1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE vendos teste unike për centralet atomike

16 Mars 2011

Bashkimi Evropian nxjerr mësim nga aksidenti atomik në Japoni dhe po i vë nën presion shtetet anëtare. Për herë të parë do të kryhen në të gjithë Evropën teste të njësuara për centralet atomike.

https://p.dw.com/p/10Zdd
Reaktori bërthamor "Kosloduj" - 200 km nga Sofia
Reaktori bërthamor "Kosloduj" - 200 km nga SofiaFotografi: picture-alliance/dpa

Si pasojë e aksidentit atomik në Japoni, shtetet anëtare të BE do t'ua nënshtrojnë centralet e tyre bërthamore një testi të njësuar sigurie. Për këtë ranë dakord në Bruksel ministrat e Energjisë të BE, në një takim të posaçëm. "Fjala është për një rivlerësim të të gjitha rreziqeve", tha Komisari i BE për Energjinë, Günther Oettinger. Në "testet e stresit" do të bëhet rivlerësimi i të gjitha rrezikimeve të impianteve në rastin e katastrofave natyrore si tërmetet, përmbytjet ose edhe një sulm terrorist. Pikërëndesat e testeve në centrale të veçanta do të jenë gjithsesi të ndryshme: kështu, kur një central atomik është pranë detit, më fort atje do të merret parasysh rreziku i cunamit, se sa te një central në brendësi të vendit. Oettingeri foli për një hap drejt "evropianizimit të sigurisë". Ai bëri njëkohësisht thirrje për marrjen pjesë në teste të vendeve jashtë BE, si Rusia dhe Turqia.

Në të gjithë BE ka 143 centrale bërthamore, 17 prej tyre janë në Gjermani. Shumicën e centraleve bërthamore i ka Franca (58). Një datë konkrete për kontrollet e sigurisë sipas komisarit Oettinger nuk ka. Por pas Pashkëve, kriteret do të përcaktohen, që testet të mund të zhvillohen në gjysmën e dytë të vitit. Ekspertë të pavarur do të vinin atëherë nën lupë sistemet e ftohjes, por edhe rreziqet prej ndërprerjes së energjisë.

Oettinger flet me median në Bruksel
Oettinger flet me median në BrukselFotografi: dapd

Përsa u përket kompetencave, Komisioni Evropian as mund t'i urdhërojë testet, as të dërgojë kontrollorë. Testet janë "vullnetare", sipas së drejtës në fuqi të BE - por kjo edhe mund të ndryshojë. Oettingeri u bëri thirrje shteteve anëtare që t'i nxjerrin nga rrjeti reaktorët, kur ata nuk i kalojnë testet. "Kjo punë nuk bëhet për qejf. Pastaj unë nisem nga fakti që autoriteti i këtyre testeve të stresit dhe i këtyre ekspertëve është aq i lartë, sa secili të nxjerrë përgjegjësitë e tij në kuadrin përkatës ligjor".

Marrëveshja e Lisbonës e BE përmban parimin që shtetet vendosin vetë se nga cilat burime e fitojnë energjinë. Prandaj Oettingeri nuk pranoi të shprehej parimisht pro ose kundër energjisë bërthamore në konferencën e shtypit me përfaqësuesit e mediave, pas takimit me përfaqësues të shteteve anëtare, autoriteve mbikqyrëse dhe koncerneve.

Në Gjermani, qeveria ka urdhëruar nxjerrjen nga rrjeti të shtatë prej 17 centraleve bërthamore. Këtë hap gjerman Oettingeri e quajti "të jashtëzakonshëm", hap që deri tani nuk ka pasues në BE. Nga rrjeti do të nxirren reaktorë të ndërtuar deri më 1980, tha kancelarja Angela Merkel të martën në Berlin, pas një takimi me kryeministrat e landeve që kanë centrale bërthamore. Javën e ardhshme, në një takim tjetër të posaçëm në Bruksel do të diskutohen hapat e mëtejshëm të BE për testet e centraleve.

Autor: Auron Dodi (dpa, afpd)

Redaktoi: Eliana Xhani