1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

BE: Shqipëria të zgjidhë çështjen e pronësisë

BE i sugjeron Shqipërisë të përmirësojë kuadrin ligjor për pronat dhe të vendosë të drejtat e pronësisë. Prezantohet në Tiranë projekti i BE për regjistrimin e pronave në bregdetin e Jonit.

Ettore Sequi, ambasadori i delegacionit të BE-së në Tiranë

Ettore Sequi

Projekti për regjistrimin e pronave në bregdetin e Jonit financohet nga BE me një shumë prej 1, 5 milionë eurosh. Ai përfshin zonën nga Llogaraja deri në kufirin me Greqinë dhe do të zbatohet me asistencën teknike të pranisë së OSBE-së në Shqipëri. Bashkë me regjistrimin e pronave ky projekt merr përsipër që të vendosë edhe sinjalistikën rrugore në një zonë prioritare turistike siç konsiderohet nga qeveria e Tiranës bregdeti i Jonit.

Në prezantimin e projektit të enjten (21.07) në Tiranë ambasadori i delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, e cilësoi projektin në fjalë “ të rëndësishëm për turizmin dhe që rregullon kuadrin ligjor të Shqipërisë për pronat pasi vendos të drejtat e pronës”. Ai theksoi gjithashtu se “asnjë investitor i huaj nuk investon nëse nuk ka siguri për pronën”.

Albanien Land und Leute

Bregdeti i Jonit në Shqipëri

Zgjidhja e çështjes së pronës ndër kushtet për statusin e kandidatit

Realizimi i këtij projekti, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është vlerësuar nga ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth si një "mënyrë efikase për të prodhuar të dhëna të sakta për pronat në bregdetin e Jonit dhe zgjidhur konfliktet si edhe për të zvogëluar korrupsionin." Z. Wollfarth tha gjithashtu se përgjegjësia për njohjen e pronës bie mbi shtetin.

Zgjidhja e çështjes së pronave dhe dhënia e tyre pronarëve të ligjshëm përbën një nga 12 rekomandimet prioritare që BE i kërkon Shqipërisë të plotësojë për të aplikuar në shtator të këtij viti për statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi