1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE vlerëson progresin e Serbisë

Këshilli i Ministrave dhe samiti përfundimtar i dhjetorit i liderëve të BE do të japë këtë javë konkluzionet vjetore mbi progresin e integrimit evropian.

Ashtu si çdo vit në fund të dhjetorit është koha për takimet e fundit të BE, në të cilat ndër të tjera nxirren konkluzionet mbi progresin e vendeve në procesin e zgjerimit të BE-së. Kështu këtë javë integrimi evropian i Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës, do të jetë në rend të ditës fillimisht të ministrave të Jashtëm dhe më pas të kryetarëve të shteteve të BE në Bruksel. Pritet që sot (16.12) ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare në kuadër të një takimi të Këshillit të shkëmbejnë mendime mbi situatën në Ballkanin Perëndimor. Diskutimi më i rëndësishëm për rajonin do të bëhet të martën (17.12.), kur Këshilli për Çështje të Përgjithshme të BE-së do të miratojë konkluzionet mbi progresin në vitin 2013 për të gjitha vendet, që kanë hyrë në rrugën evropiane dhe të japë rekomandimet e mundshme për hapat e mëtejshëm.

Në pritje të një date për negociatat ...

Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e cila kryeson Këshillin e ministrave të Jashtëm, sot do të “shkëmbejë mendime” dhe nesër do të paraqesë raportin e saj mbi progresin e Beogradit dhe Prishtinës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Nga ky raport do të varet në një masë të madhe diskutimi në Këshillin për çështjet e përgjithshme të Bashkimit Evropian dhe vendimi për caktimin e konferencës së parë ndërqeveritare mes Serbisë dhe BE, fillimi zyrtar të negociatave për anëtarësimin e Serbisë.

Në këtë moment grupet teknike të punës së Beogradit dhe Prishtinës vazhdojnë bisedimet në përpjekje për të arritur përparime në fushën e drejtësisë, e vetmja fushë, që ka mbetur si "çështje e hapur" në raportin e Catherine Ashton. Jozyrtarisht dëgjohet se, në vend të "ideales" (që nënkupton marrëveshjen për gjyqësorin) shefja e diplomacisë së BE-së, në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, duhet të paraqesë një raport pozitiv të mjaftueshëm që shtetet anëtare të BE-së të vendosin për t'i dhënë Serbisë një datë për fillimin e negociatave. Nga presidenca lituaneze e BE thuhet se është më realiste të pritet që kjo datë të jetë "më shumë gjatë se sa në fund të janarit."

.....dhe kuadrit negociues

Ajo që në këtë moment nuk është ende e qartë, është se çfarë pamje do të ketë kuadri negociues për Serbinë, dhe ç'vend do të zënë çështjet, që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Në BE ekziston një qëndrim unik, kur është fjala për "paralelizmin" e procesit të negociatave për pranim dhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë Komisioni Evropian dhe një numër i vendeve anëtare janë për kornizën negociuese, në të cilën çështjet, që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën të përqëndrohen në një kapitull të vetëm përfundimtar, në atë 35. Kështu do të hiqet mundësia që kapitujt e tjerë të bllokohen për shkak të çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Një draft të ngjashëm të kornizës negociuese ka propozuar tani edhe kryesuesja aktuale e Këshillit të BE-së, Lituania, e cila siç bëjnë të ditur burimet diplomatike është për më pak kushtëzim të Serbisë nga "çështja e Kosovës" gjatë bisedimeve për pranim, të cilat ndër të tjera duhet të çojnë edhe "në normalizimin e plotë të marrëdhënieve" të të dy palëve.

Nga ana tjetër ekziston "qëndrimi më i ashpër" i Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, që presin normalizimin "e plotë dhe të detyrueshëm ligjërisht" të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës dhe konsiderojnë se në bisedimet e Serbisë me BE pyetjet e hapura për Kosovën "nuk duhet të ndahen në mënyrë artificiale nga kapitujt, ku ata janë relevant dhe të justifikueshëm". Mosarritja e marrëveshjes për gjyqësorin ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të jetë argument shtesë i këtyre vendeve për të insistuar në "linjën më të fortë", kur është fjala edhe për kornizën negociuese dhe datën për Serbinë.

Çfarëdo vendimi që të merret të martën në Këshillin e ministrave të jashtëm ai do të duhet të miratohet në samitin e liderëve të BE, që mbahet me 19 dhe 20 dhjetor në Bruksel.