1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE u jep britanikëve më shumë kohë për të paguar

Në zënkën për pagesat e prapambetura të Britanisë së Madhe në buxhetin e BE-së, ministrat e financave kanë arrituar një kompromis: pagesa do të bëhet në 1.09.2015. Por për shumën që duhet paguar ka ende polemika.

Nganjëherë përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së, kur kanë një takim, duket sikur kanë qenë në takime të ndryshme. Kështu ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble pas takimit të ministrave të financave të premten (7.11.) shpjegoi me hollësi se nga taksa e re për transaksionet financiare nuk duhet pritur shumë. Dhe se ishte rënë dakord që Britanisë së Madhe t'i jepej më shumë kohë për të paguar pagesën e prapambetur prej 2,1 miliardë euro në buxhetin e BE-së, deri në shtator të vitit të ardhshëm. Eshtë e kuptueshme që britanikët u lutën për këtë, tha Schäuble. Veç kësaj edhe ministri holandez i Financave Jeroen Dijsselbloem kishte thënë se i duhej kohë të shpjegonte shifrat në vendin e tij. Edhe vendi i tij duhet të derdhë një pagesë të prapambetur prej 642 milionë euro shtesë në buxhetin e BE-së.

Kompromisi duhet të vihet tani në zbatim nga Komisioni i BE-së. Ai duhet të bëjë një propozim se si të kryhen shpejt ndryshimet ligjore për të evituar që britanikët dhe vendet e tjera debitore të paguajnë interesa ndëshkues. Pasi deri tani 1 dhjetori 2014 konsiderohej si data kur duhej të kryhej pagesa.

Lojëra britanike me shifra

Por krejt ndryshe ishte përshkrimi i bërë pas takimit nga ministri britanik i Financave George Osborne. Ai deklaroi për gazetarët që prisnin pas fundit të takimit: "Unë e kam përgjysmuar faturën." Britania e Madhe në vend të 2,1 miliardëve të kërkuar do t'i paguajë Brukselit vetëm rreth 1 miliard euro vitin e ardhshëm. Diçka të ngjashme kishte njoftuar më parë kryeministri britanik David Cameron gjatë samitit të vendeve nordike në Helsinki. Cameron tha se për të e rëndësishme nuk është vetëm data e pagesës por edhe shuma e saj. Edhe një herë ai e cilësoi të gjithë procedurën si të papranueshme. Me krenari u prezantua pas marrëveshjes në Bruksel ministri i tij i Financave dhe tha se Londra do të paguajë vetëm gjysmën e shumës së kërkuar me dy këste në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

George Osborne Ecofin 07.11.2014 Brüssel

George Osborne

Por Wolfgang Schäuble thotë se nuk ka aspak dijeni për një marrëveshje të tillë: "Reduktimi i shumës nuk u diskutua aspak", përsëriti ministri gjerman i Fiinancave duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. U diskutua vetëm mundësia e pagesës me këste dhe ajo nuk do të vlejë vetëm për Britaninë e Madhe por për të gjitha vende debitore. Këtë e konfirmoi edhe homologu holandez i Schäuble-s, i cili gjithashtu mohoi që në këtë rast të aplikohet një lloj zbritjeje britanike si në kohët e Margaret Theçerit.

Kjo kundërthënie e habitshme deri tani mund të shpjegohet vetëm me mjeshtëritë britanike në përllogaritje. Në një farë mënyrë Geroge Osborne i ka kombinuar në mënyrë të tillë pagesat e rregullta të kontributit në buxhetin e BE-së me zbritjen e vlefshme për britanikët dhe pagesat e prapambetura, që në fund rezulton një shumë më e ulët.

Politikisht ky interpretim i çuditshëm është i shpjegueshëm. Pasi zënka për pagesat e prapambetura vjen për qeverinë e Londrës në një kohë shumë të pavaforshme. Pas rreth dy javësh do të ketë një përsëritje zgjedhjesh në të cilat partia armiqësore ndaj BE-së UK Independence Party mund t'u rrëmbente një tjetër mandat në Dhomën e Ulët konservatorëve. Kryeministri Cameron është vënë gjithnjë e më shumë nën trysni nga propaganda anti-evropiane e kësaj partie muajt e fundit. Për këtë arsye ai tregohet edhe vetë gjithnjë e më kritik ndaj BE-së në prag të zgjedhjeve parlamentare majin e ardhshëm. Fillimisht bëhej fjalë për temën e migracionit dhe përpjekjen e tij për të kufizuar lirinë e lëvizjes duke vendosur kuota për imigrantët nga BE. Por këtë iniciativë Angela Merkel e ndaloi me fjalë të qarta. Më pas Cameron shpalli si mollë sherri pagesat e prapambetura për buxhetin e BE-së dhe i përdori ato për një shfaqje emocionale në samitin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive. Të paktën në këtë temë ai dhe qeveria e tij duan të prezantohen tani si fitimtarë.