1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BE: Sanksione të reja kundër Rusisë

Në Bruksel po mbahet samiti i BE, ku u fol për sanksionet kundër Rusisë. Deri tani presidentët dhe kryeminsitrat kanë rënë dakord për sanksione vetëm ndaj disa personave. Por po debatohen edhe hapa të tjerë.

Angela Merkel

Angela Merkel

Pas shumë orë negociatash, lidhur me kursin e BE ndaj Rusisë, kanclearja gjermane Angela Merkel, në paraqitjen e saj para gazetarëve në Bruksel në mesnatë, nuk ishte tepër e bindur. Në pyetjen, a mendon se presidenti i Rusisë Vlladimir Putin do ta ndryshojë politikën e tij pas masave të fundit të BE, ajo u përgjigj shkurt: "Këtë nuk mund ta di". Ajo dhe krerët e tjerë të BE do të vazhdojnë kontaktet me Putinin dhe bashkëbiseduesit e tjerë, ndonëse një samit me Putinin është hequr nga rendi i ditës.

Kancelarja i ka hequr nga rendi i ditës edhe konsultimet qeveritare gjermano-ruse. Merkel tha se as grupi i vendeve më të industrializuara (G8), ku edhe Rusia ishte pjesë, më nuk ekziston si i tillë. "Atmosfera nuk ëshë e mirë pas të gjitha gjërave që kanë ndodhur". Këtu mendohet në qëndrimet e BE ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Përgatitja e sanksioneve ekonomike

Presidentët dhe kryeministrat kanë rënë dakord që si hap tjetër të përgatisin sanksionet ekonomike. Komisioni i BE-së do të shikojë mundësi të ndryshme për sanksione, tha presidenti i Këshillit Herman Van Rompuy pas samitit. "Ne e kemi bërë të qartë edhe një herë se jemi të gatshëm të vazhdojmë me sanksione në qoftë se vazhdohet me shkallëzimin e gjendjes në Ukrainë. Këto janë të ashtuquajturat sanksione ekonomike", tha kancelarja Angela Merkel. Edhe kryeministri holandez Mark Rutte, i cili ka qenë kritik deri tani ndaj sanksionve, e ka mbështetur këtë hap, në qoftë se Rusia ndërhyn në lindje të Ukrainës. "Kolegët dhe unë duhet të jemi të gatshëm të veprojmë në qoftë se shkallëzon konflikti në Ukrainë."

Barroso dhe Van Rompuy

Barroso dhe Van Rompuy

Më shumë viza dhe ngrirja e kontove

Van Rompuy tha se BE do të bëj sot të ditur listën e personave nga Rusia dhe Krimeja të cilëve u ndalohet hyrja në BE dhe u ngrihen kontot. Presidenti i Francës Francois Hollande foli për 12 persona duke shtuar se emrat e tyre nuk do të duhej të bëhen publik. Deri tani në këtë listë janë futur 21 vetë. "Ajo që ka bërë Rusia nuk mund të pranohet. Vendet e BE-së duhet të flasin me një zë të qartë dhe unik. Kjo do të thotë se duhet të futen ndalime të udhëtimeve dhe të ngrihen kontot me personave përgjegjës për situatën në Krime", tha kryeministri britanik David Cameron.

SHBA-ja i ka vënë sanksionet ndaj disa personave disa personave të afërt me presidentin Putin. Për herë të parë nën sanksione gjendet edhe një bankë ruse. Ndërsa Rusia është përgjigjur me kundërsanksione ndaj disa politikanëve amerikanë.

BE-ja në rast nevoje do të dërgojë edhe mision vëzhgues

Ndonëse deri tani kanë rezultuar pa sukses negociatat për dërgimin në Krime të një delegacioni të OSBE-së, Bashkimi Evropian mendon që të dërgojë në Ukrianë një mision vëzhgues. Kancelarja Merkel mendon se BE-ja duhet të dërgojë një mision në lindje dhe në jug të Ukrainës, për të vëzhguar gjendjen. Misioni i BE mund të bëj vlerësime reale të gjendjes, pohon Merkel ndonëse mendon se një mision i OSBE-së do të ishte më i mirë.

Dalia Grybauskaite

Dalia Grybauskaite

Evropianët duan ta izolojnë edhe më shumë Rusinë. Por disa vende janë të brengosura. Në Qipro ka shumë kapital rus. Presidenti Nicos Anastasiades tha se "ne jemi shumë të vogël për të vendosur për Rusinë. Natyrisht që duhet t'i respektojmë parimet, por duhet të kemi kujdes që me kët hapa të mos dëmtojmë ekonominë tonë." Ministri finlandez për Evropën Alexander Stubb u tregua i shqetësuar në bisedë me Deutsche Wellen. Rusia së bashku me Suedinë dhe Gjermanisë është partneri më i rëndësishëm tregtar i Finlandës. "Dialogu është opcioni ynë i vetëm", thotë Stubb.

Shumë më e vendosur ishte presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite. Vendi i saj, i cili kufizohet me Rusinë dhe ka qenë pjesë e dikurshme e Bashkimit Sovjetik, ndjehet i rrezikuar. "Hapi tjetër duhet të jetë embargoja e armëve, sepse Rusia edhe më tej kërcënon me aksione ushtarake, me propagandë dhe luftë informative". Grybauskaite thotë se opinioni mund të pranojë shumë vështirë që BE-ja të vazhdojë të dërgoj armë në Rusi, në kohën kur trupat ruse futen me dhunë në Krime.

Qeveria gjermane i ka stopuar disa kontrata për shitje të armëve në Rusi. Franca duhet të dërgojë në Rusi dy anije për bartjen e helikopterrëve në vlerë prej një miliardë euro. Ministria e Jashtme pohon se në tetor do të vendoset nëse këto anije me të vërtetë do të dërgohen në Rusi.