogradi dhe Prishtina në çështjen e Kosovës duhet të zgjidhin së pari problemet praktike

Evropa Juglindore - ende me konflikte

Evropa Juglindore - ende me konflikte

DW: Zonja Beck, si e vlerësoni gjendjen në veri të Kosovës?    

Beck: Problemi është, që si nga ana e Beogradit ashtu edhe e Prishtinës, të dyja qeveritë këmbëngulin tani që të arrijnë të realizojnë interpretimin e tyre të ligjit dhe interpretimin e tyre të çështjes së statusit. Dhe kjo i serviret edhe popullatës përmes politikës dhe mediave.

DW: Kush, apo cili institucion është në gjendje për të ndërmjetësuar në mes palëve në konflikt - serbëve dhe shqiptarëve?

Beck: Që ka mundësi ndërmjetësimi - edhe nga institucionet ndërkombëtare – shihet më së miri në enklavat serbe në Kosovën jugore. Edhe aty kemi popullsi serbe minoritare, për të cilën mund të mendoje, se mbrohet po ashtu në mënyrë masive, si pjesë të tëra të popullsisë serbe në veri të Kosovës. Por ata nuk e bëjnë më këtë, se kanë parë që me lejimin e të drejtave të pakicave, gjendja e tyre në një shtet, në një Kosovë sovrane, është e tillë, që atje mund të jetohet. Dhe që kjo situatë nuk mund të vendoset në veri, është e lidhur me faktin, se ka ndezje të ndjenjave nacionaliste.

Marie-Luise Beck

Marie-Luise Beck

DW: Çfarë zgjidhjeje shihni për veriun i Kosovës?

Beck: Mendoj se në moment nuk mund të flitet për një zgjidhje përfundimtare. E qartë duhet të jetë se nuk do të ketë ndryshim të kufijve. Kjo do të hapë në Ballkan kutinë e Pandorës, që askush nuk e mbyll përsëri. Dhe që në lidhje me Kosovën është vendosur për pavarësi, ka të bëjë vetëm me atë, që nën Milloshevicin ky popull është shtypur aq shumë, sa që një kthim nën çatinë serbe  nuk mund të pritej më nga ky popull. Çdo gjë tjetër tani është çështje e negociatave, e të drejtave të autonomisë, e të drejtave të pakicave dhe gjithashtu një çështje se sa të depërtueshme do të bëhen Kosova dhe Serbia si shtete. Ne në Gjermani kemi përvojë me dy entitete shtetërore, të cilat nuk donin ta njihnin njëra-tjetrën, RDGJ dhe në Republikën Federale të Gjermanisë. Diplomati gjerman (dhe i ngarkuari i BE për negociatat për statusin e Kosovës) Wolfgang Ischinger ka propozuar shpesh në negociatat për Kosovën, të shihet njëherë ky model. Pra të mos fillohet me çështjet me ngarkesë simbolike të sovranitetit, por me sqarimin e çështjeve praktike. Kjo do të ishte, në qoftë se do të bien dakord, një rrugë e mirë për Serbinë dhe Kosovën.

DW: Këtë Beogradi dhe Prishtina edhe e kanë bërë dhe pastaj në një nga marrëveshjet e para, në lidhje me vulat doganore, erdhi edhe konflikti i parë.

Beck: Kjo do të thotë, që si dhe më parë vazhdon të ketë forca, që nuk duan të jenë të kënaqura me situatën, si ajo që është krijuar. Kjo është ajo, që unë e quaj "ndezje". Nëse vazhdimisht ngrihen çështje simbolike dhe çojnë në konflikte nacionaliste, atëherë nuk ka vullnet për marrëveshje. Kjo do të thotë se fillimisht duhet të jetë vullneti për të mos i nxitur më konfliktet.

DW: Por kjo duhet të komunikohet në popull...

Beck: Populli ka pjesërisht kokën e tij, por gjithashtu nuk është i pavarur nga ajo, që i tregohet. Unë kam takuar në udhëtimin tim të fundit studentë të rinj serbë nga veriu i Kosovës, të cilët më kanë thënë mjaft seriozisht, ata nuk mund ta imagjinonin aspak që të jetonin në një shtet kosovar. Unë mendoj se demokracitë perëndimore kanë treguar se edhe për minoritetet jeta në një shtet demokratik mund të jetë mjaft e këndshme dhe se ne gjithsesi jetojmë në shtete multietnike. Me shembuj të tillë të arsyeshëm duhet bërë ballafaqimi, në vend që të ndezin ndjenja nacionaliste, prapa të cilave gjithnjë qëndrojnë edhe interesa të tjera.


DW: Me çfarë përshtypjesh keni ardhur nga udhëtimi juaji i fundit në Kosovë në fund të gushtit, kur konflikti kufitar atje ziente akoma?

Beck: Se më e rëndësishme, sipas mendimit tim, është koha, e cila mund të veprojë, nëse ka një vullnet për të arritur marrëveshje. Nëse, megjithatë, për arsye të ndryshme në krye nxirren çështje, që të çojnë në vendime për çështje simbolike, atëherë ajo do të jetë gjithmonë një paqe e ftohtë, e cila brenda natës mund të shpërthejë nga eksplozione të vogla në një konflikt të nxehtë.

DW: Çfarë do të thotë çështje simbolike?

Beck: Vendime, për të cilat dihet se janë simbolike. Pra, pyetja: a është Kosova me të vërtetë shtet sovran - po apo jo? Kjo është një nga ato pyetje, që kërkon vendim, në vend që të themi, tani kemi interpretime të ndryshme në Beograd dhe në Prishtinë. Por ne përpiqemi tani në interes të njerëzve, në interes të stabilitetit dhe paqes të gjejmë rrugë praktike zgjidhjeje.

Autor: Mirjana Dikic/Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi