1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE vlerëson kontributin e fesë në luftimin e varfërisë

Presidenët e institucioneve më të rëndësishme të BE-së, të hënën (19.7.) u takuan me përfaqësuesit e 20 feve më të rëndësishme në Evropë. Takimi synonte gjetjen e rrugëve të përbashkëta për luftimin e varfërisë.

Takim i përfaqësuesve të BE-së me autoritete të larta të feve të mëdha në Evropë.

Takim i përfaqësuesve të BE-së me autoritete të larta të feve të mëdha në Evropë.

Ishte një pamje e pazakonshme: shumë rroba të zeza, mjekra të thinjura dhe kapele të ndryshme. Por megjithë faktin që dukeshin ndryshe përfaqësuesit e të krishterëve, myslimanëve, hebrenjëve, hinduve dhe të tjerëve ishin unikë në mendimin se varfëria në botë duhet luftuar së bashku. Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso lavdëroi punën e bashkësive fetare në kohërat e krizave.

„Kriza financiare dhe ekonomike ka goditur rëndë shumë njerëz. Është e padiskutueshme që kreativiteti dhe besimi kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm për t'i ndihmuar ata në kohërat shumë të vështira që kanë kaluar, si në kuptimin e mbështetjes materiale ashtu edhe sa i përket gjendjes shpirtërore dhe emocionale", tha Barroso.

Fjalë të pazakonshme dhe mesazhi i BE-së

Presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso.

Jose Manuel Barroso vlerëson rolin e fesë

Në kohën e diskutimeve të mëdha brenda BE-së për domosdoshmërinë e reformave të shumta ekonomike dhe financare, këto fjalë dukeshin paksa të pazakonshme. Presidenti i Këshillit Herman Van Rompuy është i mendimit se Evropa në këtë mes mund të luajë një rol të veçantë.

„Bashkimi Evropian duhet të jetë një bashkim vlerash. Kjo është vlera shtesë që ne mund të ofrojmë në botë. Është kjo një fuqi e veçantë e Evropës në Botë“, tha Rompuy.

Relativizimi i varfërisë

Por ata të cilët kanë pritur deklarata konkrete për luftimin e varfërisë, janë zhgënjyer në fund. Kardinali i Hungarisë dhe presidenti i radhës i Konferencës së peshkopëve evropianë, Peter Erdö, përpiqej madje të relativizonte kuptimin e vetë nocionit varfëri.

„Varfëria nuk është vetëm çështje e pasurisë materiale, por kemi të bëjmë me një pytje antropologjike. Ne së bashku duhet të kërkojmë atë që për njerëzit është e domosdoshme, atë që në kuptimin antropologjik është themelore për mirëqenien e njeriut", tha ai.

Në foto: grua me burka

Për këtë çështje s'flet askush...

Për një çështje tjetër në këtë takim nuk u dha asnjë përgjigje: në pytjen e një gazetari se si mund të arrihet ndalimi i përdorimit të burkës, asnjë prej pjesëmarrësve nuk deshi të përgjigjet. Në anën tjetër pati një gatishmëri të theksuar për bashkëpunim sa i përket përdorimit të gjuhës gjermane. Për këtë ishte dakord edhe Bekir Alboga nga Unioni turko-islam në Gjermani.

„Në qoftë se ne jemi pjesë e Gjermanisë, pjesë e vlerave të kësaj shoqërie, atëherë duhet të jemi të lumtur që mund ta themi mendimin tonë në formën e dialogut. Ne edhe në të ardhmen do t'ia dërgojmë presidentit propozimet tona me shkrim dhe në qoftë se ne si myslimanë mund të japim kontributin tonë në këtë drejtim, këtë do ta bëjmë me dëshirë. Edhe një herë faleminderit shumë!", u shpreh ai.

BE-ja është neutrale ndaj fesë

Mesazhi kryesor i takimit mes përfaqësuesve të feve ishte vetë mbajtja e takimit: ne e respektojmë njëri - tjetrin dhe rolin tonë në shoqëri. Por për katolikun Van Rompuy ishte me rëndësi të theksohej se do të mbahet një takim edhe me përfaqësuesit e bashkësive jofetare, me shpjegimin se BE-ja është neutrale sa i përket fesë.

Autor: Christoph Hasselbach/Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 20.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OPPg
  • Data 20.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OPPg