1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE vendos njësimin e mbrojtjes së të dhënave

Tre vjet e gjysmë është debatuar. Tani ministrat e drejtësisë të vendeve të BE-së kanë vendosur reformën e mbrojtjes së të dhënave. Por Parlamenti Europian kërkon norma edhe më të rrepta mbrojtjeje.

Rregullat e BE-së pë rmbrojtjen e të dhënave e kanë prejardhjen nga epoka digjitale "e gurit": Rregullat në fuqi datojnë qysh nga viti 1995 - ndërkohë që njëzet vjet në botën digjitale janë një përjetësi. Kësisoj reforma duhej bërë me kohë. Tre vjetë e gjysmë është debatuar për këtë.

Tani ministrat e drejtësisë të BE-së në Luksemburg më në fund e vunë në lëvizje rregulloren e re. Marrëveshja tregon, "që Europa funksionon", dhe ky "është një përparim i jashtëzakonshëm" për konsumatorët, tha ministri gjerman i Drejtësisë Heiko Maas në Luksemburg. Qytetarët në të ardhmen do të përfitojnë, nga fakti se kudo në BE do të aplikohet i njëjti ligj.

Pas vendimit të ministrave reforma duhet të kalojë edhe në Parlamentin Europian, që kërkon një mbrojtje edhe më të mirë të konsumatorëve. Gjetja e një kompromisi mund të jetë e vështirë. Ndaj diplomatët e BE mendojnë, se ligji më së shpejti mund të miratohet në fund të këtij viti.

E drejta për të harruar

Në qendër të reformës është mbrojtja më e mirë e sferës private në internet. Këtu bën pjesë edhe "e drejta për të harruar" - që do të thotë, se qytetarët mund të kërkojnë që të dhëna e fotografi të tyre të hiqen nga interneti. Edhe makineritë e kërkimit duhet të heqin referencat mbi përmbajtje, të cilat cënojnë sferën private dhe mbrojtjen e të dhënave.

Ligji i ri parashikon gjithashtu, që përdoruesit duhet të miratojnë përpunimin e mëtejshëm të të dhënave të tyre. Koncernet e internetit në rast shkeljeje i kërcënon gjobitja. Në ligj parashikohet edhe lehtësimi i ankimimit: në të ardhmen çdo qytetari të BE-së do t'i shërbejë si partner kontakti autoriteti kombëtar i mbrojtjes së të dhënave, pavarësisht se në ç'vend ka ndodhur abuzimi me të dhënat.

E reja në këtë rregullore është, se në të ardhmen në të 28 vendet anëtare do të vlejnë njëlloj standarde të larta - deri tani ka pasur dallime të mëdha mes vendeve të veçanta. Kur janë miratuar rregullat e mëparshme nuk ekzsitonin ende rrjetet sociale. Edhe mbledhja masive e të dhënave askohe ishte në fillimet e saj.

Qarkullim të dhënash mes një hapësire të madhe

Së shpejti do të vlejnë rregulla të reja edhe për qarkullimin e të dhënave mes BE-së dhe SHBA-së. Konkretisht është fjala për marrëveshjen e ashtuquajtur Safe-Harbour. Kjo marrëveshje lejon transferimin pa pengesa të të dhënave që lidhen me procese për qëllime biznesi mes sipërmarrjeve të BE-së dhe firmave në SHBA.

Tani aksesi i autoriteteve të SHBA-së ndaj këtyre informacioneve do të kufizohet. "Ne ndërkohë jemi duke negociuar, që sipërmarrjet e SHBA-së të dhënat e qytetarëve të BE-së t'ua përcjellin autoriteteve amerikane të sigurisë vetëm në fare pak raste që bëjnë përjashtim", i tha gazetës "Die Welt" komisarja e BE-së për Drejtësinë Vera Jourova.